![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/20210730_195001_300721_5_01-1_R7eE0wy.jpg)
Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP miratoi të mërkurën më 31 korrik projekt-aktet për emërimin në detyrë si prokurorë në Prokurorinë e Posaçme të drejtueses së Prokurorisë së Durrësit, Anita Jella dhe prokurorit të Tiranës, Bledar Maksuti. Në tetor 2023, KLP hapi garën për plotësimin e tre vendeve të fundit vakante në SPAK. Nga ata që garuan, u vlerësua se plotësonin kriteret ligjore tetë prokurorë. Pas verifikimeve dhe intervistimit, Këshilli renditi të parin Ols Dadon, që në atë kohë ishte i komanduar në SPAK. Në vijim sipas pikëve u renditën Anita Jella, Ndini Tavani, Bledar Maksuti, Kreshnik Ajazi, Pal Deçolli, Albert Kuliçi dhe Sonila Muhametaj.
Tre të parët u verifikuan nga Komisioni i Posaçëm i Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës, ku Dado dhe Jella e Kaluan me sukses, ndërsa për prokurorin Ndini Tavani u vlerësua se nuk i plotësonte kushtet e sigurisë për t'u bërë pjesë e SPAK. Për rrjedhojë, KLP vendosi me pëlqimin e tetë anëtarëve të pranishëm moscaktimin në detyrë si prokuror në SPAK të Ndini Tavanit.
I pyetur për koment lidhur më këtë rrethanë, prokurori Ndini Tavani pohoi për BIRN gjatë një bisede telefonike, se gjatë tre muajve të fundit u kishte dërguar tre shkresa KLP-së dhe një kërkesë Komisionit të Posaçëm, për t'u njohur me raportin që e penalizon, por se nuk i ishte dhënë asnjë përgjigje. “Kam tre muaj që bëj kërkesë dhe jam ende në errësirë”, tha Tavani dhe shtoi se ishte njoftuar nga mediat për mbledhjen e KLP-së, si dhe se nuk ishte ftuar asnjëherë për t'u dëgjuar apo mbrojtur, në kuadër të një procesi të rregullt ligjor.
“Nuk ka sens. Ta di pse po më ‘shkarkojnë'”, tha Tavani duke e cilësuar raportin e Komisionit të Posaçëm si shkarkues. Sipas tij, nuk mund të ketë prokuror të përshtatshëm për një juridiksion prokurorie dhe të mos jetë i përshtatshëm për një juridiksion tjetër. Tavani theksoi se “ose je, ose nuk je prokuror i përshtatshëm”. Ai kërkoi që KLP gjetjet t'i referojë pranë ILD-së. Prokurori Tavani përfundoi se do të vendoste ankimin ose jo të vendimmarrjes pasi të njihej me arsyetimin dhe gjetjet për të cilat është penalizuar.
Pas vendimmarrjes për moscaktimin e Tavanit në SPAK, KLP emëroi pranë strukturës së posaçme të katërtin në renditje, prokurorin Bledar Maksuti, i cili rezultoi të kishte kaluar testin e Komisionit të Posaçëm për figurën dhe pasurinë.
Prokurori Ols Dado u emërua pranë SPAK në mars të këtij viti. Me emërimin e Jellës dhe Maksutit të mërkurën, SPAK tashmë e ka plotësuar trupën e 20 prokurorëve.
Ols Dado ka punuar në sektorin privat dhe si noter, përpara se të emërohej në Prokurorinë e Pogradecit në vitin 2008. Në vitin 2010 ai u transferua në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ndërsa prej vitit 2020 u komandua në Prokurorinë e Përgjithshme si ndihmës magjistrat, transferim që u ndërpre më 6 mars të vitit të kaluar, për të filluar një komandim të ri në SPAK e duke u bërë pjesë e kësaj trupe prokurorësh.
Anita Jella, pasi përfundoi Shkollën e Magjistraturës ka punuar si prokurore në Elbasan në vitet 2001-2003 dhe më pas si drejtuese e Prokurorisë së Librazhdit deri në vitin 2007. Pas rikthimit për një vit në Prokurorinë e Elbasanit, Jella u emërua prokurore në Prokurorinë e Durrësit, ku e ushtron funksionin prej 10 vitesh. Prej 9 majit 2018, ajo drejtoi Prokurorin e Durrësit.
Prokurori Bledar Maksuti e ka nisur karrierën si oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në vitin 2004, ndërsa në vitin 2008 ai u emërua prokuror në Kurbin. Në periudhën 2010-2012, Maksuti ka punuar në Prokurorinë e Përgjithshme dhe prej vitit 2012 e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Tiranës.
Në mbledhjen plenare u vendos ndër të tjera fillimi procedurës për caktimin e përkohshëm të drejtuesit të Prokurorisë së Durrësit, pozicion që mbetet vakant pas kalimit të Jellës në SPAK.
Po ashtu, u vendos dhe pezullimi nga detyra i drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka, pas vendosjes së masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj tij, për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm.