Prokurori Gëzim Veizi i Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës do të përballet të mërkurën më 9 tetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i tij i vetingut po kryhet nga trupa e përbërë nga Valbona Sanxhaktari, Firdes Shuli dhe Olsi Komici.
Gëzim Veizi e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 si oficer i Policisë Gjyqësore. Ai u emërua prokuror në vitin 2013 dhe prej asaj kohe e ushtron funksionin në Prokurorinë e Durrësit.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë familjare të prokurorit Gëzim Veizi nga viti 2003 deri në fund të vitit 2019. [Kliko për skedën në PDF]
Në deklarimin për herë të parë në vitin 2003, prokurori Gëzim Veizi deklaronte pasuri me vlerë 3.7 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2019, pasuria e tij familjare llogaritet në vlerën e 29 milionë lekëve.
Ai zotëron familjarisht pasuri të patundshme me vlerë 25.5 milionë lekë, likujditete bankare me vlerë 2.8 milionë lekë, kursime në cash prej 250 mijë lekësh si dhe automjet me vlerë 350 mijë lekë.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 24 milionë lekë, nga të cilat 40% kanë si burim pagën e subjektit, 57% pagat e familjarëve dhe 2.2 për qind të ardhurat nga qiratë.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 9 vite të deklarimit, asnjë prej deklaratave nuk rezulton me probleme.
Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” huamarrjet që shërbyen si burim për pasurinë e subjektit.
Subjekti Gëzim Veizi gjatë periudhës 2004- 2019 deklaron pronësinë në tre apartamente banimi, ku i pari është përfituar nga ligji i privatizimit, por deklaruar me vlerë 35 milionë (mendohet të jetë vlera e tregut në lekë të vjetra) dhe dy apartamente të tjerë financuar me kredi bankare dhe pjesërisht me huamarrje në shumën 15,000 euro. Detyrimi i pashlyer nga huamarrja deri me datë 31.12.2019 është 10,000 euro.
Deklarata e pasurisë së vitit 2003
Deklarata e pasurisë së vitit 2004
Deklarata Para Fillimit të Detyrës 2013
Deklarata e pasurisë së vitit 2013
Deklarata e pasurisë së vitit 2014
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
Deklarata e pasurisë së vitit 2017
Deklarata e pasurisë së vitit 2018
Deklarata e pasurisë së vitit 2019
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al