![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Foto-Panariti-1.jpg)
Ish-ministri i LSI në kabinetin “Rama 1”, Edmond Panariti deklaron pasuri familjare me vlerë 53.2 milionë lekë, të investuara kryesisht në likujditete bankare.Edmond Panariti u zgjodh ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave në kabinetin e kryeministrit Edi Rama pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, si përfaqësues i Lëvizjes Socialiste. Panariti u largua nga qeveria në vitin 2017, pas prishjes së koalicionit PS-LSI.
Edmond Panariti ka përfunduar studimet universitare në Universitetin Bujqësor të Tiranës, në vitin 1984. Ai mban gradën shkencore “Doktor i Shkencave” dhe titullin Profesor. Prof. Edmond Panariti ka kryer studime të thelluara pasuniversitare gjatë viteve 1989 – 1992, pranë Shkollës Politeknike Federale (ETH) dhe Universitetit të Zyrihut në Zvicër. Në vitet 1995 – 2000, është fitues i dy bursave Fulbright për kërkim shkencor dhe ligjërim në Universitetet e Kentakit dhe të Misisipit në SHBA. Ndërsa në vitet 1994 – 1998 dhe 2004, ai kreu studime të thelluara pasuniversitare në Universitetin Veterinar të Hanoverit në Gjermani.
Ai ka shërbyer si drejtues projekti në Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe aktualisht është Profesor titullar në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë.
Edmond Panariti është një ndër themeluesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ku ka mbajtur funksionet e kryetarit të Komitetit Drejtues, anëtarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe zv.kryetarit të Bashkisë.
Ai ka mbajtur postin e ministrit të Jashtëm në qeverinë e kryeministrit Sali Berisha dhe aktualisht mban postin e drejtorit të kabinetit të Presidentit.
Ky raport u prodhua nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së ish-ministrit Edmond Panariti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e anëtarëve apo ish-anëtarëve të Këshillit të Ministrave gjatë viteve 2013-2020.
Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti nga viti 2011 deri në fund të vitit 2018. [Kliko për skedën në PDF]
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Edmond-Panariti-skeda-e-pasurise-.jpg)
Në deklaratën e parë të dorëzuar në ILDKPKI në vitin 2011, Edmond Panariti deklaronte pasuri familjare me vlerë 34.8 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2018, pasuria familjare kap vlerën e 53.2 milionë lekëve.
Z.Panariti deklaron familjarisht likujditete bankare prej 43.1 milionë lekësh, pasuri të paluajtshme me vlerë 8.6 milionë lekë, automjet me vlerë 750 mijë lekë dhe kursime në cash prej 800 mijë lekësh.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 70.2 milionë lekë, nga të cilat 24% burojnë nga paga e Z.Panariti dhe rreth 75% nga pagat e familjarëve.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrollin aritmetik/logjik për 7 vite të deklarimit, asnjë prej deklaratave nuk rezultoi me probleme.
Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” shpenzimet e konsiderueshme për rikonstruksionin e apartamentit ekzistues. Në vitin 2013, bashkëshortja e Z.Panariti deklaron se ka shpenzuar për rikonstruksionin 11,570 euro dhe 4.3 milionë lekë.
Në disa vite, bashkëshortja e Z. Panariti i deklaron së bashku të ardhurat e siguruara nga puna dhe të ardhurat nga interesat bankare. Këto të ardhura paraqiten të grupuara sipas llojit të monedhës dhe jo sipas kategorisë.
Në vitin 2018, bashkëshortja e Z. Panariti deklaron se ka përfituar përmes trashëgimisë ligjore pjesë takuese në një ndërtesë 3-katëshe në Tiranë, nga e cila ka hequr dorë përmes kontratës së dhurimit ndaj familjarëve që jetojnë aty. Ajo ka përfituar gjithashtu nga trashëgimia 1/30 pjesë të një trualli në Tiranë me sipërfaqe 6923 metra katrorë.
Deklarata Para Fillimit të Detyrës
Deklarata e pasurisë së vitit 2011
Deklarata e pasurisë së vitit 2012
Deklarata e pasurisë së vitit 2013
Deklarata shtesë për vitin 2013
Deklarata Pas Largimit nga Funksioni
Deklarata e pasurisë së vitit 2014
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
Deklarata e pasurisë së vitit 2017
Deklarata e pasurisë së vitit 2018
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al