![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/2022/09/WhatsApp-Image-2022-06-10-at-5.06.56-PM.jpeg)
Këshilli i Lartë i Gjyqësor pranoi të mërkurën një kërkesë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Elbasanit Zamira Vyshka, pasi kjo është dënuar nga Gjykata e Posaçme për akuzën e “korrupsionit pasiv”.
Në kërkesën e tij Inspektori kërkoi shkarkimin e Vyshkës duke arsyetuar se shkeljet e saj kishin diskretituar figurën e magjistratit. “Shkelja disiplinore e kryer është aq e rëndë sa e bën magjistraten të papërshtatshëm apo të padenjë për të vazhduar funksionin e saj”, tha Inspektori.
Në anën tjetër mbrojtja e Vyshkës kërkoi që të rrëzohej kjo kërkesë. Avokatja tha se vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit, që la në fuqi dënimin ndaj Vyshkës edhe pse ishte i formës së prerë ishte i birshtë. Mbrojtja vuri në dukje se në vendim kishte mendime paralele dhe se KLGJ duhej të priste vendimin e Gjykatës së Lartë për këtë rast.
Këshilli i Lartë Gjyqësor, pasi dëgjoi palët, vendosi të pranonte kërkesën e ILD-së dhe të shkarkonte Vyshkën.
Vyshka dhe tre persona të tjerë u arrestuan në korrik 2022 dhe u dënuan nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për akuzat e korrupsionit në korrik 2023. Gjyqtarja Vyshka u dënua me 3 vjet burgim, por gjykata mori parasysh gjykimin e shkurtuar që e reduktoi dënimin në 2 vjet. Gjykata po ashtu vendosi ta pezullojë dënimin dhe ta vërë Vyshkën në shërbim prove. Vyshka po ashtu ndalohet të kryej funksione publike për 5 vjet.
Në prill të këtij viti Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi dënimin ndaj gjyqtares Zamira Vyshka e akuzuar për korrupsion pasiv, avokatit Ilir Pashaj dhe dy personave të tjerë Taulant Ramollari dhe Xhulio Musaj që akuzohen për “Korrupsioni aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim.
SPAK akuzoi Vyshkën pasi gjeti se ajo kishte pranuar nga të afërmit e një personi të arrestuar një shumë parash. Prokuroria po ashtu provoi përfshirjen e avokatit në këtë proces. “Fakti penal i hetuar, lidhet me një rast të korrupsionit aktiv/pasiv në sistemin e drejtësisë (në qytetin e Elbasanit), ku persona të interesuar/familjarë të një shtetasi të arrestuar në bashkëpunim me avokatin mbrojtës, i kanë ofruar gjyqtarit të çështjes një shumë monetare me qëllim favorizimin në caktimin e masës së dënimit”, ka njoftuar më herët SPAK.