![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/industry-g044c04569_1920.png)
Politikëbërësit rajonal po bëjnë një gabim, nëse po përdorin rritjen e çmimeve të energjisë në BE për të justifikuar një angazhim të vazhdueshëm për lëndët djegëse fosile dhe për të devijuar nga angazhimet drejt një energjie të rinovueshme.
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/industry-g044c04569_1920-600x400.png)
Kriza energjetike në Evropë po përcjell një mesazh të qartë në mbarë botën: varësia nga lëndët djegëse fosile duhet të marrë fund.
Rritja e vazhdueshme e çmimeve të gazit që nga janari 2021, e nxitur nga kërkesa në rritje dhe një furnizim i kufizuar, kanë bërë që çmimet e energjisë elektrike të rriten.
Dume u përgatitur për dimrin, furnizuesit e mëdhenj si Rusia, po i japin përparësi tregjeve të tyre të brendshme. Nga ana tjetër, kjo i ka lënë vendet evropiane si Italia dhe Spanja, në një pozicion shumë të pasigurt pasi këta të fundit mbështeten shumë te gazi për të plotësuar nevojat e tyre të brendshme për prodhimin e energjisë elektrike.
Ndërsa gazi i prodhuar nga fosilet përbën vetëm 20 për qind të energjisë elektrike të Evropës, termocentralet me gaz po rrisin çmimin e energjisë elektrike, falë kërkesës më të lartë, furnizimeve të ulëta me energji të rinovueshme dhe rritjes globale të çmimit të qymyrit.
Por, prodhimi i energjisë nga burimet me zero emetim karboni ka ulur kostot e kësaj krize dhe ka kufizuar faturën e përgjithshme të gazit në BE në 7 miliardë euro, në vend të 33 miliardë eurosh të mundshme.
Ky duhet të jetë një paralajmërim i qartë për vendet që konsiderojnë të mbështeten te gazi si lëndë djegëse ose që synojnë të zgjasin përdorimin e qymyrit nga ana e tyre.
Kostoja e vërtetë e energjisë elektrike është e fshehur
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/1024px-Termoelektrane_Kosovo_B-533x400.jpg)
Në gjysmën e parë të vitit 2021, çmimet e energjisë elektrike në Ballkanin Perëndimor ishin relativisht të ulëta, duke filluar nga 0.0605 euro në Kosovë deri në 0.0980 për kËh në Serbi, shumë nën mesataren e BE-së prej 0.2192 euro për kËh.
Prodhimi i energjisë elektrike në Ballkanin Perëndimor mbështetet kryesisht në termocentralet me qymyr. Kjo flotë e vjetruar dhe joefikase impiantesh është përgjegjëse për shumicën e emetimeve të gazeve serrë në sektorin e energjisë, duke përbërë 75 për qind të emetimeve të përgjithshme të gazeve serrë në rajon.
Për më tepër, këto termocentrale janë në përputhje as me kufijtë e tyre të ndotjes kombëtare, duke emetuar sasi vdekjeprurëse lëndësh ndotëse helmuese, si SO2, deri në gjashtë herë më shumë se limitet kombëtare.
Politikëbërësit në rajon po përdorin çmimet e larta të energjisë që po prekin BE-në për të justifikuar angazhimin e tyre të vazhdueshëm në përdorimin e lëndëve djegëse fosile në rajon, duke pretenduar se energjia elektrike e prodhuar në vend nga impiantet e qymyrit është arsyeja kryesore pse kriza e energjisë nuk ka ndikuar – ende – në çmimet e brendshme.
Ndërsa kjo mund të jetë e vërtetë, në një farë mase, ajo është shumë ndryshe nga realiteti. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha së fundi se ndërsa çmimet e energjisë elektrike me shumicë në treg janë të larta, kostoja e energjisë elektrike për qytetarët serbë është e ulët, për shkak të subvencioneve. Kjo tregon qartë se kostoja e vërtetë e qymyrit në Serbi dhe Ballkanin Perëndimor është e fshehur.
Ndërsa Vuçiç i sheh subvencionet për qymyrin si një masë mbrojtëse, kostoja e tyre ka rënduar drejtpërdrejt qytetarët serbë me vite. Nga viti 2015 deri në vitin 2019, kostoja totale e subvencioneve direkte për sektorin e qymyrit në Serbi ishte 388.11 milionë euro. Qytetarët e të gjithë rajonit, përveç Shqipërisë, e cila nuk ka qymyr në përzierjen e saj të energjisë, paguan 662.91 milionë euro.
Një tjetër kosto që liderët e Ballkanit Perëndimor nuk e faktorizojnë në koston reale të biznesit të qymyrit, është kostoja për shëndetin.
