Të hënën paradite, gjatë provimit të parë të Maturës Shtetërore, ka rrjedhur teza e anglishtes në rrjetet sociale, vetëm gjysëm ore para nisjes së provimit.
“Në orën 10:00 ditën e sotme ka nisur provimi i parë i Maturës Shtetërore 2024, ai i gjuhës së huaj”, shkruan Gevio Tabaku, kryetar i Bordit Kombëtar Studentor.
“Teza e paplotësuar është publikuar nga grupi ‘Studentët Denoncojnë' dhe vjen pas vendosjes së masave strikte të sigurisë, të cilat mesa duket nuk i kanë ndaluar maturantët të hyjnë në ambjentet e provimit me telefonat e tyre”, shtoi ai.
Këto rrjedhje janë përsëritur ngjashëm vitin e kaluar, kur tezat e provimeve të maturës publikoheshin paraprakisht pak minuta përpara se studentët të futeshin në sallat e provimit.
Sipas përfaqësuesit të maturantëve, Gevio Tabakut, studentët prej një viti e kanë patur të pamundur të aksesojnë modelet e provimeve online, si edhe rregulloren e tyre, gjë që për to është kthyer në stres.
“Vetëm disa ditë përpara provimit të parë të maturës janë zhdukur të gjitha materialet ndihmuese nga faqja e internetit së Qëndrës për Shërbimet Arsimore, diçka dashakeqe dhe mbi të gjitha e palogjikshme”, u shpreh Tabaku.