Gjykata e Fierit caktoi të premten masën e sigurisë arrest me burg për Azgan Mernica, i akuzuar se vrau efektivin e “Shqiponjave” Novruz Cenaliaj disa ditë më parë në një fshat të Fierit. Mermica që u vetëdorëzua pas disa ditësh kërkimi nga policia, ka pranuar krimin dhe pretendon se ai ndodhi pas një konflikti të çastit.
I akuzuari për vrasje u shoqërua në gjykatë nën masa të rrepta sigurie, ai ishte veshur me jelek antiplumb. Prokuroria ka ngritur ndaj tij akuzën e “Vrasjes së punonjësve të Policisë së Shtetit” dhe armembajtjes pa leje.
Gjyqtarja Dajana Ndreja pranoi kërkesën e prokurorisë për caktimin si masë sigurie ndaj 23 vjeçarit, atë të të arrestit me burg pa afat ndërsa vlerësoi të ligjshëm arrestimin e tij. Prokurori i çështjes Denis Hyka paraqiti në kërkesën për masën e sigurisë edhe akuzat që ka ngritur ndaj Mernicës.
Ky i fundit nuk foli në seancë, përveçse kur u pyet për emrin dhe të dhënat e tij. Më herët në komisariatin e Fierit i pyetur se pse e vrau efektivin e policisë, Mernica tha se ishin zënë dhe sharë teksa u këmbyen me makinë në rrugën e fahatit Baltëz.
Efektivi i policisë Novruz Cenaliaj, 28 vjeç, po shkonte në punë me makinë e tij më 13 maj, kur u përball me 23 vjeçarin Mernica. Konflikti sipas rrëfimit të Mernicës nisi pasi efektivi i policisë e kritikoi për shpejtësinë më të cilën po udhëtonte në një rrugë fshati. Pasi shkëmbyen fjalë Mernica qëlloi ndaj Cenaliajt duke e vrarë. Kamerat e sigurisë së një lokali në atë pjesë të rrugës filmuan gjithë ngjarjen.