![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/2024/07/Prime_Minister_Sir_Keir_Starmer_arrives_at_Number_10_Downing_St_53836916571.jpg)
Argumenti më bindës për demokracinë liberale është se ajo fuqizon qytetarët të zgjedhin liderët e tyre, duke e vendosur në mënyrë efektive të tashmen dhe të ardhmen e vendit në duart e votuesve. Sistemi mbështetet nga një sërë normash, vlerash dhe institucionesh të krijuara për të mbrojtur të drejtat e pakicave dhe për të parandaluar kalimin e demokracisë në mazhoritarizëm joliberal.
Sundimi i ligjit gjithashtu luan një rol vendimtar. Kur isha guvernator i Hong Kongut, homologët e mi komunistë kinezë nuk mund ta kuptonin se përse ligji duhet të zbatohej njësoj si për ata në pushtet ashtu edhe për publikun. Në vendet autoritare si Kina, sundimtarët dhe partitë në pushtet konsiderohen të pagabueshëm, ndërsa qytetarët e zakonshëm konsiderohen të paaftë për të marrë vendimet e duhura për çështje publike dhe madje edhe për jetën e tyre.
Në mënyrë thelbësore, demokracitë lulëzojnë me fjalën e lirë dhe debatin e hapur. Duke kritikuar qeverinë, mediat mund të kanalizojnë pakënaqësinë popullore dhe t’i mbajnë liderët politikë përgjegjës, duke mos lejuar kështu qeveritë që të shpërfillin interesat dhe aspiratat e qytetarëve.
Ndryshe nga kjo, diktatorët nuk mund t’i tolerojnë kritikat. Nëse jetoni në një vend autoritar dhe guxoni të kritikoni qeverinë, rrezikoni burg apo edhe dënim me vdekje. Në Hong Kong, për shembull, disidenti dhe sipërmarrësi i medias Jimmy Lai, gazetat e të cilit mbronin një demokraci më të madhe dhe fjalën e lirë përpara se autoritetet t’i mbyllnin ato, është në burg dhe ka gjasa ta kalojë pjesën tjetër të jetës së tij pas hekurave.
Ndryshe nga regjimet autoritare si ato në Kinë dhe Rusi, liderët demokratikë nuk mund të mbështeten te detyrimi dhe duhet t’i bindin qytetarët se demokracia përfaqësuese është sistemi më i mirë. Deri në fund të këtij viti historik zgjedhor, do të kemi një ide më të qartë të aftësisë së partive demokratike për të bindur votuesit se sistemi ia vlen të shpëtohet dhe, rrjedhimisht, nëse shekulli njëzet e një do të formësohet nga demokratët apo nga diktatorët aspirantë.
Zgjedhjet e përgjithshme të fundit në Mbretërinë e Bashkuar ofrojnë një dritëz shprese. Sigurisht, fakti që Partia Laburiste e kryeministrit Keir Starmer qe në gjendje të fitonte dy të tretat e vendeve në Parlament, pavarësisht se mori vetëm 33.8% të votave, mund të ngrejë pikëpyetje në lidhje me mandatin e saj politik. Por askush nuk e vë në dyshim nëse fitorja dërrmuese e Laburistëve, e cila i dha fund 14 viteve të sundimit gjithnjë e më të papëlqyeshëm të konservatorëve, ishte legjitime. Lideri konservator në largim dhe ish-kryeministri Rishi Sunak pranoi pa kundërshtuar rezultatet dhe i uroi suksese pasuesit të tij, siç pritet në një demokraci.
Duke pasur parasysh magnitudën e këtij tërmeti politik dhe me pjesën e përgjithshme të votave të konservatorëve që arriti nivelin më të ulët në dekada, nuk është çudi që shumica e vëmendjes së medias është përqendruar në atë që konservatorët duhet të bëjnë për të rigrupuar dhe rindërtuar. Por një pyetje më e rëndësishme është nëse qeveria e Starmer do të jetë në gjendje të trajtojë problemet e shumta ekonomike të Mbretërisë së Bashkuar pa u përballur me reagime të rëndësishme politike. Mbetet për t’u parë nëse qeveria mund të stimulojë rritjen dhe të ndreqë shërbimet publike të përkeqësuara të Britanisë pa rritur taksat ose pa shkaktuar borxhe shtesë.
Ky problem nuk kufizohet vetëm në Mbretërinë e Bashkuar. Ndërsa demokracitë liberale përballen me një rritje ekonomike të dobët, qeveritë e tyre po luftojnë për të përmirësuar shërbimet publike dhe për të rritur të ardhurat e familjeve. Kjo krijon terren pjellor që politikanët populistë të fitojnë mbështetje duke premtuar zgjidhje të thjeshta dhe duke shfrytëzuar emigrantët.
Rezultati befasues i zgjedhjeve të parakohshme të Francës, në të cilat Tubimi Kombëtar i ekstremit të djathtë të Marine Le Pen përfundoi i treti pas Frontit të Ri Popullor të krahut të majtë dhe Ensemble qendror të presidentit Emmanuel Macron, ofron arsye për optimizëm të kujdesshëm. Ndërsa fitorja tronditëse e së majtës mund të rezultojë në një ngërçpolitik dhe jo në një koalicion të moderuar, ajo tregon se demokracia franceze mund të jetë më elastike se sa supozohej më parë.
Por e ardhmja e qeverisjes demokratike mund të varet përfundimisht nga rezultati i zgjedhjeve të ardhshme presidenciale të Amerikës. Kjo është alarmante, duke qenë se dy kandidatët e moshuar zor se pasqyrojnë më të mirën që Shtetet e Bashkuara kanë për të ofruar. Ish-presidenti Donald Trump e ka bërë të qartë se do t’i pranojë rezultatet e zgjedhjeve vetëm nëse fiton. Me sjelljen e tij potencialisht kriminale që tani gëzon mbrojtjen e një Gjykate Supreme shumë të politizuar, është gjithnjë e më e vështirë që SHBA-ja të konsiderohet si një standard për sundimin e ligjit.
Ndërkohë, performanca katastrofike e presidentit Joe Biden në debatin presidencial të muajit të kaluar ka ngritur dyshime rreth aftësisë së tij mendore dhe aftësisë për të mposhtur Trump. Ndërsa ai ka emëruar individë shumë të aftë në poste të larta në administratën e tij, mbetet e paqartë nëse vetë Biden mund ta përballojë punën më të lakmuar në botë.
Ndërsa demokracitë si SHBA-ja dhe Britania e Madhe luftojnë me problemet që dikur dukej se i menaxhonin me lehtësi, autoritarët – nga sundimtarët si presidenti kinez Xi Jinping dhe presidenti rus Vladimir Putin e deri te miqtë ideologjikë si kryeministri hungarez Viktor Orbán – shikojnë duke fërkuar duart. Nëse liderët demokratë duan të garantojnë që vendet e tyre t’i rezistojnë joshjes së demagogëve joliberalë, ata duhet të përmbushin vlerat e tyre të deklaruara dhe të ofrojnë qeverisje të përgjegjshme, prosperitet të përbashkët dhe shërbime publike me cilësi të lartë.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Can Democracy win in 2024?