Gjykata argumentoi se nuk kishte emergjencë për ta pezulluar zbatimin e tij, ndërsa njoftoi se shumë shpejt do të ketë një vendim tjetër që do përcaktojë nëse do të shfuqizohen apo do të lihen në fuqi ndryshimet ligjore të bëra nga mazhoranca.
Në seancën gjyqësore përfaqësuesit ligjorë të opozitës argumentuan se ndryshimet e bëra nga PS ishin anti-kushtetuese dhe po bëheshin shkak për bllokimin e punës së dy komisioneve hetimore që janë aktualisht në fuqi, ai për rrjedhjen e të dhënave të sistemit TIMS dhe hetimi i dy koncesioneve në shëndetësi.
Avokati Marash Logu i tha gjykatës se dispozitat e reja kufizonin të drejtën ligjore të pakicës parlamentare për të kontrolluar ekzekutivin.
Sipas tij, ndryshimet e reja kanë si qëllim që të ligjërojnë vendimmarrjen e shumicës në lidhje me kërkesat e opozitës duke vendosur nën kontroll të mazhorancës të drejtën e deputetëve të opozitës dhe e bëjnë të pamundur ushtrimin e kontrollit hetimor parlamentar.
“Mbledhjet e mbyllura cenojnë Kushtetutën, ku parashikohet se parlamenti i zhvillon mbledhjet e hapura dhe cenojnë një nga qëllimet kryesore të komisioneve hetimore dhe punës së parlamentit që është transparenca” , tha ai duke iu referuar futjes së nenit për seancat me dyer të mbyllura.
Po ashtu, sipas Logut, vendimmarrja me shumicë votash për çdo kërkesë për provë dhe për çdo dëshmitar që thirret, bën që komisionin ta kontrollojë mazhoranca.
“ Kjo e zhbën mekanizmin parlamentar të komisioneve hetimore dhe të qenit një instrument i pakicës parlamentare për llogaridhënien e qeverisjes”- tha ai, duke shtuar se në këtë rast “i hetuari vendos se si do të hetohet”.
Më pas Logu solli shembuj nga dy komisionet hetimore në fuqi për të argumentuar rolin bllokues të mazhorancës në punën e tyre.
Nga ana tjetër, Mimoza Arbi, Drejtore e Shërbimit Juridik në Kuvend, argumentoi se ndryshimet ligjore kanë ardhur si pasojë e disa vendimeve të mëparshme të Gjykatës Kushtetuese dhe se komisionet e reja janë ngritur me dakordësinë e të dy palëve.
“Komisionet hetimore kanë detyrë për të ushtruar kontroll dhe kjo detyrë, pasi ato ngrihen, është detyrë e gjithë grupeve parlamentare që marrin pjesë në të, jo vetëm e një pakice”, tha ajo duke shtuar se puna e komisioneve hetimore është “veprimtari parlamentare”.
Në sesionin e vjeshtës opozita ishte në një protestë të vazhdueshme pasi mazhoranca rrëzoi disa kërkesa të saj për hetime parlamentare.
Ndërkohë që opozita protestonte në seancë plenare, mazhoranca kaloi pa debat dhe vetëm me votat e saj ndryshime ligjore që kufizonin dhe më tej të drejtën e opozitës për hetimet parlamentare.
PS argumentoi se ndryshimi i ligjit erdhi si nevojë për implementimin e interpretimeve të bëra nga Gjykata Kushtetuese për këtë çështje dhe për të “disiplinuar” punën e këtyre komisioneve në të ardhmen.
Në muajin mars PS-ja dhe grupimi më i madh opozitar i “Rithemelimit” arritën një pakt politik që i dha fund protestës në Kuvend duke pranuar ngritjen e dy komisioneve hetimore dhe një grupi pune për reformën zgjedhore.
Por pavarësisht dakordësisë, asnjëri prej komisioneve hetimore nuk ka ndonjë rezultat të dukshëm deri më tani pasi puna e tyre ka mbetur peng i përplasjeve politike, debateve për procedurë dhe vendimmarrjeve pa konsensus, që i atribuohen dispozitave të reja ligjore.