Në shëtitoren kryesore të qytetit të Roskovecit, rreth orës 16:00 të enjten më 4 maj, janë të paktë njerëzit që qarkullojnë. Në të dy anët gjenden njësi shërbimi, administratorët dhe punonjëit e të cilave refuzojnë të bisedojnë rreth zgjedhjeve, megjithëse pas një jave e gjysmë do të duhet të ushtrojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur se kush do drejtojë Bashkinë Roskovec. Në lokalet aty pranë ka më shumë njerëz se në shëtitore.
Ata pak banorë të Bashkisë së Roskovecit që pranojnë të bisedojnë, trajtojnë fillimisht problemet e tyre, për të cilat ankohen se nuk kanë gjetur zgjidhje prej pushtetit vendor. Fushata duket se është jo dhe aq e rëndësishme për ta, pasi kur i ripyet, kthejnë përgjigje lidhur me perceptimin që kanë krijuar apo për programet e kandidatëve, ndërkohë që e shikojnë si një mundësi për të rimarrë premtime për zgjidhjen e halleve.
Po ashtu, edhe pretendimet dhe akuzat e dy kaheve politike për fushatën duket se janë të ndërlidhura me problemet e tyre të përhershme, si dhe me mënyrën e drejtimit të bashkisë. Atmosfera zgjedhore është e vakët, thuajse e padukshme, megjithëse kandidatët e kanë të kursyer kohën për një intervistë, duke argumentuar se kanë takime elektorale të shumta që do të duhet të zhvillojnë me mbështetësit dhe qytetarët.
Kandidatja e Partisë Socialiste, PS për Bashkinë Roskovec, Majlinda Bufi po synon të fitojë një mandat të tretë. Përpara se të merrte drejtim e kësaj bashkie në vitin 2015, ajo ka qenë deputete për PS-në, si dhe zyrtare publike në këtë zonë.
Në këto zgjedhje, Bufi sfidohet nga Erdit Hazizaj, i cili ka punuar si oficer policie përgjatë njëzet viteve të fundit dhe po garon me një platformë antikorrupsion për koalicionin “Bashkë Fitojmë”.
Bashkia e Roskovecit numëron 25 mijë votues, nga të cilët, gjysma duket se janë në emigrim. Bashkia e re përbëhet nga 4 njësi administrative, të cilat janë: Roskovec, Kuman, Kurjan dhe Strum, ku gjenden 14 fshatra dhe një qytet.
Në territorin e Bashkisë Roskovec gjendet dhe vendburimi i naftës i Patos Marinzës, prej nga vilen taksa në vlera të konsiderueshme në favor të kësaj njësie administrative.
Fushata si mundësi për zgjidhjen e halleve
Qemal Sheme, banor i Bashkisë Roskovec ankohet ndaj kryetares aktuale të bashkisë, znj.Majlinda Bufi, duke pretenduar se po i pengon regjistrimin e tokës që e ka fituar sipas ligjit “Për tokën”. Në rrëfimin e tij, ai shfaq dramën me të cilën thotë se është përballur për të siguruar pronësinë e kësaj pasurie, përdorimin që i është bërë në fushatën e mëparshme për zgjedhjet vendore duke dhënë votën në këmbim të premtimin për certifikatën e pronësisë së tokës.. I mbetur pa zgjidhje gjatë këtyre katër viteve, Sheme tashmë shpreson të zgjidhi hallin duke mbështetur me votë kandidatin tjetër, kundrejt të njëjtit premtim.
“Kam votuar majtas. Ja kam dhënë votën, kam imponuar gruan. E kisha të operuar gruan, një ditë ngritur nga shtrati dhe ia kam dhënë votën kryetares së Bashkisë së Roskovecit,” tregon Sheme, ndwrsa shton se kryebashkiakja socialiste i ka premtuar ti zgjidh problemet e pronës në shkëmbim të votës.
Por sipas tij, më vonë situata ka ndryshuar rrjedhë dhe jo vetëm që nuk ka gjetur zgjidhje, por është nxjerrë edhe nga zyra e është diskriminuar për shkak të përkatësisë së tij në komunitetin rom.
“I jam drejtuar disa herë në zyrë. Më nxjerr jashtë, më thotë ‘harixhi’, ‘zezak’. Sa të jem unë në pushtet ti s’merr tokë më thotë. Më thotë mbaje mend ç’ke për të hequr, s’ke parë gjë nga unë thotë”, pohon Sheme dhe shton se ka kryer kallëzim penal për këtë situatë edhe pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.
