Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të hënën të çelë hetimin administrativ në çështjen e rivlerësimit ndaj ish-prokurorit Sali Hasa, pasi gjeti shkelje proceduriale në vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që solli shkarkimin e tij në vitin 2021.
KPA pranoi një sëri provash mbi pasurinë e ish-prokurorit dhe i dha kohë deri në 2 korrik të sillte edhe një grup tjetër dokumentesh që nuk ishin paraqitur në formën e kërkuar, por që sipas avokatit të Hasës ata mund t'i sillnin në formën origjinale.
Çështja e Hasës në KPA është një rast i veçantë. Ish-prokurori i Sarandës u arrestua në qershor 2021 për akuza të korrupsionit dhe fiksimit të ndeshjeve. Ai u gjet fajtorë në shkallë të parë dhe më pas Gjykata e Posaçme e Apelit konfirmoi dënimin e tij me 2 vjet e katër muaj burg. Hasa ka bërë rekurs ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Lartë.
Pas arrestimit ndaj Hasës u zhvillua njëkohësisht edhe procesi i rivlerësimit. Prokurori u vlerësua vetëm sa i përket pasurisë dhe KPK, në mungesë të tij vendosi shkarkimin nga detyra. Dy vjet pas këtij vendimi me kërkesë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi për shkarkimin e Hasës.
Megjithatë me dy vendime shkarkimi dhe një vendim të formës së prerë të dënimit, Hasa u paraqit para Kolegjit të hënën dhe këmbënguli përmes avokatit të tij që çështja duhej të rishqyrtohej. Hasa po ashtu ka ankimuar në KPA edhe vendimin e KLP-së.
Trupi gjykues për gjykimin e kësaj çështjeje përbëhet nga Albana Shtylla kryesuese, Natasha Mulaj relatore dhe anëtarë: Ina Rama, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo.
Gjatë seancës avokati i Hasës, i cili foli për rreth 2 orë paraqiti fillimisht shkeljet procedurale të KPK-së në procesin ndaj ish-prokurorit. Avokati tha se KPK nuk i kishte dhënë mundësi Hasës të dëgjohej, nuk kishte marrë parasysh provat e paraqitura dhe kishte shkelur të drejtat e tij si subjekt.
Avokati po ashtu këmbënguli se shkarkimi për pasurinë ishte i pabazuar. Ai tha se Hasa kishte pasuri të justifikuar dhe nuk kishte kryer fshehje të pasurisë.
Ai paraqiti po ashtu një listë të gjatë me prova. Pasi u tërhoq për më shumë se dy orë në dhomë këshillimi KPA vendosi të pranojë një pjesë të provave dhe shpalli të papranueshme disa të tjera që sipas trupës nuk ishin paraqitur në formën e kërkuar nga ligji. Avokati i Hasës i kërkoi trupës kohë për t'i plotësuar provat. Ai tha se ato zotëroheshin si dokumente origjinale. Pasi u tërhoq për herë të dytë, trupa e pranoi këtë kërkesë dhe i dha Hasës kohë deri në datën 2 korrik. Seanca e radhës u caktua më 4 korrik.