Shumica parlamentare votoi të enjten me 74 vota pro ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar, i cili ndër funksionet e tij do ketë edhe thirrjen në seanca dëgjimore të institucioneve të drejtësisë. I njohur ndryshe edhe si komisioni “antikorrupsion”, ai është rezultat i një rezolute të propozuar nga mazhoranca e drejtuar nga kryeministri Edi Rama dhe i kundërshtuar deri më tani nga opozita.
“Komisioni i Posaçëm në zbatim të rezolutës së Kuvendit “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” ka për qëllim kryesor të tij të drejtojë e koordinojë një proces të thelluar reformimi”, thuhet në vendimin e votuar në parlament.
Komisioni do të ketë anëtarë kryetarin dhe nënkryetarin e 4 komisioneve të përhershme parlamentare dhe kryetarin e nënkryetarin e Këshillit Kombëtar të Integrimit. Kryetari i këtij komisioni nuk u caktua në seancë, por ai do i përkasë shumicës parlamentare, e cila do të ketë edhe shumicën në këtë komision.
Bazuar në formatin e bërë publik nga Kuvendi, anëtarë të komisionit janë Klotilda Bushka (PS), Dhurata Çupi (Tyli) PD, Jorida Tabaku, (PD), Etilda Gjonaj, (PS), Flutura Açka (PD), Evis Kushi (PS), Eduard Shalsi, (PS), Sorina Koti, (PD) dhe Toni Gogu, (PS). Një anëtar i 10 nga opozita do duhet të caktohet, pasi Jorida Tabaku është kryetare edhe e Komisionit për Çështjet Europiane edhe e Këshillit Kombëtar të Integrimit.
Pavarësisht se pretendon se ka për qëllim konsensusin, Komisioni do të jetë nën kontrollin e shumicës e cila ka kryetarin dhe shumicën e anëtarëve në të.
Grupimet e opozitës nuk morën pjesë në votim, ndërsa më herët kanë shprehur kundërshti dhe dyshime mbi qëllimet e shumicës.
Në seancën kur u votua rezoluta që i hapi rrugë ngritjes së komisionit, kryetar i PD-së zyrtare, Lulzim Basha, që kontrollon një grup më të vogël deputetësh në Kuvend, tha se nisma ishte një “akt elektoral” dhe “komplot i pisët kundër SPAK”. Kreu i grupit parlamentar më të madh të opozitës, Gazment Bardhi e cilësoi atë të panevojshme. Opozita deri tani nuk është shprehur nëse do të marrë apo jo pjesë në komisionin e posaçëm.