Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit njoftoi të enjten se kishte nisur për gjykim dosjen ndaj 17 personave të arrestuar për korrupsion në zyrat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Në një njoftim për shtyp SPAK bëri me dije se kishte dërguar për gjykim çështjen ndaj zëvendës drejtorit të Drejtorisë Vendore të ASHK-së Tirana Rurale 2 Panol At Nikolla i akuzuar për “Korrupsion pasiv i funksionarëve publikë” në 6 raste dhe 4 zyrtarë të tjerë të akuzuar për “shpërdorim detyre”.
10 persona janë dërguar për gjykim me akuzat e “korrupsionit aktiv” dhe “ndikimit të paligjshëm” dhe siç del nga njoftimi shërbenin si sekserë dhe ndërmjetës mes zyrtarëve të ASHK-së dhe qytetarëve në “premtimin ose dhënien e përftimeve materiale të parregullta për kryerjen e veprimeve që lidhen me detyrën e nëpunësve publikë”. Ndërkohë dy persona që u hetuan si pjesë e të njëjtit grup do të gjykohen për organizim të “lotarive të paligjshme”
SPAK njoftoi se hetimet ndaj grupit kishin filluar në prill të vitit të kaluar. SPAK njoftoi se veprimtaria e të akuzuarve ishte provuar nga “përgjimet telefonike, të dhënat e nxjerra nga ekzaminimi i aparateve celularë të pandehurve, praktikat e administruara në ASHK dhe akteve të tjera shkresore”.
Bazuar në njoftim të akuzuarit kanë ndikuar në “përshpejtimin e procedurave të marrjes së shërbimeve kadastrale dhe pajisjes së tyre me dokumente pronësie, kundrejt ndërveprimit korruptiv”.