![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/2024/05/IMG_7815-scaled.jpg)
Prokurori i Tiranës, Afrim Shehu u konfirmua në detyrë të mërkurën nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK.
Shehu, i cili iu nënshtrua një seance dëgjimore disa ditë më parë u përball me pyetje për bilanc negativ në vlerë të madhe, të konstatuar para dhe pas fillimit të detyrës. Subjekti dha gjithashtu shpjegime për disa nga denoncimet e depozituara nga qytetarët.
Procesi i rivlerësimit për prokurorin Shehu u krye nga trupa e KPK-së, e kryesuar nga Xhensila Pine, me relatore Alma Faskaj dhe anëtare Pamela Qirkon. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.
Afrim Shehu ka punuar si oficer i Policisë Gjyqësore dhe si avokat përpara se të emërohej prokuror i Republikës së Shqipërisë në vitin 2009. Për gati një dekadë ai punoi si prokuror pranë Prokurorisë së Durrësit, ndërsa në qershor të vitit 2023 u transferua në Prokurorinë e Tiranës përmes procedurës së lëvizjes paralele.