![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/2022/10/PHOTO-2022-10-06-09-09-19.jpg)
Ekonomia shqiptare pësoi rënie në dy sektorët më të rëndësishëm të punësimit, sektorit të bujqësisë si dhe në manifakturë, ndërsa njohu rritje në sektorin e ndërtimit, të pronave të patundshme dhe të sektorit publik.
Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave të hënën tregojnë se rritja ekonomike u ngadalësua në 3.63% të tremujorin e parë por sektori i bujqësisë, i cili i shërben një pjese të konsiderueshme të popullsisë, pësoi rënie në masën 1.73%. Bujqësia ka qenë në stanjacion përgjatë të gjithë vitit 2022 dhe për pjesën më të madhe të vitit 2023 ndërsa në dy tremujorët e fundit ka rënë respektivisht 3.04 dhe 1.73%. Një sektor ekonomik konsiderohet zakonisht në recesion nëse ka dy tremujorë radhazi me rënie.
Sektori tjetër i rëndësishëm ai i manifakturës, ku përfshihet industria fason dhe ku punësohen dhjetëramijëra shqiptarë kryesisht të varfër, pësoi rënie në masën 6.75%. Sektori i industrisë në tërësi, ku përfshihen edhe industria e rëndë, minierat apo energjia elektrike, pësoi një rënie më të përmbajtur në masën 1%.
Përkundrejt kësaj, sektori i ndërtimit u rrit me 14% ndërsa administrata publike u rrit me gati 8%. Sektori i pronave të patundshme u rrit me 5.9%. Sektori i shërbimeve, ku përfshihet edhe turizmi, u rrit me 4.63%.
Ekonomia shqiptare ka njohur tashmë rritje me dy shpejtësi, ku sektori i ndërtimit dhe i pronave të patundshme kanë pësuar rritje të fortë ndërsa bujqësia e industria kanë pësuar rënie dhe sektori i shërbimeve, rritje të ngadaltë.