![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/2022/04/spak-16-9.jpeg)
Prokuroria e Posaçme njoftoi të martën më 22 nëntor përfundimin e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të nëpunësit të Agjencisë së Trajtimit të Pronave, Ili Kapetani, me detyrë specialist i shqyrtimit të dosjeve, pasi akuzohet se ka kërkuar dhe marrë ryshfet nga qytetarë të ndryshëm dhe nga trashgimtarë të ish-pronarëve, në këmbim të premtimit për të siguruar kompensimin financiar gjatë trajtimit të kërkesave të tyre për kthimin dhe kompensimin e pronës.
Ndaj Kapetanit rëndon akuza “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Në njoftim thuhet se nga hetimet janë vërtetuar 22 raste të kryerjes së veprimeve korruptive nga ana e Kapetanit. Po ashtu, janë marrë të pandehur edhe 17 persona që janë subjektet të cilët kanë dhënë përfitimet e paligjshme dhe akuzohen për “Korrupsioni aktiv”.