![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/2024/05/PHOTO-2024-05-22-10-55-07.jpg)
Teksa zgjedhjet e vitit 2025 po afrojnë, Struktura e Posaçme Antikorrupsion kërkon t’i paraprijë çdo problematike që mund të ketë ky proces.
Kreu i SPAK, Altin Dumani, teksa ishte duke raportuar para deputetëve tek Komisioni i Ligjeve për raportin vjetor të punës në institucionin që drejton, tregoi se po punon për një strategji se si t’u bëhet ballë krimeve zgjedhore.
“Ne kemi nisur përgatitjet dhe në muajin janar do bëjmë prezent publike strategjinë që do ndërtojmë hetimin e veprave penale të vitit 2025,” tha Dumani.
“Kemi nisur punën që tani për t’i dalë përpara punës”, pohoi Dumani, gjatë seancës pyetje-përgjigje me ligjvënësit.
Krimet zgjedhore kanë qenë një prej problematikave më të denoncuara nga opozita në zgjedhje dhe ndaj SPAK ka pasur akuza për mosveprim.
Dumani deklaroi se puna e deritanishme e SPAK ka qenë efektive, pasi në vitin 2023 ka pasur një trefishim të çështjeve të hetuara.
“Edhe për krimet zgjedhore të hetuara gjatë vitit 2023 prapë ka numër në rritje,” tha ai.
“Është rritur numri i krimeve zgjedhore, është trefishuar numri i krimeve zgjedhore që janë hetuar gjatë vitit 2023”, shtoi Dumani.
Sa i përket krimeve zgjedhore përgjatë vitit 2023, duke iu referuar statistikave nga SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme ka pasur 73 kallëzime gjatë periudhës zgjedhore, referime si nga partitë politike dhe nga qytetarët.
Sipas Prokurorisë së Përgjithshme në prokuroritë e rretheve gjyqësore janë depozituar 31 kallëzime për krime zgjedhore në periudhën elektorale, ku 9 prej tyre janë bërë nga subjekte politike, ndërsa 21 të tjerë janë referime nga policia.
Nga ana tjetër SPAK regjistroi 42 kallëzime për krime zgjedhore në këtë periudhës, 21 nga të cilët të bëra nga subjekte politike, 2 kallëzime qytetarësh, 11 referime nga policia dhe 8 referime nga prokuroritë e rretheve.