Megjithëse Sheme shprehet se nuk është i angazhuar me ndonjë parti, këtë herë thotë se do të mbështesë kandidatin e koalicionit “Bashkë fitojmë”, edhe këtë herë kundrejt premtimit për regjistrimin e tokës.
“Për fushatën zgjedhore nuk ja jap votën asaj se më ka mashtruar, më ka çuar dhe policinë. Djali ka program të mirë dhe është me kulturë, me shkollë. Unë nuk merrem me partitë, nuk kam lidhje me asnjë lloj partie. Dua individin që ka programin të mirë dhe më ka mbështetur më ka thënë që do marrësh tokën tënde sipas ligjit 7501. Unë e kam marrë tokën nga ligji 7501, i kam dokumentet e rregullta”, përfundon Sheme.
Kandidatja Bufi pranoi se e njeh situatën e ngritur nga banori Qemal Sheme lidhur me mosregjistrimin e tokës së tij. Ajo tha se qytetari e ka problemin të mbartur dhe se është një situatë që nuk mund të zgjidhet nga bashkia. Sipas Bufit, në rastet kur ka kërkesa zyrtare, bashkia vetëm sa përcjell informacion në ASHK.
Bufi mohoi të kishte fyer apo diskrimunuar qytetarin për shkak të përkatësisë së tij racore. Ajo pretendoi se kishte qenë ai që e kishte fyer disa herë në prani të personave të tjerë. Kandidatja Bufi deklaroi se nëse do të kishte me zë e figurë deklarimin e qytetarit për këtë pretendim, do ta denoconte atë për shpifje.
Një tjetër qytetar i Roskovecit, Behar Xhela i cili thotë se është vendali në Roskovec – ‘denbabaden’, pretendon se i është hequr padrejtësisht ndihma ekonomike. “Më thotë kryetarja e bashkisë që ty nuk të takon ndihma ekonomike. I thashë me jep punë. – Nuk ka. Ndihmën ma hoqi ajo. Më takon me ligj, se s’kam tokë”, pohoi Xhela.
Ai deklaron se gjatë kësaj fushate nuk i është bërë ndonjë premtim dhe as ka tentuar të ndikojë ndaj tij për votën. E vetmja gjë që ai kërkon nga palët që janë në garë për Bashkinë Roskovec është që të bëjnë proces të rregullt zgjedhor.
“Për mua sa më të mira programet aq më mirë është, për popullin. Unë për këto zgjedhje s’kam asgjë. Të jenë zgjedhore, të jenë normale, pa budallalliqe, pa vjedhje, pa probleme”, kërkoi Xhela.
Akuza për presione me polici dhe ‘të fortë’
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Ardit Hazizaj, ngriti gjatë një bashkëbisedimi telefonik disa probleme për fushatën elektorale në Roskovec. Sipas tij, ka përdorim të administratës; investime në kohë fushate në infrastrukurën rrugore, si dhe presion ndaj qytetarëve. Hazizaj pohoi se qytetarëve u thuhet se, nëse do të votojnë dhjathtas, do t’u mohohen shërbimet, si dhe do t’u pengohen procedurat e regjistrimit të pronave. Ai këmbënguli se qytetarët ndihen nën presion.
Veç këtyre shqetësimeve, kreu i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Roskovecin, Emels Xhaxhaj ngre pretendime dhe për presione të ushtruara nga Policia e Shtetit. “Rasti konkret është në biznesin tim, Policia e Shtetit brenda 10 ditëve ka ardhur dy herë për kontroll, që kanë marrë njerëzit atje, i kanë vënë mbas murit, kontrolle, kërkojnë gjëra pa pikën e lidhjes. Thjesht për tu treguar të vetëve që ne jemi këtu, që Policia e Shtetit është me, që Policia e Shtetit na mbështet ne. Mos kini frikë nga kundërshtari. Sepse ne, se kuptojmë me çfarë arme mund të bëjmë ne presion, sepse ne vetëm fjalën kemi”, pohoi Xhaxhaj.
Kandidatja e Partisë Socialiste, Majlinda Bufi e cilësoi si fushatën e parë reale. “Tani është një ndeshje e vërtetë dhe besoj që data 14 është ajo çka unë pres nga qytetarët – vlerësimin e qytetarëve për këto tetë vite punë”, pohoi ajo.
Bufi deklaroi se kur ishte zgjedhur për herë të parë në 2015-ën, e kishte gjetur buxhetin e bashkisë në nivel shumë të ulët dhe sipas saj, tashmë është gati trefishuar.
Ajo theksoi se kishte ndjekur një politikë drejtimi të fortë, duke vendosur rregulla për të gjithë lidhur me pagesën e taksave, pa dalluar nëse shkonte një ‘i fortë’; një person që shkonte me deputetin apo kryetarin e partisë. Bufi pretendoi se ishte krijuar një mentalitet ndryshe tek ata që nuk duan të paguajnë taksat.
