Kur Gjykata Kushtetuese pritet që të shpallë vendimin për ligjshmërinë e bllokimit nga mazhoranca të zbatimit të vendimit të kësaj gjykate, Kuvendi në një kërkesë suprizë të hënën kërkoi pezullimin e çështjes dhe dërgimin e saj për interpretim në Komisionin Evropian për Demokraci, i cili njihet si Komisioni i Venecias
Në shkresën e dërguar nga Kuvendi dhe firmosur nga përfaqësuesja ligjore, Artemida Hoxhaj, cilësohen si “paqartësi juridike” vendimet e Gjykatës Kushtetuese të janarit 2023 në lidhje me këtë çështje dhe kërkohet rihapja e çështjes.
Sipas shkresës, Kuvendi Shqipërisë i kërkon Gjykatës Kushtetuese “riçeljen e shqyrtimit gjyqësor me qëllim kërkimin e një opinioni “amicus curia” nga Komisioni Evropian për Demokraci”, lidhur me mandatin e Xhaçkës.
Nëse kjo kërkesë pranohet nga gjykata ky vendim do të çojë në pezullimin e shqyrtimit të çështjes duke e futur në një tjetër spirale juridike interpretimin e mandatit të Xhaçkës.
Sipas ligjit për organizimin e kësaj gjykate, i cili citohet në kërkesë, parashikohet që shqyrtimi i çështjes të pezullohet, nëse Gjykata Kushtetuese pranon të kërkojë një opinion këshillimor nga organizma të tjerë.
Kuvendi pretendon se duhet të jetë Komisioni i Venecias që të japë një analizë tërësore për gjithë vendimet e marra për këtë çështje, pasi “rezulton që të jetë krijuar një situatë e paqartë juridike në lidhje me mënyrën si duhet të sillen deputetët, kur ndodhen përpara mocionit që mund të paraqiten nga Kryetari i Kuvendit apo një grup deputetësh, prej jo më pak se 1/10 e të gjithë deputetëve”.
Në vendimin e saj nr.1/2023 Kushtetuesja vlerëson se në çdo rast kur paraqitet një mocion nga 1/10 e deputetëve apo Kryetari i Kuvendit, Kuvendi është i detyruar t’ia dërgojë çështjen Gjykatës Kushtetuese.
Por, pasi e zvarritën vendimmarrjen për më shumë se një vit, në prill PS i bëri një interpretim të sajin vendimit të Kushtetueses, duke pretenduar se ky vendim nuk mund ta detyrojë deputetin si të votojë dhe me forcën e kartonit rrëzoi vendimin e gjykatës.
Opozita e ridërgoi çështjen në Kushtetuese duke kërkuar deklarimin e këtij vendimi si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe dhënien një interpretimi përfundimtar të zgjidhjes së konfliktit të kompetencave ndërmjet Kuvendit dhe pakicës parlamentare të 1/10 e deputetëve.
Gjykata e mori në shqyrtim para pak javësh këtë padi dhe pritej që vendimi të shpallej së shpejti, vendim që mesa duket kjo lëvizje e Kuvendit kërkon ta bllokojë duke rihapur çështjen në një organizëm ndërkombëtar.
Gjatë seancës shqyrtuese më 21 qershor anëtarët e gjykatës ngritën shumë pyetje për përfaqësuesen ligjore të Kuvendit për të kuptuar se në ç’rrethana ishte marrë vendimi nga Kuvendi dhe nëse kishin të drejtë organet e këtij institucioni që të vlerësonin vendimet e kësaj gjykate.
Çështja e mandatit të Xhaçkës ka krijuar një precedent në marrëdhëniet mes Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese, duke shmangur praktikën e mëparshme parlamentare, kur Kuvendi ka vendosur që të dërgojë për interpretim në gjykatë mandatet e deputetëve kur ndaj tyre ka pasur akuza apo indicie se kanë shkelur nenin 70 të Kushtetutës që ndalon deputetët të përfitojnë nga të mirat publike.
Në këtë rast, mazhoranca ka përdorur afate dhe procedura parlamentare për të zvarritur në kohë shqyrtimin e saj në organet parlamentare dhe me vendim politik ka mbrojtur deputeten e saj duke rrëzuar 2 herë kërkesën e opozitës për ta dërguar këtë çështje për interpretim në Kushtetuese.