Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të hënën më 1 prill sekuestrimin e pasurive të tjera në funksion të një hetimi të vitit 2023 ndaj Gëzim Çelës nga Fushë Kuqe, të akuzuar për rtafik droge dhe grup të strukturuar kriminal, i quajtur dhe si “Baroni i Drogës”; anëtarëve të tjerë të këtij grupi; si dhe dhe të pasurive në emër të personave të lidhur me ta.
Sipas prokurorisë, gjykata ka pranuar kërkesën për sekuestron e një njësie tregtare me sipërfaqe 237 m2 me çmim shitje 321 mijë euro të porositur në 2008-ën; të dy apartamenteve po në kryeqytet për çmimin total 82 mijë euro; një llogari bankare me vlerën 4.5 milionë lekë dhe 57 mijë euro; një subjekt me gjithë asetet e paluajtshme e të luajtshme; si dhe 11 automjete.
Në tetor të vitit të kaluar, u sekuestruan me kërkesë të SPAK të tjera pasuri. Atëherë u sekuestruan shoqëria “Royal Blue” Sh.p.k, e themeluar më datë 26 Tetor 2022 me administratore dhe ortake të vetme me 100% të kuotave shtetasen M.Th. me objekt aktiviteti një Bar Restorant në Laç; katër gomone; katër automjete; si dhe shuma monetare.
Sekuestrimi pasurive u krye menjëherë pas ndalimit më 9 tetor 2023 të ish-shefit të Komisariatit të Laçit, Dritan Metaj, i akuzuar si pjesëtar i këtij grupi me aktivitet kryesor trafikun e drogës.
Hetimi i SPAK filloi në fund të muajit mars, kur i dyshuari Armando Papa u arrestua në flagrancë me një sasi prej rreth 41.6 kilogramë heroinë. Në vijim të këtij procedimi janë siguruar informacione se nga pjesëtarët e këtij grupi, me datë 14 Gusht 2023, do trafikohej një sasi e konsiderueshme lënde narkotike e llojit cannabis sativa nga vendi i quajtur Patok-Kurbin me mjete lundruese dhe se do të shkëmbehej në det me kokainë që do të transportohej me një mjet tjetër lundrues i cili drejtohej nga shtetas të huaj. Droga më pas do të trafikohej.
Gjatë operacionit në muajin gusht të koduar me emrin “Flakë në det”, u ndaluan katër shtetas shqiptarë dhe dy ukrahinas, të cilët pasi dogjën një mjet lundrues të llojit velierë, tentuan të largohen me një barkë të vogël shpëtimi.
Pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar, Gëzim Çela u ndalua në Kosovë dhe u ekstradua në Shqipëri rreth tre javë më parë.