![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Spitali-Shefqet-Ndroqi.gif)
Shqipëria shënoi një rekord të ri të zymtë me 786 persona të prekur dhe 11 të vdekur nga COVID-19 të enjten, dita e tetë radhazi me rritje të pandërprerë të numrit të infektimeve ndërsa masat kufizuese të deritanishme duket se nuk kanë pasur efekt.
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Spitali-Shefqet-Ndroqi-574x400.gif)
Vetëm një javë më parë, shifra prej 500 të infektuarisht përbënte një rekord negativ për Shqipërinë. Por të enjten më 19 nëntor, rekordi i një jave më parë duket diçka e vogël në krahasim me numrin e të infektuarve të rinj: 786 persona të identifikuar në vetëm 2,600 teste të kryera në laboratorët publikë dhe privatë si dhe 11 persona të vdekur nga komplikimet e shkaktuara nga koronavirusi i ri. Një 51 vjeçar nga Shkodra ishte më i riu mes të 11 viktimave të reja të pandemisë, e cila ka vrarë deri më tani 657 persona. Shqipëria urdhëroi mbajtjen me detyrim të maskave në ambjente të hapura në datë 15 tetor ndërsa urdhëroi ndalimqarkullimi më 9 nëntor dhe ndalimin e mitingjeve elektorale më 17 nëntor.
Aktiviteti ekonomik në vend mbetet i papenguar ndërsa shkollat mbeten të hapura pavarësisht faktit se një numër i konsiderueshëm mësuesish janë infektuar dhe disa prej tyre kanë vdekur.
Kryeministri Edi Rama e ka shpallur më herët idenë e një mbylljeje të dytë kombëtare si një masë që do të kishte pasoja të rënda dhe që duhet shmangur me çdo kusht.