Tavani i një galerie të nxjerrjes së kromit është shembur mesditën e të martës, duke vrarë minatorin 29-vjeçar Armand Peshku dhe plagosur rëndë kolegun e tij Hajdar Bala, 40 vjeç.
Policia njoftoi se ngjarja ndodhi në një nga galeritë private të nxjerrjes së kromit në zonën e Theknës të Martaneshit. Sipas policisë ngjarja ndodhi në kohën që në galeri po punonin dy minatorët vagonistë të cilët ishin duke nxjerrë mineralin nga galeria. “Në kohën që në galeri po punonin dy minatorët vagonistë për evadimin e mineralit nga galeria, nga tavani i saj është shkëputur një masiv gurësh, duke zënë poshtë dy vagonistët”, bëri me dije policia.
Si pasojë e plagëve të marra, Armand Peshku 29 vjeçar ndërroi jetë. Kolegu i tij Hajdar Bala 40 vjeç, sipas Policisë Dibër, është dërguar me helikopter drejt Spitalit të Traumës Tiranë.
Policia Dibër bëri me dije se është ngritur grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës se Përgjithshme të Juridiksionit Dibër dhe po punohet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit. Policia bëri me dije edhe se ka shoqëruar personat përgjegjës të kësaj galerie kromi. Sipas policisë galeria menaxhohej nga kompania “Ylberi shpk”. Përfaqësues të kësaj të fundit nuk qenë të arritshëm për koment.
Aksidentet në miniera, janë pas atyre në ndërtim arsye kryesore e vdekjes apo plagosjes së punëtorëve në Shqipëri.