Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të dielën më 22 shtator se ka dërguar për gjykim, çështjen penale në ngarkim të ish-kryebashkiakut të Himarës Jorgo Goro i akuzuar për shpërdorim detyre në dy raste dhe fshehje e mosdeklarim të pasurisë.
Prej marsit të këtij viti Goro gjendet në burg pasi akuzohet nga SPAK se në bashkëpunim me vartës dhe zyrtarë të Kadastrës, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara kanë mundësuar kalimin e sipërfaqeve të konsiderueshme tokë shtet në Himarë në favor të privatëve, pasuri që aktualisht janë në zotërim të një shoqërie të Artan Gaçit, bashkëshortit të deputetes socialiste Olta Xhaçka, i cili ka fituar statusin e investitorit strategjik. Gjykata ndërkohë ka sekuestruar një apartament në pronësi të tij, ndërsa ai akuzohet edhe për tjetërsimin e një sipërfaqe në favor të Arqilea Bollanos, i cili e zëvendësoi si kryetar i komanduar i bashkisë Himarë pas arrestimit.
Të pandehurit e tjerë për shpërdorim detyre janë Jerasimo Bashi, ish-drejtor i Menaxhimit dhe Mbrojtes së Tokës në Bashkinë Himarë dhe dy zyrtarët e ZVRPP Vlorë, ish drejtori Bilbil Aliaj dhe juristi Vezir Gjikolaj. Stavri Mëhilli akuzohet për veprat penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Falsifikimi i dokumentave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
“[…]Nga hetimi rezultoi plotësisht e provuar se ish titullari i Bashkisë Himarë, i pandehuri Jorgo Goro, në bashkëpunim me Drejtorin e DMMT-së pranë kësaj Bashkie, të pandehurin Jerasimo Bashi, kanë dërguar pranë ZVRPP-së Vlorë për qëllime regjistrimi të pasurisë, shkresën Nr. 731 Prot., datë 18.03.2019, bashkëngjitur së cilës ndodhej dokumentacion i cili qartazi përmbante të dhëna të rreme, në një kohë që pranë kësaj Bashkie, ky dokumentacion ndodhej i mirëadministruar dhe me të dhëna autentike të pasurisë së ndarë me ligjin Nr. 7501, në favor të shtetasit F. M”, citohet në njoftim për episodin e parë të tjetërsimit.
Prokuroria shton, se megjithëse ka qenë fare e lehtë për ish zyrtarët e Bashkisë Himarë të konfirmonin ose jo vërtetësinë e AMTP-së dhe Formularit Nr. 6, të paraqitur nga i pandehuri Stavri Mëhilli, siç ligji e kërkon, ata kanë dërguar një kërkesë për regjistrim të pasurisë me përmbajtje të rreme, si dhe me dokumentacion bashkëngjitur të provuar të falsifikuar.
Për episodin e dytë sqarohet se është provuar fakti se të pandehurit, në bashkëpunim kanë konfirmuar një plan rilevimi me një vendndodhje gjeografike të pasurisë krejtësisht të ndryshme nga ajo që i korrespondon dokumentacionit pronësor. “Madje kësaj pasurie, të pandehurit i kanë dhënë një numër të ri (36/35) të pabazuar në asnjë të dhënë fakti dhe krejtësisht në kapërcim të kompetencave që u njeh ligji. Ky plan rilevimi i konfirmuar nga të bashkëpandehurit ka shërbyer për të gjithë procedurën e zhvillimit të pronës deri në lëshimin e Lejes së Ndërtimit në emër të shoqërisë “AG.TÇ” sh.p.k.”, konstaton SPAK dhe për arsye se këto pasuri janë krijuar duke përdorur dokumenteve të falsifikuar, ia ka vendosur nën sekuestro.