![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/2024/06/Fredi-Beleri.jpg)
Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, dëgjoi të premten më 14 qershor çështjen e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri, i cili aktualisht është deputet i Parlamentit Evropian për Greqinë dhe njoftoi shpalljen e vendimit më 25 qershor, ora 13. Bashkë me Belerin në gjyq është edhe bashkëpunëtori i tij, Pandeli Kokaveshi.
Beleri dhe Kokaveshi kërkojnë pafajësi për akuzën për blerje votash pasi janë dënuar në shkallën e parë, me 2 dhe 1 vit e gjashtë muaj burg respektivisht. Vendimi i Kokaveshit është i pezulluar me shërbim prove për tre vjet.
Pala e akuzuar kërkoi fillimisht ndryshimin e trupit gjykues nën pretendimin për njëanshmëri dhe zgjedhje përmes manipulimit të shortit, pretendime që u hodhën poshtë.
Gjatë seancës, mbrojtja përsëriti pretendimet se provat me të cilat Beleri është dënuar në shkallë të parë janë të pavlefshme apo të mbledhura në kundërshti me ligjin ndërsa vetë Beleri e përsëriti pretendimin se operacioni policor që solli arrestimin e tij ishte i porositur politikisht nga kryeministri Edi Rama.
Pas rifillimit të seancës, avokatja Gjyzari u ndal në ato prova, në të cilat tha se ishte bazuar vendimi i shkallës së parë. Ajo tha se po ndalej fillimisht në dëshminë e dëshmitarit Arsen Rama. Ajo solli në vëmendje se besueshmëria e dëshmitarit të prokurorisë, Arsen rama ishte e cënuar, pasi ai kishte qenë i dënuar më parë për mashtrimin e një të mituri, si dhe për vjedhje. Ajo shtoi se Rama kishte probleme me kujetesën, pasi vetëm ai ishte shprehur gjatë dhënies së deklarimeve se ishte i stresuar dhe se nuk arrinte të kujtonte apo të përcaktonte orën dhe datën e ngjarjeve apo rrethanave për të cilat ishte pyetur.
Gjyzari këmbënguli se në asnjë nga ditët e pretenduara nga prokuroria, nuk rezultonte që dëshmitari Rama të kishte takuar Belerin. Po ashtu, ajo theksoi se Arsen Rama nuk ka qenë në Vlorë në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes së simulimit.
Në vijim, avokatja solli në vëmendje të trupit gjykues, se deklarimet e dëshmitarit Arsen Rama janë kundështuar si nga të pandehurit të përfaqësuesit e tyre ligjorë, ashtu edhe prej prokurorisë.
Sipas Gjyzarit, Arsen Rama ka përfituar pagesë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë. Pagesa e dëshmitarit është vepër penale”, tha ajo dhe shtoi se dhe punonjësi i policisë, Ermal Hajdini që ka mundësuar kryerjen e këtyre veprimeve të Ramës, është shpërblyer me transferimin nga Saranda në Vlorë, duke u rritur në detyrë. Gjyzari argumentoi se dhe kjo rritje në detyrë, ka sjellë përfitime monetare për Hajdinin. “Policia paguan informatorë të fshehtë dhe jo dëshmitarët e prokurorisë”, vërejti Gjyzari duke e cilësuar të falsifikuar marrëveshjen e lidhur me dëshmitarin Arsen Rama.
Ajo i cilësoi procesverbalet me rrethana të rreme dhe këmbënguli se duke qenë se provat janë të paligjshme, atëherë dhe vendimarrja e shkallës së parë nuk qëndron.
Gjyzari parashtroi qëndrimin e të pandehurit Beleri edhe lidhur me dëshminë e penalitetit të përdorur nga Prokuroria e Vlorës për të kërkuar masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj tij. Sipas avokates, vetëm në dëshminë e penalitetit e shkarkuar më datë 12 maj, Beleri rezulton i dënuar. Gjyzari solli në vëmendje se specialistja e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve kishte sqaruar se kishte një çelës për institucionet për të aksesuar sistemin lidhur me dëshmitë e penalitetit, nga në çdo rast kishte rezultuar se Beleri figuronte i rehabilituar, ndërsa vetëm më datë 12 maj shfaqej si i dënuar.
