Këto dy javët e fundit, pas njoftimit thuajse zyrtar se Muzeu Historik Kombëtar do të mbyllet për t'u restauruar, ekranet e TV-ve, të kompjuterëve dhe të telefonave të zgjuar u mbushën me reagime të panumërta lidhur me këtë lajm. Agjencitë turistike u ankuan për rezervimet e bëra që më parë dhe se nuk kanë ku t'i çojnë turistët. Cinikët dhe gjithëditunarët e rrjeteve sociale parashtruan propozimet e tyre “të studiuara” dhe torën gjithë teoritë e mundshme për të mirë e për të keqe të historisë sonë kombëtare, kurse në bisedat e studiove televizive u shqyrtua realiteti nëpër të cilin po kalon kultura, varfëria e skajshme kulturore përballëvënë me shifrat disamilionëshe të turistëve, si dhe transparenca e munguar e institucioneve shtetërore.
Teksa m'u duk shumë e largët data e rihapjesë së MHK-së pas 4 vitesh, shkova të vizitoja për herë të fundit muzeun dhe për të parë edhe një herë disa objekte simpatike, të cilat nuk dihet se kur do t'i shoh sërish e në çfarë rikontekstualizimi. Në radhën e biletarisë më kapi veshi, të paktën tri herë, frazën: “Erdhëm t'ju shohim, se ku i dihet”. Përpara meje ishin 2 familje prej 5 anëtarësh secila, e pas meje një tjetër familje. Më pëlqeu ky sensibilizim. Mirëpo, pse tani, pse kaq vonë, pse në çastin e “ku i dihet”? Për t'u vlerësuar sensibilizimi i publikut, por edhe skepticizmi i tyre karshi institucionit (zyrtarisht) më të rëndësishëm që përfaqëson narrativën historike-kombëtare në Shqipëri. (Gjynah që 1 prillin e vitit 2023 nuk u dha një lajm i mbylljes së MHK-së, do të kishte qenë promocion i goditur.)
Kujtimi i parë që ruaj nga ky muze, të cilin duhet ta kem vizituar aty nga mesi i viteve '80, është maketi i kalasë së Beratit që ndodhet në fillim të sektorit të Mesjetës në katin +1 të MHK-së. Kujtoj (ose më duket sikur kujtoj) se kam qëndruar gjatë para mureve të bardhë të Qytetit të Bardhë, derisa dikush më prishi magjepsjen e më tërhoqi prej krahu. Kur kam vizituar muzeun sërish në moshë të rritur, jam habitur nga kjo zgjedhje e fëmijërisë: pse atë maket, e pse jo ndonjë objekt origjinal, mes morisë së tyre? Ende nuk ia kam gjetur përgjigjen. Ndoshta një mall i pandërgjegjshëm për lojërat me kubat Lego, të papërfytyrueshme për fëmijët e Shqipërisë socialiste. Ndërkaq, tek ai maket jo i rremë, por as objekt origjinal, fillon dhe përvoja ime personale me MHK-në: rrejshmëria e tij.
Gjatë këtyre 15-20 viteve të fundit më ka mjaftuar çfarëdo preteksti për të vizituar gjithë katet e muzeut, veç arsyeve profesionale: miq që kërkojnë shoqëri, vizitorë të huaj, apo vizita thjesht “se më ra rruga”. Dhe ndër vite, gjatë këtyre vizitave, kam kuptuar një element të paçmuar që sot nuk po e shoh të përmendur: Muzeu Historik Kombëtar është shembulli ideal që ilustron se si nuk duhet të ndërtohet një muze. Nëse do të ekzistonte mundësia, duhej të ruhej e të konservohej në gjendjen aktuale, në mënyrë që jo vetëm turistët, por vendësit në radhë të parë, të shohin e të mësojnë se si instrumentalizohet arkeologjia, historia, historia e artit, fotografia, artefaktet e gjithçka tjetër që përdoret për të ndërtuar narrativën muzeale, si keqinformohet vizitori, si transmetohet ndër breza historiografia e angazhuar politikisht, si përdoret me arrogancë e ashtuquajtura “kauzë kombëtare” në dobi të pushtetit.
