![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/2024/05/Artur-Metani-.jpg)
Ndreca, i cili iu bashkua grupit socialist në janar të këtij viti, rezervoi kritika të ashpra për punën e Metanit dhe zyrës që ai drejton dhe u përfshi në debat me të.
“Ajo që unë konstatoj është se nga një institucion që është ngritur nga Kushtetuta për të shqyrtuar ankesat dhe për të verifikuar qëllimet e këtyre ankesave, është kthyer në një intitucion që nuk shqyrton ankesa,” e nisi Ndreca relatimin, duke iu referuar shifrave të ofruara në raportin e ILD-së.
Sipas Ndrecës, vetëm 0.7 përqind e kërkesave janë futur në procedim dispilinor dhe Kuvendi nuk di pse janë pushuar kërkesat e tjera.
Deputeti përdori disa herë termin “me keqardhje” në konstatimet e tij për punën e ILD-së duke e cilësuar raportimin e tij “jothelbësor” për problematikat e sistemit të drejtësisë dhe jashtë rolit që duhej të kishte ky institucion në sistem.
“Më vjen shumë keq, por ndajmë mentalitete të ndryshme,” iu drejtua ai Metanit, duke shtuar se ai po fliste për “grindën, vullnetin dhe kapacitetin e ILD për t’i bërë një skaner sistemit të drejtësisë pas 4 vitesh në funksion”. Por, tha ai, “në vend të diskutojmë për produktin ne flasim akoma për mungesa kapacitetesh njerëzore, mungesa, pra jemi në pikën 1”.
Duke përdorur krahasime me punën e Prokurorisë së Posaçme, Ndreca theksoi se ILD duhej të ishte “SPAK-u” i sistemit të drejtësisë.
Kritikat e Ndrecës u pasuan dhe nga deputetë të tjerë socialistë, por në përgjigje ndaj tyre Metani u përpoq t’u shpjegonte rolin kushtetues dhe kuadrin ligjor në të cilin funksionte puna e tij, duke i adresuar shumicën e shqetësimeve të tyre si jashtë kompetencave ligjore.
“Unë nuk jam ‘SPAK-u’ dhe nuk do të bëhem asnjëherë ‘SPAK-u’ i gjyqtarëve dhe prokurorëve,” iu drejtua ai Ndrecës, duke shtuar se ILD performon me standarde, të cilat janë caktuar nga këshillat drejtues dhe Kolegji i Posaçem i Apelimit.
Metani i tha Ndrecës se flisnin në dy filozofi të ndryshme dhe se lajtmotivi i reformës në drejtësi ishte pavarësia e gjyqtarëve e prokurorëve dhe jo krijimi i frymës së “shantazhit” apo “presionit” ndaj tyre.
“Që do të thotë se problematikat që ka sistemi i zgjidh vetë sistemi dhe kontrolli i jashtëm që bën ILD është i përcaktuar qartë me ligj,” theksoi ai.
Edhe deputetë të opozitës konstatuan se sistemi i drejtësisë ka problematika me vonesat e gjykimit të çështjeve dhe kërkuan një ndikim më të madh të ILD në këtë drejtim.
Deputeti Asllan Dogjani tha se “ka akoma perceptim në publik se paguhet për të dhënë drejtësi”, duke i kërkuar ILD-së që të “ushtrojë presionin pozitiv nëpëmjet kontrolleve në sistem”.
Por deputetja Ermonela Felaj mbajti një qëndrim të ndryshëm nga kolegët duke ia adresuar problematikën sfidës së zbatimit të reformës në drejtësi dhe jo mosfunksionimit të institicionit të Inspektorit të Lartë.
Ajo u tërhoqi vëmendjen kolegëve deputetë se “nuk mund të themi që puna e x institucioni është e suksesshme dhe të metat në punën e tij t’i faturohen pastaj Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”.
“Ka një kontraditë mes kompetencave që ne i kemi dhënë me ligj Inspektorit me atë që ne pretendojmë që ai të bëjë,” shtoi ajo.
Në raportimin e tij Metani vuri në dukje shqetësimin për mungesën 10 inspektorëve nga 20 inspektorë që ka në organikë ILD dhe tha se pavarësisht thirrjeve, interesi ka qenë i ulët, duke sugjeruar ndryshime ligjore që do të mundësojnë zgjidhjen e këtij problemi.