![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Fatos-Tushe-111.jpg)
Ish-kryebashkiaku socialist i Bashkisë Lushnjë Fatos Tushe, i cili u dënua në vitin 2022 nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, pritet të përballet sërish në gjykatë, kësaj here nën akuzën e mosdeklarimit të pasurisë, një vepër penale e cila parashikon dënim me gjobë ose me burg deri në tre vjet.
Sipas SPAK, Tushe disponon “de facto” një apartament në Lungomare të Vlorës me sipërfaqe 82 metra, shpenzimin për blerjen e së cilit, 2.3 milionë lekë, si dhe nuk ka deklaruar blerjen e dy automjeteve me vlerë totale gati 47 mijë euro në vitin 2021.
“Nga tërësia e akteve dhe e provave të administruara gjatë hetimit, provohet tej dyshimit të arsyeshëm të bazuar në prova se i pandehuri Fatos Tushe, ish – kryetar i Bashkisë Lushnje, ka kryer deklarim të rremë të pasurisë dhe interesave, si dhe ka kryer fshehje të pasurisë, interesave dhe shpenzimeve në këto deklarata”, shkruhet në njoftimin e SPAK.
Tushe u arrestua në vitin 2021, një nga operacionet më të hershme të Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pasi hetimet e kryera përmes përgjimeve dhe analizimit të dokumentev e zbuloi një skemë të manipulimit të tenderëve dhe vjedhjes së karburantit të blerë për përdorim të bashkisë.
Gjatë procesit gjyqësor, Tushe doli i pafajshëm për akuzën e korrupsionit dhe u dënua me 2 vjet e 4 muaj për abuzim me detyrën. Ai përfundoi dënimin dhe u lirua nga burgu në janar 2023.
Tushe ka qenë kryebashkiak jetëgjatë i Bashkisë Lushnje nga viti 2007 deri në vitin 2009 dhe nga viti 2011 deri në vitin 2021 kur u shkarkua për shkak se u arrestua nga SPAK. Ai ka qenë deputet socialist mes viteve 2009 dhe 2011.