Komisioneri Ilirjan Celibashi deklaroi se KQZ ka tagrin ligjor për të këtë vendimmarrje, pavarësisht pretendimeve të Belerit – i pranishëm në sallë i shoqëruar nga forca të shumta policie, avokates së tij dhe përfaqësuesve të opozitës,
“Me bindje të plotë tej çdo komenti që çdokush mund të bëjë, unë mendoj se jemi në kushtet e humbjes së mandatit të kryetarit të Bashkisë Himarë,” u shpreh Celibashi, duke argumentuar se ligji i dekriminalizimit është i qartë dhe ndalon jo vetëm kandidimin e personave në konflikt me ligjin, por më shumë të atyre që janë të zgjedhur.
“Shpall të pavlefshëm mandatin,” theksoi ai, ndërsa shtoi se “kundër këtij mund të bëhet ankim brenda 30 ditëve”.
Beleri pohoi se ishte i vetëdijshëm që e kishte humbur mandatin dhe të drejtën për të qeverisur qytetarët e Himarës, por kërkoi që procedura për pavlefshmërinë e mandatit të tij të mos ishte politike, siç e konsideroi ai, por juridike dhe e drejtë. Ai theksoi se dikush do të nxjerrë gështenja nga zjarri me duart e KQZ-së.
“Institucioni që ju drejtoni ka ruajtur nderin e këtij shtetit, të gjitha institucionet e tjera janë bërë pjesë e paligjshmërisë për mua dhe banorëve të Himarës që më votuan për të drejtuar,” tha Beleri, ndërsa shtoi ai fillimisht duhet të betohet e më pas të shkarkohet.
“Jam i qartë që mandati im si kryetar bashkie ka mbaruar por duket qartë arroganca e tyre që t’i bëjnë votimet në gusht,” shtoi ai.
Ndërkohë avokatja e tij, Klodiana Gjyzari, pohoi se KQZ nuk e ka tagrin ligjor për të shqyrtuar këtë çështje. Sipas saj, nuk është kompetencë e KQZ që të verifikojë mandatin e Belerit në kushtet kur ai është zgjedhur, por nuk është betuar.
“S’ka asnjë depozitë të Kodit Zgjedhor që i jep të drejtë që në këtë fazë që është procesi i Belerit nga ana e KQZ të merren iniciativa të tilla. KQZ mund të kryejë verifikim të tillë vetëm bazuar në të dhënat e formularit të dekriminalizimit asnjë e dhënë jashtë formuarit s’mund të merret në verifikim nga KQZ, procedura është e pavlefshme, keni kaluar kompetencat që u parashikon ligji, kërkojmë pushimin e procedurës”, shtoi ajo.
Të njëjtën qasje pati dhe përfaqësuesi i Partisë Demokratike Ivi Kaso, i cili kërkoi që procedura për shkarkimin e Belerit të ndiqej nga Këshilli i Ministrave.
“Beleri është një person i zgjedhur, nuk ka ushtruar mandatin, është i dënuar, por nuk aplikohet ligji për dekriminalizimin, por ai për qeverisjen vendore. Pra në rastin konkret duhet që Qeveria ta shkarkojë Fredi Belerin dhe mos e trajtojë si patate të nxehtë çështjen. Edi Rama të marrë përgjegjësinë, të thotë se Fredi Beleri është dënuar me vendim të formës së prerë dhe ta shkarkojë”, pohoi Kaso.
Ndërsa për përfaqesuesin ligjor të Partisë Socialiste, Eridian Salianji, çështja ishte shumë e qartë dhe Beleri e humb mandatin për shkak të ligjit të dekriminalizimit.
“Nëse do të ishte bërë betimi dhe do kishte nisur detyrën, atëherë Rama mund të bënte shkarkimin”, tha ai.
Pavarësisht vendimit të komisionerit Celibashi, Beleri ka 30 ditë kohë për të ankimuar pranë Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve vendimin dhe Vangjel Dule në përfundim të seancës deklaroi ndjekjen e çdo hapi ligjor “për të vendosur të drejtën në vend”.
Në përfundim të të gjitha procedurave ankimuese, Presidenti i Republikës duhet të shprehet me dekret për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Himarës.