![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/2024/06/WhatsApp-Image-2024-06-28-at-10.01.09_17126312.jpg)
Gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës Vjollca Spahiu u konfirmua në detyrë të premten nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pas rivlerësimit në të tri kriteret.
Spahiu, që ka shërbyer një pjesë të madhe të karrierës në Kukës dhe u transferua në Tiranë në vitin 2014, iu nënshtrua gjatë një seance dëgjimore një sërë pyetjesh në lidhje me disa transaksione dhe pasurinë e saj.
Spahiu siç rezultoi në seancë kishte kryer disa transaksione që KPK i gjeti nën vlerën e tregut, po ashtu burimet për pasuritë e blera u vunë në dyshim nga Komisioni për shkak se koha e marrjes së kredive nuk përputhej me kohën e pagesave sipas kontratave të nënshkruara. Por prapësimet e Spahiut duket se kanë bindur KPK-në.
Vetë Spahiu vlerësoi punën e KPK-së, duke e cilësuar hetimit të detajuar dhe të thelluar dhe ra dakord me gjetjet në kriterin e profesionalizmit dhe figurës. Ajo tha në seancë se pasuria e saj ishte vetëm sa 1/3 e të ardhurave në vite dhe sqaroi transaksionet e kryera me rrethanat në të cilat ishte ndodhur familja.
Procesi i vetingut ndaj Spahiut u krye nga trupa e përbërë nga Valbona Sanxhaktari, Firdes Shuli dhe Lulzim Hamitaj.
Vjollca Spahiu e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe ka punuar fillimisht si gjyqtare në Kukës. Prej vitit 2014, Spahiu e ushtron funksionin në Gjykatën e Rrethit Tiranë.