Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA i ka gjetur të drejta konkluzionet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin e prokurorit të Tiranës, Dritan Gina për cënim të besimit të publikut me sjelljen e tij gjatë procesit të vetingut dhe për deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë. Trupi gjykues i KPA i kryesuar nga Rezarta Schuetz, me relatore Natasha Mulajn dhe anëtarë Albana Shtylla, Ina Rama e Sokol Çomo kanë vendosur në mënyrë unanime të lënë në fuqi vendimin e KPK, duke rrëzuar si shkaqet e ngritura për aspektin procedural, ashtu dhe ato të pasurisë. Po ashtu, është rrëzuar dhe kërkesa e subjektit për kalimin e çështjes për gjykim në seancë gjyqësore publike, me argumentin se nuk u konstatuan shkelje procedurale të tilla që të nevojitej korrigjimi i tyre.
Kërkesat e shumta të Ginës në shkallën e parë të vetingut për përjashtim të trupit gjykues dhe shtyrje të seancave të depozituara në Komision, u konsideruan si të qëllimshme dhe së bashku me sjelljen e tij në seancën e shpalljes së vendimit – kur hyri me forcë në sallë, u çmuan se cënonin besimin e publikut tek drejtësia.
Trupi gjykues i Kolegjit vëren se rrethanat e tilla, si ajo e mosparaqitjes së kartës së identitetit, moslejimi i kontrollit nga Shërbimi i Gardës së Republikës dhe hyrja forcërisht në sallën ku zhvillohej seanca dëgjimore, janë konsideruar me të drejtë nga Komisioni si mungesë bashkëpunimi, që cenon besimin e publikut te sistemi i drejtësisë, duke e kualifikuar këtë situatë, sipas nenit 61, pika 5 e ligjit nr. 84/2016.
KPA vëren se, megjithëse subjekti duket se nuk e ka kundërshtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë konkluzionin e Komisionit lidhur me cenimin e besimit të publikut, ka vlerësuar të ndalet në kontrollin e zbatueshmërisë së kësaj dispozite. Trupi gjykues konstaton se në legjislacionin për vetingun e magjistratëve është parashikuar e drejta e Komisionit dhe Kolegjit, që në kuadër të këtij procesi, të marrin vendime jo vetëm bazuar në një ose disa prej kritereve apo vlerësimin e përgjithshëm të tri kritereve, por edhe në vlerësimin tërësor të procedurave, duke përcaktuar në nenin 48 të këtij ligji, se gatishmëria dhe sjellja e subjektit të rivlerësimit gjatë këtij procesi mbahen parasysh nga këto organe në marrjen e vendimit.
Në vendim renditen faktet lidhur me qëndrimin jobashkëpunues të Ginës gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar në KPK. Sipas Kolegjit, kërkesat për përjashtimin e anëtarëve të trupës nuk kanë pasur për qëllim zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor, por zvarritjen e tij.
“[…]Gjë që konstatohet dukshëm me kërkesat në mënyrë të vazhdueshme, të përsëritura dhe të pabazuara të trajtuara si në paragrafët 10.2 – 10.5.4 të këtij vendimi, si para dhe gjatë seancave dëgjimore, duke mos treguar predispozicion dhe një sjellje korrekte në drejtim të procesit të rivlerësimit. Në vlerësim të trupit gjykues, në çdo rast, subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të paraqesë kërkesa procedurale në kuadër të këtij procesi, por jo ato që dukshëm kalojnë kufirin mbrojtjes për të rënë në abuzivitet”, arsyeton KPA.
Klegji ndalet dhe në sjelljen e Ginës përpara nisjes së seancës dëgjimore të datës 22 shtator 2021. “[…]Mosparaqitja e kartës së identitetit dhe moslejimi i kontrollit fizik nga Garda e Republikës, përpara nisjes së seancës dëgjimore, dhe më pas hyrja forcërisht në sallën ku zhvillohej seanca dëgjimore, demonstrojnë mungesë respekti e vetëpërmbajtjeje, si dhe një qasje të papërshtatshme e ofensive ndaj institucioneve shtetërore dhe autoritetit të tyre. Sjellje të tilla cenojnë imazhin dhe figurën publike të prokurorit dhe duhet të shmangen me vërtetësi nga subjektet e rivlerësimit dhe jo të justifikohen prej tyre”, citohet në vendim.
