Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë deklaroi të premten përmes një mesazhi në platformën X se do të angazhohej në mbështetje të komisionit të posaçëm anti-korrupsion, të ngritur nga mazhoranca në parlament.
“Si partnerë të palëkundur të përpjekjeve të Shqipërisë për të çuar përpara reformat e nevojshme për anëtarësim në BE, Ambasada e SHBA do të angazhohet me komisionin e posaçëm për mirëqeverisjen, anti-korrupsionin dhe sundimin e ligjit,” deklaroi ambasada e SHBA-ve.
“Pritshmëria jonë është që puna e këtij komisioni të jetë përfshirëse dhe transparente…,” shtoi ajo.
Edhe ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato, deklaroi angazhimin konkret në komision gjatë një takimi me kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali të mërkurën.
“Konfirmova gjithashtu se BE-ja do të angazhohej me komisionet e posaçme parlamentare – për thellimin e reformave për qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin, si dhe për luftimin e dezinformimit dhe formave të tjera të ndërhyrjes së huaj në procesin demokratik – me synimin për të siguruar koherencë e plotë me angazhimet të Shqipërisë për anëtarësim në BE,” njoftoi Gonzato pas këtij takimi.
Komisioni i posaçëm parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” drejtohet nga deputeti socialist, Fatmir Xhafaj.
Ai nisi punën në mënyrë të njënashme, pasi Kuvendi miratoi në prill vetëm me votat e PS-së ngritjen e tij bazuar mbi një rezolutë të inicuar nga kryeministri Edi Rama.
Mazhoranca pretendon se qëllimi është rritja dhe forcimi i rolit të Kuvendit si ndërmjetës mes institucioneve të pavaruara dhe agjencive ligjzbatuese për ecurinë reformave anti-korrupsion në kuadër të integrimit.
Por, opozita ka qenë skeptike për qëllimet e këtij komisioni dhe ka bojkotuar pjesëmarrjen në mbledhjet e para të tij.
Angazhimi teknik i partnerëve ndërkombëtare pritet të bëhet nëpërmjet përfaqësuesve të misioneve për ndihmë ligjore në Shqipëri, EU-JUST dhe OPDAT.