Lidhur me akuzat për përdorimin e Policisë së Shtetit për presion, Bufi u shpreh se kjo është pjesë e policisë dhe nuk mund të përgjigjej.
Zëdhënësja e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, Egi Doko e cilësoi këtë pretendim tërësisht të pavërtetë. “Policia e Shtetit është e depolitizuar, e angazhuar dhe e fokusuar maksimalisht për të zbatuar ligjin, për të garantuar rendin dhe sigurinë në mbarëvajtje të gjithë procesit zgjedhor, nuk ka ngjyra partiake”, shkroi ajo nëpërmjet aplikacionit Whatsapp.
Lidhur me akuzat për investime në infrastrukturën rrugore me qëllime elektorale, Bufi u shpreh se këto punime i kryenin çdo vit. Sipas saj, çdo gjë është bërë me planifikim buxhetor dhe nuk kishte asnjë pikë diskutimi apo dyshimi.
“Vazhdon ndodh dhe aktualisht se ka një prokurim, ka një kontratë të lidhur, ka rrugë të përcaktuara me emërtim, që në fillim kur është bërë buxheti. Ajo që unë dua të them është që ne sot jemi në maj. Radha e prokurimeve dhe koha që kërkon një shërbim për t’u realizuar, është i tillë”, pohoi ajo.
Sipas Bufit, KQZ u kishte komunikuar zyrtarisht se ndalimi i investimeve nga legjislacioni ishte vetëm për fushatat e zgjedhjeve të përgjithshme dhe jo për ato vendore.
Ajo e cilësoi të paargumentuar pretendimin e rivalëve se po u ushtrohej presion qytetarëve me mohimin e shërbimeve apo lidhur me pengimin e regjistrimit të pronave.
“Nëse vënë re diçka që mund ta argumentojnë, duhet t’u drejtohen institucioneve për këto gjëra”, tha Bufi dhe theksoi se administratës i kishte kërkuar që të mos merrte pjesë në takime në kuadër të fushatës gjatë orarit të punës.
Në vijim Bufi paraqiti argumentet e saj, lidhur me pretendimin e saj përse e cilësonte këtë fushatë si një ‘luftë’ që nuk kishte lidhje me partitë politike apo me kandidatët.
“Dhe sot në Roskovec, nga ajo që unë ndjej dhe shoh, nuk është lufta mes PD-së dhe PS-së, as lufta midis Majlindës dhe atij kandidatit tjetër. Por sot është lufta midis një grupi të caktuar njerëzish, edhe të fortë, që janë bërë bashkë për të mos qenë, për të mos vazhuar këtë punë dhe për të ndryshuar gjithçka ka ndodhur në Roskovec në drejtim të mënyrës së drejtimit të bashkisë”, deklaroi ajo dhe e pyetur se për çfarë të fortë bëhej fjalë, la të kuptohej se ishin persona të fortë ekonomikisht dhe të botës së krimit.
“Unë shof njerëzit që shoqërojnë kadidatin. Informacionet e mia i kam bërë të ditura edhe në polici sepse janë me precedentë”, shtoi Bufi.
Përfaqëuesi i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Emels Xhaxhaj e cilësoi komplet të pakuptimtë pretendimin e Bufit për përdorimin e ‘të fortëve’ në fushatën e të djathtëve.
“Unë nuk e di ku i shikon ajo të fortët. Sepse gjithmonë Roskovecin e etiketojnë si zonë të nxehtë elektorale dhe është gjithmonë i njëjti person që e bënë, në çdo fushatë që ne kemi kaluar. […]Gjithmonë është ky individ që e etiketon si zonë të nxehtë Roskovecin. Roskoveci nuk ka pasur asnjëherë ndonjë gjë. Incidenti më i vogël nuk ka ndodhur në Roskovec”, pohon Xhaxhaj, ndërkohë që shprehet kundër politikës së ndjekur nga Bufi për taksat.
“Po sigurisht, si mund ta pëlqej unë. Unë kam një biznes të vogël. Po si mund ta pëlqej unë kur kjo kryetare, kur është e parashikuar me ligj, me vendim të këshillit bashkiak që taskat e bashkisë mund të rriten deri në masën 30%, kur kjo me kokën e vetë tani i rrit 50%; 100%; 200%; edhe 400% i ka rritur. […]Dhe kryetarja e shet si sukses të vetin kur u vjel qytetarëve taksat në këtë lloj mënyre dhe abuzon me taksat e tyre”, përfundoi Xhaxhaj.