![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/2024/05/8_march_protest_in_Tbilisi_cropped.jpg)
Ndërsa liderët politikë të Perëndimit bëhen gjithnjë e më të shqetësuar për luftërat e vazhdueshme në Ukrainë dhe Gazë, ata rrezikojnë të humbasin ndikimin e tyre gjeopolitik në një vend të vogël, por strategjikisht të rëndësishëm të Detit të Zi: Gjeorgjinë.
Më 29 prill, në një nga paraqitjet e tij të rralla publike, Bidzina Ivanishvili – themeluesi dhe lideri de facto i partisë qeverisëse Ëndrra Gjeorgjiane dhe një miliarder i vetmuar – akuzoi Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian se janë një “parti lufte globale” dhe se ndërhyjnë në çështjet e brendshme të Gjeorgjisë.
Duke marrë spunto nga programi i presidentit rus Vladimir Putin, Ivanishvili u zotua të rifuste një ligj për “agjentët e huaj”, i cili do t'i etiketonte organizatat që marrin më shumë se 20% të financimit të tyre nga jashtë si organizata me ndikim të huaj. Ligji i stilit të Kremlinit do t'i jepte mundësinë qeverisë të eliminonte OJQ-të që punojnë për demokracinë dhe sundimin e ligjit, të shtypte mediat e pavarura dhe të zhdukte opozitën. Nisur nga kjo, përfundimi i fjalimit të Ivanishvilit, në të cilin ai premtoi anëtarësimin në BE, dukej si një shaka Orëelliane.
Fjalimi, i cili u pasua shpejt nga miratimi i ligjit më 14 maj, shënoi kthesën e Gjeorgjisë drejt një regjimi autokratik të ngjashëm me atë të presidentit bjellorus, Aleksandr Lukashenko. Dhjetëra mijëra protestues, të udhëhequr nga të rinjtë e Gjeorgjisë, kanë dalë në rrugë për të shprehur mospajtimin e tyre dhe numri i tyre vazhdon të rritet pavarësisht nga sulmet e dhunshme të qeverisë ndaj politikanëve të opozitës dhe demonstruesve.
Gjeorgjia nuk e ka herën e parë këtë. Qeveria prezantoi për herë të parë një ligj për agjentët e huaj në mars 2023, vetëm për ta tërhequr atë pas protestave masive. Që atëherë, Gjeorgjisë iu dha statusi i vendit kandidat për në BE, gjë që siguroi shumë gjeorgjianë për të ardhmen evropiane të vendit të tyre. Pra, pse, duke pasur parasysh qëndrimin e tij në dukje pro-perëndimore, Ivanishvili bëri një kthesë tani, përpara zgjedhjeve parlamentare dhe kur 90% e popullsisë mbështet anëtarësimin në BE?
Përgjigja qëndron në Rusi, ku Ivanishvili grumbulloi pasurinë e tij. Si pika kyçe e të ashtuquajturit Korridor i Mesëm, rruga më e shkurtër që lidh Evropën me Kinën dhe Azinë Qendrore, Gjeorgjia është një çmim i vlefshëm për Putinin.
Trajektorja e projektit të portit në qytetin gjeorgjian të Anaklisë është ilustruese. Një sipërmarrje e përbashkët midis TBC Holding të Gjeorgjisë dhe Conti International me bazë në SHBA iu dha kontrata për të ndërtuar dhe operuar portin në vitin 2016. Por qeveria gjeorgjiane e ndërpreu kontratën e tyre në vitin 2020, me sa duket nën presionin e Rusisë, dhe tani po shqyrton ofertat nga investitorët kinezë.
Megjithatë, parandalimi i hyrjes së Perëndimit në Gjeorgji kërkon më shumë sesa manovrim gjeopolitik. Qeveria gjeorgjiane duhet t'i drejtohet gjithashtu represionit të brendshëm për të ndaluar progresin e vendit drejt BE-së dhe NATO-s.
