“Korrupsioni është identifikuar si kërcënimi kryesor i sigurisë që kur barometri u krye për herë të parë në vitin 2019, por përqindja e qytetarëve që e identifikojnë korrupsionin si kërcënimin kryesor të sigurisë në këtë anketë është më e lartë se në vitet e mëparshme,” thuhet në gjetjet e Barometrit Shqiptar të Sigurisë për vitin 2024 që u prezantua të mërkurën në Tiranë.
Sipas të dhënave, 45 përqind e të anketuarve vendosën korrupsionin si kërcënimin kryesor për sigurinë, ndërsa 23.8 për qind e tyre mendojnë se është krimi i organizuar si kërcënim kryesor, një perceptim po ashtu në rritje nga vitet e tjera.
Këto dy “rreziqe” ndiqen nga kërcënimi i luftrave me shtete të tjera, pandemia apo terrorizmi.
Studimi po ashtu identifikoi një besim të ulët të qytetarëve tek institucionet dhe perceptimin e administratës shtetërore si të “palirë”.
Në masën 41.7 përqind, qytetarët janë shprehur se nuk ndihen të përfaqësuar nga Parlamenti, si institucioni më i rëndësishëm demokratik i vendit, një e dhënë kjo që sipas autorëve të raportit “tregon një të dhënë të rëndësishme për pasigurinëe politike”.
E pranishme në aktivitet, nënkryertarja e parlamentit Ermonela Felaj, tha se kjo e dhënë duhet të ishte një ‘alert' për punën e Kuvendit në të ardhmen.
“Rritja e mosbesimit tregon se Kuvendi nuk është atje ku duhet në rolin e tij mbikëqyrës dhe përfaqësues,” tha Felaj, duke shtuar se kjo “duhet t'i bëjë të zgjedhurit që të reflektojnë”.
Sipas Felajt, kjo ka ndodhur dhe për shkak të polarizimit të skajshëm politik të parlamentit.
Pyetësori po ashtu ka identifikuar një mosbesim të madh të qytetarëve (82 për qind) ndaj drejtuesve të qeverisë, për të cilën besojnë se shkelin ligjet, abuzojnë me pushtetin dhe se puna e qeverisë ndikohet në vendimmarrje nga interesat e bizneseve të mëdha (45.7%).
Shqiptarët gjithashtu nuk besojnë se zgjedhjet e ardhshme do të jenë të lira, se do të ndëshkohen krimet e funksionarëve të lartë dhe se administrata ka liri shprehje.
Anketimi u bazua në disa tematika të sigurisë, si kërcënimet e sigurisë dhe marrëdhënia me vendet e tjera, siguria politike, ekonomike, shëndetësore dhe ushqimore, si dhe marrëdhëniet gjinore.
Perceptimi për drejtësinë e re tregon se afërsisht 2/3 besojnë në seriozitetin e punës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndërsa ndahen pothuaj përgjysmë kur pyeten për pavarësinë nga politika të SPAK dhe GJKKO.
Lidhur me sigurinë ekonomike, për 2/3 situata financiare shihet as mirë, as keq, ndërsa shumica besojnë se është rritur hendeku mes të pasurve dhe të varfërve për shkak të qeverisjes.
Shqiptarët shfaqen më të shqetësuar kur vjen puna tek siguria ushqimore, duke pohuar se kanë frikë se nuk do të mund të plotësojnë nevojat ushqimore, se kishin pakësuar sasinë e ushqimit pasi nuk kishin para mjaftueshëm dhe se produktet ushqimore në treg nuk ishin të kontrolluara nga institucionet përkatëse.