Reforma administrative dhe territoriale e vitit 2015 shënoi krijimin e Bashkisë së Rrogozhinës, në të cilën përfshihet jo vetëm qyteti i Rrogozhinës, por edhe komunat bregdetare Gosë e Kryevidh, me qëllim që aleati i socialistëve në atë kohë, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, ta kishte si bazë.
Kandidati i koalicionit Aleanca për Shqipërinë Europiane, Beqir Nuredini, e fitoi bashkinë me 55% të votave, ndërsa në zgjedhjet e mëvona, elementët vendorë të PDIU-së u bashkuan me Partinë Socialiste, duke kontribuuar në rezultatin e kësaj partie në Qarkun Tiranë, ku bën pjesë edhe Rrogozhina.
Rrjedhimisht, socialistët kanë kontrolluar pushtetin vendor në këtë bashki që nga viti 2015, fillimisht me Nuredinin e më pas me Edison Memollën, i cili u zgjodh në zgjedhjet pa garë të vitit 2019. Memolla, i cili nuk ka një jetëshkrim të publikuar në faqen e bashkisë, garon përballë kandidatit të koalicionit Bashkë Fitojmë, Shkëlqim Hoxha, i cili gjithashtu nuk ka një jetëshkrim të publikuar, por në prezantimin e të cilit, ish-kryeminstri Sali Berisha deklaroi se kishte punuar si zyrtar në qeverinë e tij, pa specifikuar.
Bashkia e Rrogozhinës numëron 33 mijë qytetarë me të drejtë vote, ndërsa në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, numëroi vetëm 11 mijë votues ose 35%, një nga pjesëmarrjet më të ulëta në rang kombëtar. Partia Socialiste arriti të fitojë 52% të votave. Numri i votuesve ka rënë me afro 2 mijë vetë në dekadën e fundit, ndërsa këta votues duket se i kanë humbur që të gjithë opozitës.
Zgjedhjet në të shkuarën kanë qenë të përziera. Në zgjedhjet e vitit 2007, kandidatët e Partisë Socialiste për kryetarë bashkie dhe kryekomunarë patën avantazh, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2011, rezultati ishte në favor të kandidatëve të PD-së.
Bashkia e Rrogozhinës shtrihet në një zonë fushore dhe kodrinore në krahun e djathtë të rrjedhës së Shkumbinit në Shqipërinë qendrore. Rrogozhina u zhvillua si qytezë me një fabrikë për prodhimin e sapunit nga vaji i ullirit dhe mbetjet e vajit si dhe një punishte për pastrimin e pambukut nga farët. Aktualisht, Rrogozhina ka si burim punësimi një institucion penitenciar ndërsa gjatë viteve të fundit ka marrë zhvillim zona bregdetare e Spillesë, në ish-komunën Kryevidh.
Kjo bashki përbëhet nga 5 njësi administrative, të cilat janë: Rrogozhinë, Kryevidh, Sinaballaj, Lekaj dhe Gosë. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Kavajës dhe qarkut të Tiranës. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 36 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu.
Për zgjedhjet për anëtarë të këshillit bashkiak me 21 vende garojnë nëntë parti dhe dy kandidatë të pavarur.