Ndërkaq, kjo narrativë nuk del nga hiçi, por u përgjigjet mendjeve të pushtetit shtetëror, akademik dhe administrativ, qendror e lokal, për të ndërtuar përfytyrime të caktuara. Historia e këtij muzeu flet qartë për këtë. Muzeu Historik Kombëtar erdhi si rrjedhojë e nevojave kulturore, por mbi të gjitha ideologjike, të viteve '70. Pas rinovimit dhe riorganizimit të Muzeut Arkeologjik-Etnografik më 1976 (themeluar më 7 nëntor 1948), duke u ndarë në Muze Arkeologjik Kombëtar dhe në Ekspozitë të Kulturës Popullore, ndërtimi i një muzeu kombëtar që argumentonte gjithë historinë e shqiptarëve, atë të qenë dhe të paqenë, të faktuar dhe të hamendësuar apo / dhe të rishpikur, duket se ishte zhvillim i natyrshëm i kohës. Sipas historianit të muzeve, Stilian Adhamit (Muzeologjia shqiptare, Tiranë 2001, fq. 53), MHK-ja shënjonte, ndër të tjera, dhe kulmin e arritjeve muzeologjike të kohës. Ndërkaq, ndërtimin e MHK-së duhet ta kuptojmë dhe si një nga rrjedhojat e një fushate të gjatë muzeifikimi të historisë së Shqipërisë, e cila fillon më 10 korrik 1959 me Vendimin e KQ të PPSH “Mbi traditat patriotike-revolucionare të popullit tonë dhe masat për njohjen e zhvillimin e tyre të mëtejshëm” (shih: Dokumente kryesore të PPSH – Vëllimi III (1957 – 1961), NISH. “Mihal Duri”, Stabilimenti “8 nëntori”, Tiranë, 1970), vendim i cili shërben si citim bazik në çdo botim të kohës që synonte masivizimin e informacionit historik, arkeologjik e gjuhësor.
Pyes: a është shfuqizuar ky vendim i KQ të PPSH? Po e lë pyetjen, për të shpjeguar disa prej arsyeve që e provokojnë.
Vëmendja e shqiptarëve u kthye seriozisht nga MHK-ja kur, me ndryshimin e sistemeve, yjet në mozaikun e fasadës qëndronin mbi Sheshin “Skënderbej”, ku, tashmë, shtatorja e diktatorit kishte lënë një piedestal bosh e ca copa bronzi. Pas vendimeve përkatëse, mozaiku u modifikua, duke hequr yllin në flamur, yllin pas vajzës me xhubletë dhe në kapelën e partizanit, dhe duke modifikuar librin me mbishkrimin “Enver Hoxha” në supin e punëtorit. Kujtesa kolektive qëlloi të mos ishte më e thellë se lustra e mozaikut, teksa para një viti, pas restaurimit të disatë rifilloi kënga “Ku ylli, pse xhaketa? / Pse pushka? Po helmeta?”
Pak herë kam vënë re se ka pasur reagime kaq të forta për atë që është më e rëndësishmja e asaj ndërtese: ekspozitat që mban brenda. Sepse, kur më 1993 diskutohej ylli në fasadë, mbetën plot yje e kallëza të grurit socialist nëpër frizet që qarkojnë muzeun, por edhe plot yje e citate të diktatorit në brendi të tij. Që më 1991 ishte mbyllur Pavijoni i Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, plot me yje dhe diktatorë edhe ai, por larg syve të publikut (për t'u rihapur “i rishikuar” më 2004). Teksa ky pavijon qëndronte mbyllur, poshtë tij u çel Pavijoni i Terrorit Komunist, i cili argumenton përmes dokumenteve, fotografive, filmimeve, objekteve terrorin komunist në Shqipëri, ekzekutuar përmes përndjekjes, internimeve, burgimeve dhe vrasjeve me dhe pa gjyq, dhe këtë e bën me një stil dizajni butaforik.
