Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të premten më 28 qershor kalimin për gjykim të çështjes penale në ngarkim të ish-kryetares së Bashkisë së Patosit, Rajmonda Balilaj dhe vartësve të saj. Vendimi u mor nga gjyqtari Erjon Bani në seancë paraprake, i cili e ka gjetur të drejtë kërkimin e Prokurorisë së Posaçme, SPAK për kalimin për shqyrtimin të kësaj dosjeje penale. Çështja pritet të shortohet për përzgjedhjen e trupit gjykues që do gjykojë themelin.
Ish-kryetarja e Bashkisë së Patosit, Rajmonda Balili, zëvendësja e saj, Anisa Petani, sekretari i përgjithshëm në atë kohë, Shkëlqim Beqiraj, si dhe katër zyrtarë të tjerë, akuzohen nga SPAK se kanë paracaktuar fituesin në dy tendera.
Balilaj drejtoi Bashkinë e Patosit për periudhën 2011-2023 dhe më pas u promovua në pozicionin e Prefektes së Qarkut Fier, funksion nga i cili u pezullua me vendimin të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë në muajin mars.
Nga hetimi i procedurës së prokurimit për ndërtimin e një muri mbajtës në rrugën Dukas-Breg në territorin e Bashkisë Patos, të pandehurit Balilaj, Petani, Beqiraj dhe Enirjada Rizaj, kjo e fundit anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë konsumuar elementët e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Sipas SPAK, ata kanë favorizuar në kundërshtim me ligjin dhe shpallur fitues operatorin ekonomik “Genti 001”.
Ndërkohë, tre anëtarët e grupit të punës të ngritur nga Balilaj në prill të vitit 2021, të pandehurit Boreta Murati, Arben Manoku dhe Vangjel Nushi, akuzohen për falsifikim, pasi në raportin teknik të inspektimit të kryer nga ana e tyre për ndërtimin e mureve mbajtëse, kanë paraqitur rrethana të rreme, që janë rrëzuar nga akti i ekspertimit të SPAK.
Situatë e njëjtë është konstatuar dhe për një tender tjetër, po për ndërtim të një muri mbajtës në rrugën e fshatit Ruzhdie. Punimet që janë kryer nga e njëjta kompani, janë promovuar në një televizion lokal 10 ditë përpara se ky operator ekonomik të shpallej fitues dhe të lidhte kontratën me Bashkinë Patos.
Sipas SPAK, Balilaj, ka bashkëpunuar me anëtarët e KVO-së të caktuar prej saj në urdhërin përkatës, të pandehurit Anisa Petani, Shkëlqim Beqiraj dhe Enirjada Rizaj, pasi ajo nuk kishte nga ta dinte se ky operator do të kualifikohej si fitues edhe pse ishte i vetmi garues në garë. Po ashtu, nga hetimi ka rezultuar se operatori ekonomik “Genti 001”, nuk i plotësonte të gjitha kriteret dhe dokumentacionin e për rrjedhojë duhej skualifikuar.
Subjekti “Genti 001”, që nga viti 2019 kur është regjistruar për herë të parë në Qendrën Kombëtare të Biznesit, deri në vitin 2022, është shpallur fitues i 32 tenderave në Bashkinë Patos.