Analizat e fundit tregojnë se kostot e vlerësuara për shëndetin publik në vitin 2020 nga termocentralet me qymyr varionin nga 6 miliardë në 12.1 miliardë euro. Kjo kosto përballohet jo vetëm nga qytetarët e Ballkanit Perëndimor, por edhe nga BE-ja, për shkak të natyrës ndërkufitare të ndotjes nga impiantet e qymyrit.
Tranzicioni i ngecur i energjisë elektrike
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/termocentral.jpeg)
Traktati i Komunitetit të Energjisë i lidh ligjërisht të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, si Palë Kontraktuese, në përpjekjet për të ndërtuar një treg pan-evropian të energjisë.
Ky Traktat, deri më tani, ka qenë forca shtytëse e tranzicionit të energjisë në rajon, sepse nëpërmjet tij shtetet e Babllkanit Perëndimor angazhohen ta fusin acquis legjislativ përkatës të BE-së në legjislacionin kombëtar. Në këtë drejtim, Ballkani Perëndimor është zotuar të bashkëpunojë midis vendeve të tij dhe BE-së.
Rëndësia e këtij Traktati është mbështetur më tej me nënshkrimin e Deklaratës së Sofjes për Axhendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor në vitin 2020, në të cilën shtetet e Ballkanit Perëndimor u angazhuan për të arritur neutralitetin klimatik deri në vitin 2050, si kontribut i tyre në arritjen e Marrëveshjes së Gjelbër të BE-së.
Megjithatë, Gjurmuesi i fundit i Tranzicionit të Energjisë Elektrike tregon se Ballkani Perëndimor ka mbetur pas në përpjekjet e tyre për tranzicionin e energjisë.
Ndërsa BE-ja ka vendosur një sistem rregullator, EU ETS, në emetimet e saj, vendet e Ballkanit Perëndimor ende nuk kanë një mekanizëm për t’i vënë një çmim karbonit, gjë e cila do t’i detyronte ndotësit e mëdhenj të mjedisit të paguajnë për emetimet e tyre.
Emetimet e përllogaritura të CO2 nga rajoni do të përbëjnë 1.2 miliardë euro me mesataren e çmimit ETS të BE-së për vitin 2020. Kjo po shtrembëron fushën e lojës së barabartë midis tregjeve të energjisë elektrike të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, duke vendosur ndërprerje të mëtejshme në integrimin e tregut.
Ka ende shumë punë për të bërë në krijimin e kushteve, dhe çlirimin e potencialit për efikasitet dhe kursim të energjisë, dhe rritjen e prodhimit të energjisë nga burimet e rinovueshme.
Një vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet prezantimit të politikave dhe masave brenda Planeve Kombëtare të Energjisë dhe Klimës, një dokument-plan dhjetëvjeçar që vendet në rajon të arrijnë nivele ambicioze të reduktimit të gazrave serrë deri në vitin 2030, si dhe objektiva të besueshme përsa i përket çështjes së energjisë së rinovueshme.
Rritja e prodhimit të qymyrit nuk është zgjidhja e duhur
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Kek_Intext_003-600x398.jpg)
BE-ja aktualisht po kërkon zgjidhje afatshkurtra dhe afatmesme për të kufizuar ndikimin e rritjes së çmimeve të energjisë tek familjet dhe bizneset për dimrin e ardhshëm, duke identifikuar masa për të siguruar elasticitetin dhe fleksibilitetin e sistemit energjetik të BE-së.
Është e qartë që burimet e rinovueshme, të cilat kanë kosto të ulët operative dhe nuk kanë kosto karburanti, janë zgjidhja e vetme.
Ndërsa rritja e prodhimit të qymyrit për këtë dimër mund të duket si një lloj shpëtimi për të shmangur rritjen e faturave të energjisë elektrike për qytetarët, këtu duhet të marrim në konsideratë edhe subvencionet e mëdha dhe kostot shëndetësore dhe varësia nga lëndët djegëse fosile duhet të marrë fund.
Paqëndrueshmëria dhe mosbesueshmëria e gazit fosil thekson rëndësinë e tranzicionit të pastër dhe të drejtë të energjisë, jo vetëm nga perspektiva mjedisore, por edhe për efikasitetin e kostos, për shkak të subvencioneve të larta dhe humbjeve të fitimit që përjetojnë kompanitë e shërbimeve në rajon.
Është koha që Ballkani Perëndimor të përqafojë teknologjinë, të përkushtohet ndaj strategjive dhe planeve të tij të politikave dhe të përdorë zgjidhjet e tregut për të vënë në rrugën e duhur tranzicionin e tij energjetik – për të mirën e qytetarëve të tij- dhe kështu të qëndrojë në rrugën drejt dekarbonizimit deri në vitin 2050.
Opinionet e shprehura janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.