Policia e Shtetit njoftoi të hënën se ka arrestuar një 35 vjeçar me inicialet E.M., i cili dyshohet si bashkëpunëtor në tentativën e Armandi Nelajt, një biznesmen në Sarandë, për të bombarduar një traget linje, tentativë që përfundoi me vdekjen e Nelajt. Sipas policisë, arsyeja se pse Nelaj po planifikonte të hidhte në erë tragetin e linjës Sarandë – Korfuz ishte për konkurrencë.
“Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore të kryera, bënë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të ngjarjes së ndodhur më datë 24.06.2024, në portin e Sarandës, ku si pasojë e një shpërthimi në det, humbi jetën shtetasi A. N.,” bëri të ditur policia në njoftim.
“Si rezultat i hetimeve, është ndaluar shtetasi E. M., 35 vjeç, banues në Sarandë. Ky shtetas dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin A. N. kishin planifikuar vënien e një sasie eksplozivi te njëra nga anijet që operon në linjën Sarandë-Korfuz, për motive konkurrence. Kjo sasi lënde plasëse ka shpërthyer aksidentalisht, gjatë tentativës për ta transportuar dhe vënë në anije, dhe si pasojë ka humbur jetën shtetasi A. N.,” thuhet më tej në njoftim.
Nelaj u gjend pa jetë në det në afërsi të portit detar të Sarandës pasi ishte parë të hynte për zhytje në det. Dyshimi fillestar ra mbi shpërthimin aksidental të bombulës së oksigjenit të përdorur për zhytje ndërsa hetimet e mëvona zbuluan skemën, e cila mund të ishte kthyer në tragjedi për udhëtarët e linjës Sarandë – Korfuz.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2021 Reporter.al - BIRN
Dev by Aplikacione.com