![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/2024/07/word-cloud-democracy.jpg)
Për ca kohë tashmë, ka qenë e qartë se dy zgjedhje – një në secilën anë të Atlantikut – do të vendosnin fatin e demokracisë liberale në 2024: zgjedhjet e Parlamentit Evropian të qershorit dhe zgjedhjet presidenciale të nëntorit në SHBA. Ndërkohë që frika se zgjedhjet evropiane do t'u jepnin një fitore partive të ekstremit të djathtë anti-Bashkimit Evropian, nuk u vërtetua, demokracia liberale zor se ështëe sigurt, as në Evropë dhe as në Shtetet e Bashkuara.
Megjithëse BE-ja u kursye nga më e keqja në zgjedhjet e fundit, partitë e ekstremit të djathtë arritën përfitime të konsiderueshme, veçanërisht në dy vendet anëtare më të mëdha (ekonomike) dhe më të rëndësishme (politike), Francë dhe Gjermani. Në Gjermani, Alternativa për Gjermaninë e ekstremit të djathtë zuri vendin e dytë, ndërsa Kristian Demokratët e qendrës së djathtë mbetën forca më e fortë. Në Francë, Tubimi Kombëtar i ekstremit të djathtë doli i pari, duke bërë që presidenti Emmanuel Macron të shpërndante parlamentin dhe të shpallte zgjedhje të parakohshme.
Ky vendim e solli Tubimin Kombëtar në pragun e pushtetit, megjithëse një fatkeqësi u shmang në raundin e dytë të zgjedhjeve. E majta, e bashkuar nën ombrellën e Frontit të Ri Popullor, doli në vendin e parë, por nk arriti një shumicë. Me një parlament në ngërç,Franca do të paralizohet, me pasoja fatale për Evropën. Gjermania e vetme nuk mund të avancojë objektivin e bllokut për të siguruar sovranitetin e saj në një botë më të rrezikshme.
Ndërkohë, përtej Atlantikut, një uragan politik po shpërthen. Pas performancës së tij të dobët në debat në qershor, presidenti Joe Biden më në fund ka vendosur të largohet nga gara dhe të mbështesë zv/presidenten e tij, Kamala Harris. Por Donald Trump është goxha afër. Nëse sondazhet vërtetohen, ai mund të kthehet në Shtëpinë e Bardhë në janar dhe kjo gjithashtu do të kishte pasoja të mëdha për Evropën (së bashku me pjesën tjetër të Perëndimit).
Kjo nuk do të ndikonte vetëm në luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, situatën e ndryshuar thelbësisht të sigurisë në Evropë ose të ardhmen e pasigurt të NATO-s. Kjo ka të bëjë me vlerat dhe institucionet thelbësore që mbështesin demokracinë perëndimore. Nëse SHBA-ja transformohet nga një demokraci liberale në një demokraci “joliberale”, ka shumë njerëz në Evropë që do ta festojnë identitetin e saj të ri. Për më tepër, nuk duhet nënvlerësuar asnjëherë shkalla në të cilën Amerika mund të ndikojë në çështjet evropiane.
Një tjetër presidencë e Trump nuk do të ishte si ajo e fundit. Trump 2.0 do të bënte gjithçka që mundej për ta ndryshuar Amerikën përgjithmonë nga një demokraci liberale në një demokraci në të cilën vetë impulset e tij autokratike, autoritare do të kishin frerë të lirë. Ai do të tregonte zero tolerancë për armiqtë dhe rivalët e tij dhe asnjë shqetësim për ndarjen e pushteteve apo kushtetutën. Ai e tregoi tashmë se sa larg është i gatshëm të shkojë më 6 janar 2021, kur inkurajoi mbështetësit e tij të sulmonin Kapitolin, pas javësh të tëra përpjekje për të përmbysur rezultatet e një zgjedhjeje të lirë dhe të ndershme.
Për këtë arsye, presidenti rus Vladimir Putin nuk është i vetmi që shpreson për një fitore të Trump. Të gjitha partitë e djathta-nacionaliste dhe të ekstremit të djathtë e shpresojnë po ashtu këtë, sepse ato dëshirojnë të sjellin të njëjtat lloje ndryshimesh në shtëpi.
Kuptimi ynë aktual i demokracisë liberale perëndimore – që paraqet një ndarje të pushteteve, zgjedhje të lira dhe të ndershme, sundim të ligjit, mbrojtje kushtetuese për pakicat, lirinë e shprehjes dhe të drejta të tjera themelore – është rezultat i fitoreve të Amerikës në Luftën e Dytë Botërore dhe më pas në Luftën e Ftohtë. Nëse SHBA-ja do të hiqte dorë nga roli i saj si forca lëvizëse dhe shembulli kryesor i kësaj forme liberale të demokracisë, Perëndimi liberal në tërësi do të ishte në rrezik dhe Evropa liberale akoma më shumë.
Një fitore e Trump do të forconte dhe inkurajonte partitë nacionaliste të ekstremit të djathtë në të gjithë kontinentin, ndërkohë që do të forconte Rusinë përmes një ndërprerjeje të mbështetjes amerikane për Ukrainën. Me Francën tashmë të paralizuar, projekti evropian do të ishte plotësisht në mëshirën e atyre që duan ta eliminojnë atë. Për ata që e vlerësojnë BE-në, ky do të ishte një makth.
Siç ka treguar kriza e Ukrainës, Perëndimi transatlantik nuk mund të mposhtet nga jashtë, por mund të dobësohet dhe të përçahet nga brenda. Nëse evropianët bien sërish në nacionalizëm, ne do të kemi humbur shansin tonë të fundit për të vendosur vetë fatin tonë dhe për të siguruar paqen dhe lirinë për fëmijët dhe nipërit tanë.
Duke pasur parasysh ndryshimin e mjedisit gjeopolitik – rivaliteti midis fuqive të mëdha, ngritja e Jugut Global, dobësia demografike e ekonomive të përparuara dhe revolucionet e reja teknologjike – Evropa nuk do të ketë një shans tjetër për të formësuar botën e së nesërmes. Shumë është në rrezik më 5 nëntor 2024, kur amerikanët të shkojnë në votime. Bota siç e njohim ne këtu në Evropën liberale mund të pushojë së ekzistuari në mëngjesin e 6 nëntorit.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Liberal Democracy Hangs in the Balance