Këshilltari ligjor i Gjykatës së Lartë, Besmir Rrapaj u përball të martën më 9 korrik me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime më së shumti për marrëdhënien me një kushëri i proceduar nga SPAK për mashtrim, prej të cilit kishte marrë një hua. Kjo rrethanë u relatua në kuadër të gjetjeve për kriterin e pastërtisë së figurës, megjithatë u konstatua se nuk ishin gjetur probleme. Po ashtu, KPK nuk konstatoi probleme për pasurinë dhe për profesionalizmin.
Procesi i vetingut për Rrapajn po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Firdes Shuli, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Etleda Çiftjan. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Steven Kessler. Besmir Rrapaj e ka filluar detyrën në viti 2015.
Relatori Hamitaj tha se nuk janë gjetur probleme në blerjen e një automjeti në vitin 2011 për shumën 200 mijë lekë; për një apartament në Selenicë, të përfituar nga familja e subjektit me privatizim, pasuri në të cilën ai zotëron ¼ pjesë takuese; për një gjendje cash 900 mijë lekë të deklaruar në deklaratën para fillimit të detyrës në 2015-ën; si dhe për disa transaksione bankare për llogari të personave të tretë lidhur me dëmshpërblime nga aksidentet. Po ashtu, nga analiza financiare paraprake e përgjithshme, Rrapaj ka rezultuar me bilanc pozitiv.
Për Rrapajn nuk janë gjetur probleme për figurën. Megjithatë, në seancë u relatuan konstatimet për një hua të marrë nga një kushëri i tij, që nga nga sa u tha u kuptua se huadhënësi është biznesmeni Ilir Rrapaj, i hetuar nga SPAK për mashtrim me pasoja të rënda, lidhur me aferën e koncesionit të sterilizimit të pajisjeve mjekësore, çështje në të cilën është marrë i pandehur shpërdorim detyre dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj e zëvendësi tij Klodian Rrjepaj. Ky i fundit akuzohet se ka bashkëpunuar ngushtësisht me Ilir Rrapajn, me qëllim shpalljen fitues të operatorëve ekonomikë, ku pjesëmarrës është me 40% subjekti tregtar “Investital Llc”, me përfaqësues këtë biznesmen.
Sipas relatorit Hamitaj, subjekti e ka marrë huanë për blerjen e një apartamenti në vitin 2018. Për shlyerjen e çmimit të kësaj pasurie, ai ka deklaruar si burime edhe një kredi dhe kursimet. KPK konstaton se kushëriri i subjektit është proceduar nga SPAK në vitin 2020, dy vjet pas marrjes së huasë.
Hamitaj tha se vepra penale për të cilën akuzohet i afërmi i subjektit, nuk bënë pjesë në ato që lidhen me krimin e organizuar. Për rrjedhojë KPK nuk e konsideron si kontakt të papërshtatshëm marrëdhënien e subjektit me të afërmin e tij.
I pyetur nga Komisioni lidhur me marrëdhënien që kishte me huadhënësin, subjekti shpjegoi se janë kushërinj të gradës së dytë. Ai u dha përgjigje dhe pyetjeve të vëzhguesit ndërkombëtar, Steven Kessler, duke deklaruar se megjithësë kushëriri tij ka biznese dhe në Itali, nuk ka asnjë lidhje me aktivitetin privat të vëllezërve. Sipas subjektit, ata i kanë bizneset shumë larg njëri-tjetrit.
Lidhur me punësimin e bashkëshortes në një kompani të Ilir Rrapajt, subjekti shpjegoi se ajo ka qenë juriste dhe është kujdesur për sektorin e burimeve njerëzore dhe financave.
Rrapaj shpjegoi se në atë periudhë ishte pa punë dhe ngaqë dinte se kushëriri kishte disa shoqëri, ishte mundësuar punësimi asaj atje. “Ku ka më mirë se të punosh tek kushëriri”, deklaroi Rrapaj dhe tha se detyrimin financiar që kishte ndaj të afërmit do ta shlyente brenda afatit të përcaktuar.
Në aspektin profesional, u evidentua një gjetje lidhur me një denoncim të kryer ndaj Rrapajt prej dhomës së përmbaruesve privatë. Hamitaj sqaroi se subjekti ka deklaruar se ky denoncim ishte hakmarrje personale e denoncuesve për shkak të detyrës që ai ushtron, pasi është caktuar të kryejë relatime për dy çështje ku paditës është Dhoma e Përmbaruesve private dhe palë e paditur Ministria e Drejtësisë.
Po ashtu, subjekti ka filluar dhe proces gjyqësor ndaj denoncuesve, duke i akuzuar ata për fyerje.
Lidhur me pretendimet e denoncuesve se, subjekti ka shpërdoruar detyrën kur ka punuar në një zyrë përmbarimore, Rrapaj ka shpjeguar se çështjet në fjalë janë trajtuar shumë kohë pasi ai ishte larguar nga ajo detyrë.
Hamitaj tha se pretendimet e denoncuesve nuk duken të bazuara.
Edhe në seancën dëgjimore, Rrapaj deklaroi se denoncimi është kryer për shkaqe personale. Ai tha se pretendimet nuk kanë asnjë lloj lidhje, pasi ishte larguar prej kohësh nga ajo punë.
Në përfundim, ndihmësi ligjore Besmir Rrapaj kërkoi konfirmimin e tij në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet të mërkurën më 10 korrik, në orën 09:45.