![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/2024/05/Harvard_Free_Palestine_Camp_25.jpg)
Muajin e kaluar, kryeministri izraelit Binyamin Netanyahu dënoi protestat në kampuset amerikane kundër sulmeve të vendit të tij në Gazë, duke thënë se ato “të kujtojnë atë që ndodhi në universitetet gjermane në vitet 1930”. Ai, me sa duket, po i krahasonte protestuesit me grupet studentore naziste që rrahën studentët dhe pedagogët hebrenj.
Ky krahasim e zbeh tmerrin e nazizmit duke anashkaluar shkallën e dhunës që studentët nazistë ushtruan ndaj kujtdo që ishte hebre dhe qëllimin e tyre të qartë racist për të spastruar universitetet nga të gjithë studentët dhe profesorët hebrenj. Ata e arritën këtë qëllim pasi nazistët erdhën në pushtet dhe tani mund të shohim se ai ishte një hap drejt objektivit të tyre përfundimtar: një botë pa hebrenj.
Unë e di se si ishte antisemitizmi nazist në vitet 1930. Prindërit e mi, hebrenj vjenezë, u bënë refugjatë. Gjyshërit e mi nuk u larguan në kohë dhe tre prej tyre u vranë në Holokaust. Kur isha i vogël, babai im zgjohej herët të dielën në mëngjes dhe nxirrte foto të familjes së tij të madhe dhe qante për humbjen jo vetëm të prindërve, por edhe të hallave, xhaxhallarëve dhe kushërinjve të tij.
Historia e familjes sime më çoi, kur isha në universitet, të studioja ngritjen e fashizmit dhe antisemitizmit në Evropë në vitet 1930. Lexova disa nga burimet kryesore, si gazetën antisemite Der Stürmer (The Stormtrooper), dhe megjithëse përfundimisht iu dedikova filozoficë dhe jo historisë, urrejtja e brendshme ndaj hebrenjve që vinte përmes këtyre shkrimeve më la një përshtypje të madhe.
Pa dyshim, disa antisemitë i kanë përdorur protestat e sotme studentore si mbulesë për nxitjen e urrejtjes ndaj cilitdo hebre, pavarësisht nga pikëpamjet e tyre për atë që po ndodh në Gazë. Por të karakterizosh protestat në përgjithësi si të krahasueshme me antisemitizmin nazist, kjo është groteske.
Netanyahu bën pjesë në një radhë të gjatë mbrojtësish të Izraelit që kërkojnë t'i cilësojnë kritikët si antisemitë. Tani Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së – ndoshta pa dashje – ka dhënë mbështetjen e saj për të mjegulluar dallimin thelbësor midis antisemitizmit dhe kundërshtimit ndaj Izraelit. Me një votim 320-91, Dhoma miratoi një rezolutë që kombinon një dënim të antisemitizmit me klauzolën që Departamenti Amerikan i Arsimit duhet të përdorë përkufizimin e antisemitizmit të zhvilluar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit, IHRA.
Mënyra se si IHRA e përkufizon fillimisht antisemitizmin është e thjeshtë dhe e pakundërshtueshme: “Antisemitizmi është një perceptim i caktuar i hebrenjve, i cili mund të shprehet si urrejtje ndaj hebrenjve.” Problemi është se ky përkufizim pasohet nga shembuj të antisemitizmit, njëri prej të cilëve është: “Mohimi i popullit hebre i të drejtës së tij për vetëvendosje, p.sh., duke pretenduar ekzistencën e një Shteti të Izraelit është një përpjekje raciste”.
Në vitin 1896, kur Theodor Herzl botoi “The Jeëish State”, një pamflet që konsiderohet gjerësisht si teksti themelues i Sionizmit, kishte shumë pak hebrenj që jetonin në atë që tani është Izraeli. Hebrenjtë kudo ndienin një lidhje historike me Izraelin e Biblës Hebraike dhe çdo vit, në Pashkë, ata thoshin: “Vitin tjetër në Jerusalem”. Por ky ishte një ritual, jo shprehje e dëshirës për t'u transferuar atje. Për prindërit e mi, në vitet para se nazistët të vinin në pushtet, ideja që të lije Vjenën e zhurmshme, të sofistikuar, multikulturore për Palestinën ishte qesharake.
Lëvizja e hershme sioniste popullarizoi sloganin: “Një tokë pa popull për një popull pa tokë”. Ishte e vërtetë që hebrenjtë në atë kohë ishin një pakicë kudo, kështu që nuk kishte tokë, apo vend, që të ishte kryesisht hebre. Por nuk ishte padyshim as e vërtetë që Palestina ishte pa popull.
Nëse pohojmë se hebrenjtë, ose romët, ose çdo popull tjetër që është kudo një pakicë kanë të drejtën e vetëvendosjes, ne duhet të pranojmë me siguri se çdo e drejtë e tillë duhet të kufizohet nga të drejtat e të tjerëve për të përcaktuar llojin e shtetit që do të qeverisë tokën në të cilën ata jetojnë. Për ato grupe që janë kudo pakicë, kjo mund të nënkuptojë se nuk ka vend në të cilin ata mund të ushtrojnë një të drejtë kombëtare ose kolektive për vetëvendosje.
Po në lidhje me pretendimin se shteti i Izraelit është një përpjekje raciste? Ligji i Rikthimit i Izraelit më jep të drejtën të bëhem qytetar i Izraelit, edhe pse jam ateist, nuk kam respektuar kurrë ligjet fetare hebraike, nuk kam mësuar hebraisht ose nuk kam pasur një bar mitzvah. Por fakti që gjyshja ime nga nëna ishte hebreje, më mjafton që të kem të drejtën të “rikthehem” në Izrael. Kjo i ngjan shumë një kriteri racist për të vendosur se kush ka të drejtë të bëhet shtetas i Izraelit.
Në vitin 2010, si pjesë e një grupi hebrenjsh australianë, hoqa dorë publikisht nga e drejta ime për t'u rikthyer. Ne e bëmë këtë sepse nuk besojmë se duhet ta kemi këtë të drejtë kur palestinezët që mund të dokumentojnë se paraardhësit e tyre kishin shtëpi në atë që është Izraeli i sotëm, dhe të paktën disa prej paraardhësve të të cilëve u dëbuan nga veprimet armiqësore ushtarake ose paraushtarake çifute, nuk e bëjnë këtë.
Pavarësisht kundërshtimeve të mia ndaj përkufizimit të IHRA-s, e pranoj se ai përfshin deklaratën e rëndësishme se “kritika ndaj Izraelit e ngjashme me atë që bëhet ndaj çdo vendi tjetër nuk mund të konsiderohet si antisemitike”. Kjo është e mjaftueshme për të treguar se Netanyahu e ka gabim kur e përshkruan atë që po ndodh në kampuset e SHBA-së si antisemitizëm.
Kritika të forta do të bëheshin kundër çdo vendi që do ta nënshtronte një popullsi civile ndaj bombardimeve të gjera që Izraeli ka nisur kundër Gazës, edhe nëse vendi do t'i përgjigjej sulmeve të tmerrshme si ato të kryera nga Hamasi më 7 tetor 2023. Kjo është arsyeja pse protestat e sotme, marrë në tërësi, nuk mund të etiketohet antisemitike.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. When Is Criticism of Israel Anti-Semitic?