Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi denoncoi të premten në një konferencë për shtyp mungesën e barnave dhe kurave në Spitalin Onkologjik në QSUNT, duke e cilësuar menaxhimin e këtij sektori nga qeveria si vrasje me dashje.
“Vazhdojnë mungesat në disa medikamente, në disa kura,” tha Vokshi, ndërsa shtoi se “vijon mosfunksionimi i aparaturave dhe pajisjeve të trajtimit”.
“Ajo çka ndodhi tek Onkologjiku është veç një tjetër skandal, në radhën e gjatë të skandaleve të kësaj qeverie, me ndryshimin e vetëm që çdo ditë që zgjat ky skandal, çdo ditë që nuk reagohet, më shumë pacientëve ju përkeqësohet shëndeti, më shumë humbin jetën,” shtoi deputetja e PD-së.
Një investigim i publikuar nga BIRN me autor gazetarin Osman Stafa, zbuloi se gjatë vitit 2024 qindra pacientëve u është mohuar trajtimi shëndetësor sipas protokollit në Spitalin Onkologjik të Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza' për shkak të mungesës së lëndëve radioaktive dhe barnave të kimioterapisë.
Vokshi citoi dëshmitë e bëra publike nga Stafa se pacientët e dhe familjarët e tyre kanë frikë ta denoncojnë gjendjen në Spitalin Onkologjik.
“Në shkrimin e tij të fundit gazetari Osman Stafa ka trajtuar raste të dhimbshme ku mjekët e njohin mirë situatën por heshtin, të pacientëve dhe familjarëve që edhe pse ju mohohet një e drejtë kushtetuese për shërbim shëndetësor, vuajnë në heshtje, nuk guxojnë të flasin,” tha ajo.
Me datë 1 gusht deputetja Voksh ka bërë kallëzim në SPAK për veprat penale ‘shpërdorim detyre', ‘vrasje me dashje', ‘vrasje me dashje në lidhje me një krim tjetër,” ‘neglizhenca në trajtim mjekësor', dhe ‘materialet bërthamore dhe substance të tjera të rrezikshme'.
Përveç kryeministrit Edi Rama dhe ministres Koçiu, të kallëzuar nga deputetja e PD-së janë ish-ministrat e Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe Ogerta Manastirliu, si dhe drejtorët e QSUNT-së Albana Fico, Enkeled Joti, zv.drejtorë, shefa shërbimesh, si dhe çdo person tjetër që nga hetimi do të rezultojë me përgjegjësi penale.