![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/130768348_1783155488503834_1965859626588688583_n.jpg)
Policia e Shtetit njoftoi arrestimin e 59 personave në Tiranë dhe ndjekjen penale në gjendje të lirë për mbi 116 të tjerë. Arrestime dhe procedime penale pati edhe në Lezhë e Korçë, kur protestat pas vrasjes së një 25-vjeçari nga një punonjës i policisë kanë qenë të dhunshme.
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/130768348_1783155488503834_1965859626588688583_n-533x400.jpg)
Rreth 60 persona janë arrestuar nga policia e Tiranës pas protestave të dhunshme të lidhura me vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha. Ndërkohë policia njoftoi po ashtu ndjekje penale në gjendje të lirë për mbi 130 persona në Tiranë, Korrcë dhe Lezhë, qytete ku pati përplasje mes protestuesve me policinë.
Protestat që filluan të mërkurrën në mbrëmje, vijuan të enjten në kryeqytet ku qindra të rinj të shpërndarë në rrugë të ndryshme dogjën kazënë mbeturinash, thyen xhama institucionesh dhe ato të Partisë Socialiste, ndërsa u përplasën me policinë e cila përdori gazlotsjellës dhe shkopijtë e gomës kundër tyre. Përplasjet vijuan edhe pas dorëheqjes së Ministrit të Brendshëm.
“Si pasojë e dhunës me gurë, pllaka guri, sende të forta dhe lëndë piroteknike u plagosën 5 punonjës policie, duke u shkaktuar dëmtime të rënda fizike, u shkatërrua sinjalistika horizontale dhe vertikale në rrugët e lartpërmendura, semaforët, llambadarët e ndriçimit të rrugëve, u është vënë flaka kazanëve të mbeturinave, si dhe në institucionet shtetërore dhe subjektet private janë shkaktuar dëme të mëdha materiale”, njoftoi policia e Tiranës.
Ndërkohë policitë në Lezhë dhe Korçë njoftuan po ashtu ndalimin dhe procedimin për disa persona. Në njoftimin për mediat Policia e Shtetit vë në dukje se një pjesë e protestuesve të dhunshëm ishin të mitur. “Policia e Shtetit, nisur edhe nga fakti i pjesëmarrjes së të miturve në protestë është munduar të parandalojë përshkallëzimin e tubimit duke iu bërë thirrje të pandërprerë protestuesve që të shpërndaheshin pasi tubimi i i paligjshëm dhe veprimet e tyre ishin në kundërshtim të plotë më ligjin, por mbi të gjitha përdorimi i dhunës po rrezikonte jetën e punonjësve të policisë, të të miturve në tubim dhe të qytetarëve të tjerë”, thuhet në njoftim.
Policia pretendon se ka filmuar personat e dhunshëm, ndërsa bëri thirrje që protesta të ngjashme të ndalonin pasi ishin në kundërshtim me ligjet në fuqi për parandalimin e epidemisë.
Policia njoftoi se të arrestuarit dhe ata që ndiqen në gjendje të lirë akuzohen për “Organizimi dhe pjesëmarrja ne grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe ”Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe ‘’Mbajtja dhe përdorimi i lëndëve plasëse dhe piroteknike’’.
Ndërkohë Policia e Shtetit bëri apel prindërve që të mos lejonin të miturit të merrnin pjesë në protesta të dhunshme, pasi ishin në rrezik dhe po keqpërdoreshin nga më të rriturit. Por ndërkohë policia kërcënoi se nuk do të toleronte dhunën ndaj punonjësve të saj “dhe shkatërrimin barabar të pronës, pasi do përballen me forcën e ligjit”.
Në të njëjtim mesazh policia kërkoi më shumë besim, ndërsa dënoi sërish vrasjen e të riut, duke e cilësuar atë “akt të patolerueshëm të efektivit të saj që hapi zjarr duke shkaktuar humbjen e jetës së një shtetasi”. Në njoftim bëhet me dije se punonjësi i policisë ishte i arrestuar dhe do të përballej me ligjin.