Nuk ka më rëndësi nëse Ivanishvili, i cili ka drejtuar vendin që nga viti 2012, ka qenë gjithmonë kali i Trojës i Rusisë apo vetëm së fundmi ka vendosur që demokracia nuk i shërben interesave të tij personale dhe politike. Rezultati mbetet i njëjtë: Putini ka gjetur një aleat të fortë te Ivanishvili, i cili duket po aq i vendosur për ta larguar Gjeorgjinë nga Perëndimi. Ky është një objektiv veçanërisht i rrezikshëm ndërsa lufta për të ardhmen e Ukrainës hyn në një fazë tjetër vendimtare.
Rusia po luan rëndë. Varrosja e së ardhmes evropiane të Gjeorgjisë do të forconte ndikimin e Kremlinit në rajonin e Detit Kaspik dhe Azinë Qendrore dhe do ta afronte Putinin me objektivin e tij për të rindërtuar Perandorinë Ruse. Kur BE-ja i dha Gjeorgjisë statusin e vendit kandidat në dhjetor 2023, ajo u dërgoi një sinjal fqinjëve të saj, veçanërisht Armenisë dhe Azerbajxhanit, se BE-ja është e përkushtuar për integrimin afatgjatë të rajonit. Kjo ka bërë që Armenia – baza strategjike e Rusisë në Kaukaz – të kërkojë lidhje më të ngushta me BE-në.
Vendet e Azisë Qendrore, të pasura me energji dhe burime minerale, kanë shprehur gjithashtu një interes në rritje për të bashkëpunuar me BE-në. Putini e kupton se shtypja e aspiratave demokratike dhe perëndimore të Gjeorgjisë ka të ngjarë t'i japë fund këtyre zhvillimeve të padëshiruara.
Ndërsa gjeorgjianët i rezistojnë rirusifikimit të vendit të tyre, edhe Perëndimi duhet të veprojë. SHBA-ja po lëviz në drejtimin e duhur: dy projektligje që do të mbështesin demokracinë e Gjeorgjisë dhe do të sanksionojnë politikanët dhe zyrtarët që përpiqen ta shkatërrojnë atë, janë paraqitur në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat. Për më tepër, Sekretari i Shtetit Antony Blinken ka njoftuar se kufizimet e vizave do të zbatohen për këdo që cenon proceset apo institucionet demokratike në Gjeorgji.
Por për të garantuar që ndalimet e propozuara të udhëtimit dhe sanksionet financiare të mos jenë kërcënime boshe, SHBA-ja dhe BE-ja duhet të vendosin kufizime ndaj Ivanishvilit dhe lojtarëve kryesorë në rrethin e tij, duke përfshirë edhe ithtarët e tij që po kanosin demonstruesit. Kjo do të ofronte shenjën më të qartë të mundshme të mbështetjes perëndimore për demokracinë e Gjeorgjisë.
Ndërkohë, Gjeorgjia kërkon një nivel të paprecedentë ndihme, duke përfshirë një ushtri vëzhguesish zgjedhorë, në prag të zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen në tetor 2024. Partitë e opozitës gjeorgjiane kanë filluar të formojnë një front pro-evropian për të sfiduar partinë në pushtet, por ato do të ketë nevojë për mbështetje të fortë ndërkombëtare.
Zgjedhjet e ardhshme janë një referendum për të ardhmen evropiane të Gjeorgjisë dhe nëse ato janë të padrejta, Perëndimi ka të ngjarë të humbasë ndikimin e tij në rajon. Një politikë e koordinuar SHBA-BE nevojitet për të garantuar që demokracia e Gjeorgjisë t'i mbijetojë kësaj krize. Një fitore për aleatët e Putinit do të kishte pasoja shkatërruese si për gjeorgjianët ashtu edhe për Perëndimin.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. The Global Implications of Georgia's Political Crisis