Ajo pohoi se prokuroria refuzonte të vendoste në dispozicion CD-të origjinale të përgjigmeve dhe se shkalla e parë i kishte kufizuar Belerit të gjitha të drejtat e tij për t’u mbrojtur. Në përfundim, Gjyzari kërkoi që Beleri të deklarohet i pafajshëm.
Beleri deklaroi se u qëndronte gjithë parashtrimeve të avokates. Ai pretendoi se provat ndaj tij ishin manipuluar 15 ditë pasi e kishin arrestuar.
Edhe i pandehuri Pandeli Kokaveshi kërkoi të deklarohet i pafajshëm.
Prokurori i çështjes, Adnand Xholi kundërshtoi qëndrimet e Belerit dhe avokates së tij. Ai theksoi se nuk qëndronin pretendimet për mosvendosjen e provave në dispozicion të gjykimit. Sipas Xholit, i pandehuri mund ti kishte dispnuar dhe dëgjuar CD-të edhe gjatë gjykimit.
“Kanë deklaruar se nuk kishin pretendime për përmbajtjen, por për mënyrën e marrjes së provave”, vërejti Xholi.
Avokatja Gjyzari ndërhyri duke u shprehur se provat e marrë jo në përputhje me procedurën, janë të paligjshme. Ajo ngriti pretendime dhe mbi veprimet e sekretarisë së prokurorisë.
Prokurori Xholi parashtroi në vijim se vendimarrja e Gjykatës së Vlorës për caktimin e masës së sigurisë ndaj Belerit ishte gjetur e drejtë nga Apeli.
Lidhur me pretendimin se Arsen Rama dhe Beleri nuk kishin rezultuar asnjëherë së bashku, Xholi tha se dëshmitari kishte qenë pikërisht në Himarë dhe në asnjë vend tjhetër.
Për vërtetimin e gjendjes gjyqësore të shkarkuar nga sistemi më 12 maj, Xholi u shpreh se ishte për përdorim të brendshëm. Ai shtoi se Beleri rezulton të ketë qenë dy herë i dënuar më parë.
Për një kallëzim penal të kryer nga Beleri për falsifikim, Xholi tha se SPAK kishte vendosur mosfillimin e hetimeve, që ishte lënë në fuqi nga të dy shkallët e gjyqësorit të juridiksionit të posaçëm.
Sipas Xholit, të pandehurit dhe avokatët e tyre kanë qenë të njohur që në fillim me provat dhe se nuk kanë ngritur pretendime për takimin me dëshmitarin Arsen Rama.
Ai kundërshtoi dhe një pretendim lidhur me sekuestrimin e apartatit celular të të pandehurit Kokoneshi, që nuk pranohet nga mbrojtja. Xholi tha se seskuestrimi ishte kryer sipas rregullave dhe se nuk ishte konkluduar që celulari të mos ishte i këtij të pandehuri. Prokurori Xholi parashtroi gjithë rrethanat e hetimit dhe këmbëguli se provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se dy të pandehurit kanë kryer korrupsion.
Në përfundim, avokatja Gjyzari kërkoi fjalën duke pretenduar se prokuroria shprehej gabim lidhur me disa prej qëndrimeve të mbrojtjes. Ajo theksoi se për Arsen Ramën kanë deklaruar se nuk gjendej në Vlorë për të nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit. Ajo tha se disa prova nuk janë përdorur në vendimarrjen e shkallës së parë dhe theksoi se vendimi duhej të ishte marrë mbi prova të paanshme.
Në përfundim, trupi gjykues vendosi të shtyjë shpalljen e vendimit për më datë 25 qershor, në orën 13:00.
Çështja Beleri krijoi një konflikt shqetësues mes Tiranës dhe Athinës, ku qeveria e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis e konsideroi arrestimin e tij si një cënim të të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri ndërsa Tirana zyrtare pretendon se çështja është thjeshtë gjyqësore dhe se është jashtë funksionit të saj të ndërhyjë.
Beleri u zgjodh eurodeputet të dielën nga listat e partisë Nea Democratia të Mitsotakisit.