![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Elbasan-perplasje-elektorale-me-arme.gif)
Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë shpalli të hënën vendimin ndaj Arbër Paplekajt, i akuzuar për vrasjen e mjekut psikiatër Pjerin Xhuvani më 21 prill të vitit 2021 në rrugën “Lef Nosi” në Elbasan, katër ditë përpara se të zhvilloheshin zgjedhjet parlamentare, të cilat Partia Socialiste i fitoi mes akuzave për blerje votash dhe përdorim të strukturave të krimit të organizuar në fushatë elektorale.
Nga 22 vjet burg që e kishte dënuar Gjykata e Elbasanit për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, Apeli ndryshoi kualifikimin e akuzës ndaj Paplekajt në “Vrasja e kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike” të parashikuar nga neni 82 i Kodit Penal, që përcakton dënimin maksimal me 8 vjet burg dhe vendosi në përfundim dënimin e Paplekajt me 7 vjet heqje lirie.
Gjatë fushatës për zgjedhjet paralamentare të vitit 2021, Partia Demokratike në opozitë u ankua disa herë publikisht për manipulim të zgjedhësve e blerje votash, si dhe dorëzoi kallëzime penale, por autoritetet, përfshirë policinë dhe prokuroritë, nuk shfaqën ndonjë entuziazëm për të hetuar akuzat e ngritura. Ndërsa zgjedhjet u afruan, në terren filluan të shfaqen mbështetës të opozitës, të cilët u duk sikur patën vendosur të marrin vetë ligjin në dorë, duke bllokuar automjete të dyshuara të palës kundërshtare.
Pas mesditës të 21 prillit 2021, grupi i mbështetësve të opozitës që vepronte në Elbasan, i përbërë pothuajse tërësisht nga persona me eksperiencë ushtarake, bllokoi një automjet pa targa, brenda së cilit gjendej shtetasi Mehmet Greca, i cili njihet në zonë edhe me nofkën Met Dafllaku. Një person me të shkuar penale, Greca ishte dënuar më herët në Mbretërinë e Bashkuar për trafik droge ndërsa më pas është arrestuar nga policia shqiptare, po ashtu për posedim droge.
Arjan Hoxha, njëri prej mbështetësve të opozitës, i telefonoi policisë me dyshimin se Greca po përfshihej në manipulim votash. Ndërkohë që gjashtë oficerë dhe dy drejtues policie po qëndronin në pasivitet, në vendngjarje mbërritën mbështetës të Partisë Socialiste, disa prej të cilëve, sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, dukshëm ishin të njohur për policinë për lidhje me botën e krimit.
Pak më vonë, në vendngjarje ka mbërritur viktima Pjerin Xhuvani, një politikan lokal, i cili u konfrontua me mbështetësit e Partisë Demokratike. Një minutë më vonë kanë filluar të shtënat. Një vendim i gjykatës për caktimin atëherë të masave të sigurimit personal, përcaktoi se në përplasje u përdorën së paku tre pistoleta, dy prej të cilave ishin përballë me Arbër Paplekajn, i cili akuzohet për vrasjen e Pjerin Xhuvanit dhe plagosjen e oficeres së policisë, Xhensila Sota.
Të hënën Apeli vendosi të jepte pafajësi për gjashtë oficerët dhe dy drejtuesit e policisë të akuzuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Deklarata e rreme para oficerit të policisë gjyqësore”, të cilët Gjykata e Elbasanit i kishte vendosur në shërbim prove.
Vendimi në Apel u dha nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Marsela Pepi, Edlira Petri dhe Fatri Islamaj.