Familjet që banojnë pranë amfiteatrit të Durrësit kundërshotjnë akt-ekspertimet e Institutit të Ndërtimit që i ka shpallur shtëpitë e tyre të pabanueshme.
Banorët e shtëpive mbi amfiteatrin e Durrësit janë habitur kur kanë mësuar nga media mbi transferimin e tyre të ardhshëm.
BIRN bënte me dije këto ditë se ekspertët kanë përcaktuar rrezikshmërinë që paraqesin banesat e tyre nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit të kaluar.
Sipas familjarëve, shtëpitë ku ata jetojnë prej disa dekadash kanë dëmtime të papërfillshme nga tërmeti, por mbi të gjitha “asnjë ekspert nuk i ka kontrolluar banesat gjatë këtyre muajve”.
Banesat mbi shkallaret e amfiteatrit, në pjesën pranë Bulevardit “Epidamn” ishin pjesë e projektit të vitit 2015, që synonte transferimin e tyre për ti hapur rrugë zbulimit të monumentit më të madh të antikitetit në vendin tonë.
Por largimi i tyre mbeti pezull për mungesë financimi.
Disa prej familjarëve i janë drejtuar zyrtarisht bashkisë për tu njohur me dokumentacionin që ka depozituar Instituti i Ndërtimit, ndërsa shprehen se do ta ndjekin çështjen në rrugë ligjore.
“Që nga dita kur ra tërmeti askush nuk është dukur në rrugicën tonë për të na pyetur nëse kemi ndonjë dëmtim apo jo,” thotë për BIRN Indrit Kacani, një nga banorët e hershëm të lagjes.
“Falë zotit, nuk kemi pasur probleme, dhe nuk e kuptojmë se përse duhet të sajohen ekspertiza që tregojnë rreziqe të mëdha,” shton ai.
Specialistët e Institutit të Ndërtimit, të cilët pas tërmetit të vitit të kaluar kanë ekzaminuar teknologjinë dhe kohën e ndërtimit, shkallën aktuale të degradimit nga faktorë të ndryshëm, përfshirë edhe forcat dinamike sizmike, në Akt-Ekspertimin e datës 2 mars 2020 kanë konkluduar për shembjen e disa shtëpive.
“Suke parë dëmtimet e kolonave antisizmike dhe hekurat e korroduar të objektit, si dhe degradimin e madh ndër vite, grupi i inspektimit vendosi se objekti është me rrezik shumë të lartë për humbjen e jetës së njerëzve,” shkruhet në një prej akt-ekspertimeve.
Me sy të lirë shtëpia e Indrit Kacanit nuk duket se përbën rrezik shembje, madje i zoti i shtëpisë këmbëngul se “gjatë ditëve pas tërmetit, në shtëpinë time janë strehuar familjet e dy kushërinjve, të cilëve u ishin shkatërruar banesat”.
Të njëjtën gjë thotë edhe Eugen Simaku, i cili banon dy porta më tej se Indriti në rrugicën, që durrsakët e njohin me emrin e vjetër “Shkallët e Armenit”.
“Të afërmit e mi që jetojnë në pallat u mblodhën ato ditë në shtëpinë tonë mbi amfiteatër,” tha Eugeni për BIRN. Pasi ka mësuar se shtëpitë e tyre janë shpallur të rrezikshme për banim pas tërmetit të 26 nëntorit, Eugen Simaku i ka kërkuar zyrtarisht bashkisë së qytetit që të njihet me dokumentacionin dhe akt-kontrollet e Institutit të Ndërtimit për të gjitha familjet që mbajnë mbiemrin e tij dhe që banojnë mbi amfiteatër.
Simaku, i cili mbetet në pritje të përgjigjes nga Drejtoria e Urbanistikës në bashkinë e Durrësit, këmbëngul si shumë banorë të tjerë se askush nuk ka trokitur në dyert e tyre për kontrolle dhe ekspertiza, që lidhen me dëme nga tërmeti.
I pyetur nga BIRN lidhur me të ardhmen e këtyre shtëpive, nënkryetari i bashkisë së qytetit, Florian Tahiri thotë se ende nuk ka një vendim përfundimtar.
“Dosjet me ekspertizat e specialistëve nga Instituti I Ndërtimit do të paraqiten në Këshillin Bashkiak, i cili do të vendosë për sistemimin e këtyre familjeve në të ardhmen,” tha Tahiri.
Sipas Tahirit, këto familje do të trajtohen si të gjithë banorët e tjerë të qytetit bregdetar, shtëpitë e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti I 26 nëntorit të kaluar.
Ndërkohë, drejtuesit e Qendrës Muzeore të Durrësit e quajtën çlirimin e shkallareve nga banesat, si një mundësi e mirë për të zbuluar plotësisht arenën e amfiteatrit dhe galeritë e tij.
Por banorët mendojnë të kundërtën.
Sipas tyre, nëse transferimi i tyre lidhet me zbulimin e amfiteatrit, drejtuesit e bashkisë duhet të gjejnë një formë tjetër.
“Ne nuk i kemi restauruar prej kohësh banesat tona prej vitesh, pasi e dimë që në zonën e trashëgimisë kulturore do të zbatohen projekte të mëdha,” thotë Eugen Simaku.
“Por në kushtet kur tërmeti nuk na ka shkaktuar shqetësime, duam të trajtohemi me kompensim financiar mbi bazën e sipërfaqeve që ka secila nga familjet,” theksoi ai.
Ai shton se në dokumentin e hartuar nga ekspertët e Institutit të Ndërtimit për çdo familje “ka shumë pasaktësi”, duke filluar nga adresa e gabuar dhe sipërfaqet e pasakta të banesave e deri te përkufizimi “e papërdorshme”.
Simaku dhe Kacani thonë se ata do të kërkojnë nga shteti ekspertë të tjerë dhe se më pas do të ndjekin rrugën ligjore për të mos i braktisur shtëpitë me një pretendim të paqenë si dëmet nga tërmeti.
Në vitin 2014 kur filloi të zbatohej projekti për çlirimin e plotë të shkallareve të amfiteatrit antik nga banesat që ndodhen sipër tij, vetëm katër nga familjet u larguan në shtëpi të tjera, ndërsa 9 familjet që mbetën nuk u transferuan për mungesë fondesh për kompensim.
Aktualisht 50 vjet pas hapjes së pjesës më të madhe të monumentit, këtyre familjeve u kërkohet që të largohen për shkak të dëmeve nga tërmeti, gjë që ata e quajnë të padrejtë.