![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Eugena-Tomini.gif)
Shqipëria përjetoi ditën me numrin më të lartë të pacientëve të konfirmuar me COVID-19 ndërsa autoritetet përsërisin thirrjet për kujdes. Nga ana tjetër, koronavirusi i ri nuk ka shkaktuar viktima të tjera tashmë prej shumë ditësh.
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Eugena-Tomini-534x400.gif)
Autoritetet shëndetësore identifikuan 69 pacientë të rinj të prekur nga koronavirusi gjatë 24 orëve të fundit ndërsa përsëritën thirrjet për kujdes personal, higjenë dhe distancim social ndërkohë që numri i pacientëve aktivë po i afrohet shifrës 500 ndërsa aktiviteti ekonomik i vendit është rivënë në punë pothuajse pa kufizime.
Dr. Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik deklaroi në buletinin e të hënës: “Gjatë javës së fundit kemi një rritje të numrit të rasteve pozitive dhe një rritje të të shtruarve në spital por kemi qëndrueshmëri për sa i takon fataliteteve.”
Sipas Tominit, burimet kryesore të përhapjes së infeksionit janë bizneset dhe për këtë arsye ajo i bëri thirrje bizneseve të zbatojnë protokollet e sigurisë.
Aktualisht në Shqipëri ka 499 persona të prekur nga koronavirusi nga të cilët, 50 janë të shtruar në spital. Shtatë persona janë nën terapi intensive.