Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato kritikoi Kuvendin e Shqipërisë për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, pasi me votat e shumicës socialiste u rrëzuan në dy raste vendimet e kësaj gjykate për mandatin e deputetes Olta Xhaçka, ndaj së cilës ka indicie për papajtueshmëri të mandatit pasi bashkëshorti i saj u shpall “investitor strategjik” nga qeveria.
“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen siç nxirren nga ajo dhe kjo është thelbësore në një shtet demokratik,” tha të enjten ambasadori Gonzato.
Gonzato i bëri komentet gjatë një aktiviteti të kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali me drejtues të Institucioneve të Pavarura, ku u diskutua për forcimin e bashkëpunimit, llogaridhënies dhe respektimit të pavarësisë së këtyre institucioneve nga politika.
Disa ditë më parë, mazhoranca socialiste abstenoi gjatë votimit për dërgimin e mocionit për Xhaçkën për interpretim në Kushtetuese, duke bërë që ai të rrëzohej, edhe pse vendimi i gjykatës e detyronte Kuvendin të votonte pro.
Ambasadori i BE-së gjithashtu sugjeroi që parlamenti “mund të luajë një rol kyç për moskthimin pas të reformës në drejtësi”, duke iu referuar komisionit të posaçëm të ngritur në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca për reformat anti-korrupsion.
Përfaqësues të opozitës në tryezë ngritën po ashtu shqetësimin për mosrespektimin e pavarësisë së institucioneve, duke akuzuar mazhorancën për tentativë të kapjes apo cenimit të këtyre institucioneve.
“Kuvendi ka rrënuar besimin e publikut tek autoriteti i Gjykatës Kushtetuese duke ofruar mbështetje politike për deputeten Olta Xhaçka,” tha deputetja Ina Zhupa nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike.
Përfaqësuesit e PS-së mbrojtën qëndrimin e tyre ndaj rastit “Xhaçka” si një rast i veçantë i marrëdhënies mes Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese, ku kishte “paqartësi juridike” në vendimet e gjykatës, ndërsa këmbëngulën se se kanë zbatuar vendimet e kësaj gjykate dhe kanë respektuar pavarësinë institucionale.
“Kuvendi ka bërë çdo përpjekje për të mos vënë në dyshim detyrimet e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, por rasti i fundit kërkonte qartësi juridike për mënyrën e zbatimit,” tha kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka duke shtuar se për këtë arsye është kërkuar opinion nga Komisioni i Venecias.
Ndërsa zgjatja tej afateve e mandateve apo mosmiratimi i nismave ligjore, sipas Bushkës, lidhej me mungesën e dialogut politik.
Drejtuesit e institucioneve të pavarura të pranishëm në tryezë kërkuar që bashkëpunimi me Kuvendin të ishte më rezultativ në mbështetje të tyre, kryesisht në raport me kërkesat e tyre të vazhdueshme për ndryshime ligjore. Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, shprehu shqetësimin se Kuvendi nuk ishte përgjigjur nevojës së këtij këshilli për të miratuar nismat ligjore, si ajo për zgjidhjen e çështjeve të prapambetura në gjykata.
“Deri më tani nuk kemi asnjë feedback nga Kuvendi mbi ecurinë pavarësisht urgjencës dhe nevojshmërisë që kemi deklaruar ne për këto nisma,” tha ajo.