Po ashtu, evidentohet se subjekti nuk është treguar bashkëpunues gjatë hetimit administrativ, pasi ka refuzuar t’i përgjigjet pyetësorit standard të Komisionit. “[…]Duke mos respektuar autoritetin e institucionit, duke u përpjekur në këtë mënyrë të pengojë dhe pamundësojë zhvillimin ndaj tij të procesit të rivlerësimit”, vëren Kolegji dhe ndan të njëjtin qëndrim si KPK, se Gina ka cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë për shkak të qëndrimit të tij jobashkëpunues përgjatë procesit të rivlerësimit të kryer ndaj tij.
Pasuria
Për një apartament me sipërfaqe 105 m2 në zonën e Shkëmbit të Kavajës në Durrës, Komisioni ka arritur në përfundimin se subjekti ka dhënë shpjegime të pasakta dhe kontradiktore, që nuk mbështeten nga dokumentacioni ligjor i administruar lidhur me justifikimin e burimeve të krijimit të kësaj pasurie. Në përfundim të hetimit administrativ, KPK i ka kaluar Ginës barrën e provës për deklarim të pasaktë të vlerës së shlyer, kohës kur është kryer pagesa, si dhe për burimin e të ardhurave që kanë shërbyer krijimin e kësaj pasurie. Është konstatuar dhe pamundësi financiare për të justifikuar pagesën e çmimit të këtij apartamenti në vitin 2011 dhe mbulimin e shpenzimeve.
Për të provuar të kundërtën e rezultateve të hetimit administrativ, Gina ka informuar Komisionin lidhur me faktin se në përfundim të një hetimi pasuror të nisur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier mbi pasuritë e tij dhe burimet e krijimit të tyre, kjo pasuri kishte rezultuar e deklaruar rregullisht dhe e krijuar me burime të ligjshme.
Trupi gjykues i Kolegjit vëren se subjekti e kundërshton konkluzionin e Komisionit për këtë pasuri, pa ngritur një shkak të posaçëm ankimi, pa dhënë argumente, si dhe pa paraqitur prova për të mbështetur pretendimet e tij. Pasi ka analizuar aktet e dosjes së Komisionit, edhe Kolegji ka arritur në përfundimin se Gina ka kryer deklarim të pasaktë për këtë pasuri dhe se ndodhet në kushtet e mungesës së burimeve financiare të ligjshme për krijimin e saj.
Në vendim thuhet se Gina ka përdorur të njëjtin argument dhe problemet e konstatuara për një apartament në Tiranë, duke pretenduar se nga hetimi pasuror i kryer në Prokurorinë e Fierit ishte konkluduar se kishte bërë deklarime të sakta dhe kishte pasur burime të ligjshme për krijimin e kësaj pasurie.
Trupi gjykues i Kolegjit vëren se i rezulton e provuar ekzistenca e mospërputhjeve mes deklarimeve të subjektit të rivlerësimit dhe dokumentacionit të administruar.
Lidhur me pretendimin e Ginës mbi ligjshmërinë dhe mjaftueshmërinë e burimit të krijimit të kësaj pasurie, KPA konstaton se Komisioni ka dalë në konkluzion vetëm për deklarim të pasaktë, por pa mbajtur qëndrim mbi rezultatin financiar të konstatuar gjatë hetimit administrativ, për të evidentuar balancën negative. Në funksion të standardit të mospërkeqësimit të pozitës së subjektit në ankim, KPA ka vlerësuar që të konkludojë se Gina ka kryer deklarim të pasaktë lidhur me burimin e krijimit të kësaj pasurie.
Kolegji konfirmon dhe pamjaftueshmërinë në vlerën e konstatuar nga Komisioni, të burimeve financiare të ligjshme për krijimin e kursimeve në shumat e deklaruara cash për periudhën 2005 –2015, që i ka pretenduar si burim krijimi të një depozite 10 mijë euro në dhjetor të 2016-ës. Po ashtu, konkludohet pamundësi për shlyerjen e detyrimeve të qirasë financiare Leasing për një automjet.