![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/2023/05/Qyteti-e-Patosit-scaled.jpg)
Tre kandidatët për Bashkinë Patos duket se po zhvillojnë fushatë intensive, megjithëse jo të zhurmshme. Asnjë prej tyre nuk ishte i disponueshëm për të zhvilluar një intervistë, ndërsa në komunikimet telefonike u shprehën se ishin gjatë gjithë kohës duke u takuar me qytetarët e të gjitha zonave të bashkisë, për të mësuar mbi problemet me të cilat hasen, si dhe për t'u prezantuar programet për katër vitet e ardhshme.
Ndërkohë, qyteti i Patosit dukej thuajse i zbrazët pasditen e të premtes më 5 maj. Numëroheshin me gishta të moshuarit që kalonin kohën në sheshin kryesor të qytetit, si dhe kalimtarët ishin të pakët.
Bashkia e Patosit ka gati 35 mijë votues. Kjo njësi vendore përbëhet nga qyteti i Patosit dhe ish-komunat Rruzhdije e Zharrëz.
Dy grupimet e opozitës kanë garuar dy gra për pozicionin e kryetarit të Bashkisë Patos, mjeken Sofije Alushaj për koalicionin “Bashkë Fitojmë” dhe mësuesen Pranvera Rizaj nën siglën e Partisë Demokratike. Ndërkohë, Partia Socialiste, PS garon me Fation Duron. Prej vitit 2015 në krye të Bashkisë Patos është zgjedhur socialistja Rajmonda Balili. Ajo ishte zgjedhur në 2011-ën edhe si kryebashkiake e qytetit të Patosit.
Një pensionit që qëndronte i ulur në një stol në sheshin kryesor të qytetit, e vlerësoi të qetë fushatën zgjedhore.
“Deri tani nuk ka ndonjë problem, ndonjë atakim ndonjë zënie me njëri-tjetrin. Jemi patosarak, e njofim njëri-tjetrin dhe mendoj se në zgjedhje do vemi mirë”, tha ai.
Lidhur me programet e kandidatëve i moshuari nënvizoi se të gjitha palët bëjnë shumë premtime, por shtoi se nuk dihet sa do realizohen.
Një tjetër qytetar e cilëson si ‘fushatë të djallosur', pasi sipas tij, gjithçka është e përqëndruar në dorën e pushtetit dhe gara nuk është e barabartë.
“Çfarë fushate do bëjë pjesa tjetër pa asnjë fond e pa mbështetje? Tërë administrata për pushtetin”, pohoi ai.
Një djalë i ri tha se nuk di gjë fare për fushatën pasi kishte pak ditë që ishte kthyer nga Gjermania dhe do largohej së shpejti.
Edhe kandidatja e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Sofije Alushaj ngriti pretendime për shkelje të ligjit ndaj kandidatit socialist gjatë një komunikimi telefonik. Sipas saj, në funksion të fushatës së Duros është vendosur administrata si dhe po kryhen investime elektorale. Ajo prretendoi gjithashtu se ndaj administratës po ushtrohet trysni.
Kandidati Fation Duro nuk ju përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi pyetjeve për koment lidhur me pretendimet e ngritura nga Alushaj.
Kandidatja e Partisë Demokratike, Pranvera Rizaj komunikoi ndër të tjera nëpërmjet aplikacionit ‘Whatsapp' prioritetet e programit të saj. Rizaj theksoi se nëse do të zgjidhet, do t'i japi frymëmarrje infrastrukturës, punësimit, biznesit, politikave sociale, arsimit, shëndetësisë, sportit e turizmit.
“Programi për Patosin është i realizueshëm dhe çdo gjë do të jetë transparente”, theksoi ajo.