Në katin +2 u vendos Pavijoni i Ikonave, tematikë e munguar e këtij muzeu, ku ekspozohet një pjesë e trashëgimisë pas-bizantine që ruhet në fondet e MHK-së. Aty pranë u rikonceptua pavijoni i periudhës 1912-1939, u shtua një ekspozitë e përhershme kushtuar familjes mbretërore dhe, kundruall fotografive buzëqeshur të mbretit Zog I qëndron imzot Fan S. Noli, që me dorën në qëndrim bekimi sapo ka shkëputur sytë nga publiku, si për të hetuar a e ka më oboen e tij famëmadhe. Mes Nolit dhe Mbretit qëndron, si figurë paqtuese, Tefta Koçoja, me bardhësinë e mermertë dhe elegancën e jelekut që e shoqëronte në skenë.
Këndi i Nënë Terezës, përpara se kjo të shpallej shenjtore, ndodhet një kat më poshtë. Piktogramet e shpellës së Lepenicës, të riprodhuara në një imitim pllake guri, janë shtuar pranë palafiteve të Maliqit (kurse shpella origjinale është hedhur në erë, mirëpo për shkatërrimin nuk ka vend në narrativën etnocentrike). Etj., etj….
Kushdo që ka lexuar pakëz histori dhe arkeologji me kureshtjen e lexuesit të përkorë apo prej detyrave profesionale, ka parë dhe nuk mund të mohojë ato që janë minimalisht gabime të argumentimit muzeal, e maksimalisht falsitete dhe / apo gënjeshtra ideologjike dhe doktrinare: shpella e Trenit, ndërtuar si maket, flet më shumë për legjendën kombëtariste të shqiptarit që banon maleve dhe i reziston pushtuesit, si dhe për luftën guerile të partizanëve, ose qëndron si dekor pa ndonjë funksion argumentues; diku mes periudhës së eneolitit dhe bakrit qëndron një tabelëzë që rreket të argumentojë ekzistencën fantastike të pellazgëve të përmendur prej Homerit dhe autorëve klasikë grekë, duke folklorizuar karakterin arkeologjik që ka ai sektor i MHK-së; dorës që ka vendosur tabelën “pellazge” nuk i kanë bërë përshtypje, ndërkaq, qeramika e stoli të vendosura në periudha të gabuara (për të plotësuar vendet bosh?); skulptura e qeramika të emërtuara “prodhim vendas”, teksa Korinthi përmendet vetëm në rastet e kapiteleve të stilit korinthik, të cilat s'i shmangim dot; më tej Dionisi paraqitet i pagëzuar “Hyji ilir i pjellorisë”, kurse hyjnia e lumit Nil është pagëzuar “Personifikim i lumit Vjosa”. Fakti që imazhi i paraqitur është një burrë me mjekër deri në brez nuk ka shqetësuar kënd për të kundruar Vjosën nëpër krelat e mjekrës. Më tutje kemi një Bato kryengritës me shtat prej atleti (vepër monumentale bashkëkohore), por me mburojë maqedonase dhe shpatë romake (ka shpëtuar pa ndonjë plis kombëtar apo ndonjë “chapeau albanais”). Fibulat mesjetare i hasim dy herë, një herë në epokën e hekurit, dhe një herë në mesjetë mes objekteve të gjetura në Koman, kurse fragmentet e mermerta të tempujve të krishtera (panele ikonostasi prej guri, kolona, arkitrarë apo fragmente pagëzimoresh) i kemi të etiketuara si “arkitekturë iliro-arbërore”.
Periudha e Mesjetës paraqitet më e varfra dhe më e keqargumentuara se të gjitha: ato pak objekte origjinale interpretohen jashtë kontekstit, kurse narrativa është mbushur me riprodhime të mrekullueshme për vitin 1981, por krejt të shëmtuara dhe dezinformuese sot. Imazhi i parabolës së punëtorëve të vreshtit (Ungjilli sipas Mateut, 20:1-16) marrë nga një kodik bizantin i ilustruar, që daton në shek. XI dhe ndodhet në Bibliotekën Kombëtare të Francës (BnF, cod. Gr. 74), paraqitet si argument i punëve bujqësore të fshatarëve arbër në mesjetë. Miniatura e mrekullueshme vjen si një imitim i vobektë bardhezi, dhe atypari, po me të njëjtën cilësi, shohim lista të pafundme artikujsh të blerë a shitur në tregjet venedikase, argumentuar si “marrëdhëniet e arbërve me Venedikun”. Gjurmë referencash nuk ka kund.
