![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/2024/07/WhatsApp-Image-2024-07-30-at-16.52.36_d3803c8c-scaled.jpg)
Një zjarr në Malin e Shëngjinin vijon prej dy ditësh jashtë kontrollit, ndërsa të martën një prej banesave pranë zonës u përfshi nga flakët dhe një lagje u evakuua.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi se situata ishte urgjente dhe u bëri thirrje banorëve të bashkëpunonin për evakuimin. “Pavarësisht punës së pandërprerë të forcave opreaionale në terren, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, situata në vatrën e zjarrit në fshatin Mal Shëngjin është problematike”, njoftoi ministria të martën.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes në zonë janë duke punuar për izolimin e zjarrit 40 mjete zjarrfikëse dhe 150 forca operacionale, ndërsa po përdoret edhe një nga helikopterët e ministrisë. Ministria e Mbrojtjes bëri me dije se ishte kërkuar edhe ndihmë nga Mekanzimit Evropian të Mbrojtjes Civile dhe pritet të mbërrijnë shumë shpejt dy avionë Canadair për ndërhyrje nga ajri.
Kjo nuk është hera e parë që Mali i Shëngjinit, që ndodhet pranë bregdetit, të përfshihet nga flakët. Masivi pyjor është djegur disa herë dhe thuajse çdo vit flakët kanë rrezikuar lagjet pranë tij.
Banorë shpesh kanë ngritur dyshime se flakët janë të qëllimshme për t'u hapur rrugë ndërtimeve në zonë.