Teksa më tutje i afrohemi epokës së Skënderbeut, bashkë me Tanush Topinë dhe Moisi Golemin, nxjerrë nga gravura të botimeve evropiane, kemi dhe një Vrana Konti të marrë nga skenat e filmit të mirënjohur “Skënderbeu”. Kurse përpara murales masive me titull “Bashkimi i principatave shqiptare” (1981) nga Fatmir Haxhiu qëndron busti i Papa Klementit XI (Albanit), vendosur më 2023 si dhuratë e shoqatës që mban emrin e papës.
Një kat më sipër shtrihet fabula e rënduar nacionaliste, tjerrë në kufijtë e fantastikes dhe e përkthyer keq anglisht në legjendat ngjitur në muret e Pavijonit të Lidhjes së Prizrenit, i cili përfundon me fotografitë e 28 nëntorit 1913 që ende datohen rrejshëm si të 1912-ës.
Matanë këtyre problemeve metodologjike, mbetet një pyetje praktike: a do të ruhen gjithë këto “lajthitje ideologjike” të shtresëzuara në kohë? Ekspozitat dhe botimet e viteve të fundit rreth përndjekjes dhe luftës së klasave pas LIIB, mes tyre intelektualë dhe shkencëtarë, kanë sjellë burime që duhen artikuluar dhe interpretuar. Do të ketë muzeu i restauruar një hapësirë për të treguar trysninë e ideologjisë së PPSh mbi shkencëtarët, intelektualët, arkitektët dhe artistët që punuan për MHK-në, apo pasojat e ideologjisë të “njeriut të ri” mbi shqiptarin e pas viteve nëntëdhjetë? Nëse Muzeu i Përgjimeve (Shtëpia e Gjetheve) trajton aparatin e Sigurimit të Shtetit dhe funksionimin e tij, MHK-ja na dëften pasojat e gjithë aparatit shtypës të Shqipërisë Socialiste dhe suksesin për të krijuar “njeriun e ri socialist”.
Për të gjitha këto arsye, përfshirë mungesën e transparencës institucionale për rinovimin e muzeut, pyesim: Çfarë planifikohet të ndodhë dhe kush do t'i bëjë ndryshimet? Teksa muzeu mbyllet, çfarë tjetër mbyllet me këtë muze, dhe si do të ruhet shtresëzimi i sotshëm i ideologjive mes vitit 1981 dhe 2024? Cila narrativë do të përçohet mes disiplinave të historisë, arkeologjisë, etnografisë, folklorit dhe antropologjisë do të merret në konsideratë? Pavarësisht përmasës ideologjike që kanë pikturat masive murale të MHK-së, ato janë vepra origjinale me titull dhe autor. Çfarë do të ndodhë me to dhe me skulpturën monumentale të Batos, që përmenda më sipër? Në Pavijonin e Luftës paraqitet fragmenti i lagjes ku ka qenë ndodhur Shtëpia e Partisë, e cila sot nuk ekziston, mirëpo soditësit të sotshëm ai maket i dëften humbjen e një Tirane karakteristike të shek. XX, teksa prapa dritareve të atij pavijoni lartohet një Tiranë amorfe dhe çnjerëzore. Çfarë do të ndodhë me të, apo dhe me maketin e kalasë së Beratit?
Duke marrë shkas nga valët pseudo-patriotike të viteve të fundit, sipas të cilave gjithçka brenda 28.000 km2 të Republikës së Shqipërisë është shqiptaro-arbërore-iliro-pellazge, cilët profesionistë do të rikonceptojnë narrativën e muzeut? Do të bazohen mbi tekstin doktrinar të Historisë së Shqipërisë, botuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, apo do të kemi një qëndrim kritik të historisë, përmes mjeteve muzeologjike? Çfarë vendi do të ketë Kosova dhe shqiptarët e trojeve jashtë RSH-së dhe, më tej, diaspora? A jemi gati për të ndërtuar një muze të ri, të çliruar nga hijet ideologjike të së shkuarës që vijojnë të kenë pushtet në të tashmen?
Besoj çdo individ i arsyeshëm është dakord se muzeun duhet ta ndryshojmë, mirëpo, a jemi gati të ndryshojmë mendje?