Ndihmësja ligjore pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, Anida Bica u përball të hënën më 8 korrik me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për gjetjet në kriterin e pasurisë që kishin të bënin më së shumti me transaksione të disa pasurive të kryera nga bashkëshorti para fillimit të detyrës dhe përpara martesës. Ajo mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës, si dhe nuk u evidentuan probleme për profesionalizmin.
Procesi i vetingut për këtë subjekt rivlerësimi po kryehet nga trupa e KPK e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtare Alma Faskajn. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Gerrit Sprenger.
Bica ka filluar të ushtrojë detyrën e ndihmëses ligjore pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë në vitin 2015.
Komisioni nuk ka gjetur probleme për një automjet të blerë nga subjekti dhe as për llogarinë rrjedhëse të saj. Ndërkohë, u evidentuan një sërë gjetjesh për pasuritë e bashkëshortit, për të cilat u konstatua se janë krijuar para fillimit të detyrës.
Bashkëshorti i subjektit ka porositur blerjen e një apartamenti në vitin 2008 për çmimin 37 mijë e 800 euro. Si burim krijimi të kësaj pasurie ka paraqitur një deklaratë ndërmjetësimi të vitit 2005, sipas të cilës shprehej vullneti për dhënien e apartamentit pa pagesën e ndonjë vlere.
Sanxhaktari konstatoi mospërputhje midis të dhënave të kontratës së porosisë së vitit 2008 ku përcaktohej blerja e apartamentit për çmimin 37 mijë e 800 euro, me deklaratën e vitit 2005, ku thuhej se kjo pasuri i jepej bashkëshortit të subjektit.
Sipas relatores, Bica ka shpjeguar se në atë periudhë bashkëshorti ka punuar si jurist pranë ish-komunës Dajt dhe nuk ka pasur ndonjë lidhje apo konflikt interesi me shoqërinë ndërtuese.
Ndihmësja ligjore, Anida Bica u shpreh dakord me hetimin administrativ të kryer nga KPK. Ajo tha se do të jepte sqarime lidhur me disa pasuri të bashkëshortit të krijuara përpara martesës, për të cilat i janë kërkuar sqarime.
Lidhur me kontratën e ndërmjetësimit, ajo sqaroi se bashkëshorti e kishte lidhur me pronarët e tokës dhe ndërtuesin. E pyetur nga Komisioni për këtë situatë, ajo theksoi se ky ishte i vetmi rast që bashkëshorti kishte kryer një veprim të tillë dhe se nuk kishte asnjë lloj konflikti interesi me asnjë prej palëve.
Sipas Bicas, kontrata e vitit 2008 ishte vetëm finalizimi i asaj të 2005-ës, pasi nuk ishte realizuar deri atëherë. Ajo nënvizoi se të dyja kontratat ishin nënshkruar nga e njëjta shoqëri dhe të njëjtët ortakë.
Bica argumentoi se bashkëshorti nuk e ka pasur vlerën e shënuar në kontratën e porosisë së vitit 2008 si çmim i apartamentit, se nëse do ta dispononte do të kishte blerë banesë në tjetër shoqëri ndërtimi dhe nuk do kishte vijuar me atë subjekt që kishte lidhur marrëveshjen që prej 2005-ës, por që nuk e kishte materializuar ende. Sipas subjektit, bëhet fjalë për një marrëveshje mes palëve që nuk ndalohet nga ligjit. Ajo ritheksoi se bashkëshorti nuk ka pasur konflikt interesit dhe se gjithçka kishte qenë e rastësishme.
KPK konstaton pamundësi në shumën rreth 330 mijë lekë për krijimin e një gjendje cash në vlerën një milion lekë. Sanxhaktari tha se subjekti ka deklaruar se kjo vlerë është krijuar nga bashkëshorti.
Në vijim u relatua konstatimi për shitjen në vitin 2009 të një apartamenti nga ana e bashkëshortit të subjektit, pasuri e blerë në 2007-ën. Sanxhaktari konstatoi se ka rezultuar pamundësi për blerjen e këtij apartamenti në vitin 2007. Po ashtu, u relatua se të ardhurat nga shitja e këtij apartamenti nuk janë shënuar në deklaratën veting si burime për krijimin e ndonjë pasurie.
Edhe për këtë pasuri, Bica vërejti në seancë se ishte krijuar dhe shitur para martesës dhe përpara fillimit të detyrës. “Kur plotësova deklaratën ‘veting’, kjo pasuri nuk ekzistonte”, tha Bica dhe shtoi se prindërit kishin 40 vjet që punonin e krijonin kursime dhe e kishin ndihmuar të birin për të blerë një apartament të vogël.
KPK konstaton pamundësi për krijimin e një depozite 22 mijë euro nga bashkëshorti subjektit në vitin 2010, vlerë për të cilën Bica ka shpjeguar se është krijuar me të ardhurat nga shitja e apartamentit. Megjithatë, Sanxhkatari tha se është marrë në konsideratë se subjekti dhe bashkëshorti nuk kishin lidhur ende martesë në momentin e krijimit të depozitës. Nga sa u relatua në seancë, u mësua se bashkëshortët Bica kishin lidhur martesë disa muaj pasi ishte depozituar kjo vlerë.
Bica deklaroi se likuiditetet në masën 22 mijë euro ishin krijuar nga shitja e apartamentit dhe kursimet e prindërve të bashkëshortit. Ajo këmbënguli se ata i kanë pasur mundësitë për krijimin e kësaj vlere.
Nga hetimi ka rezultuar se subjekti dhe bashkëshorti kanë hequr dorë nga pronësia e një apartamenti me sipërfaqe 42 m2 në Vlorë duke e kaluar në favor të vjehrrit. Sipas Sanxhaktarit, ky veprim është kryer pesë ditë përpara plotësimit të deklaratës “veting”.
Apartamenti është porositur në vitin 2011, kundrejt çmimit 15 mijë euro. Sanxhaktari sqaroi se subjekti ka deklaruar gjatë hetimit administrativ se kishte nënshkruar aktet për këtë pasuri vetëm për shkak të ligjit, pasi ishte martuar. Ajo ka theksuar se kishte vetëm 8 muaj kur është porositur apartamenti në vitin 2011 dhe se nuk kishte asnjë kontribut.
Sipas relatores, Bica ka deklaruar se burim për pagesën e apartamentit në Vlorë kanë qenë të ardhurat nga shitja e apartamentit në 2009-ën. Po ashtu, ka shpjeguar se apartamenti është ende në gjendje karabina dhe i pabanueshëm, e për rrjedhojë vjehrri është në proces gjyqësor me shoqërinë ndërtuese.
Megjithëse ka rezultuar bilanc pozitiv për pagesën e apartamentit në Vlorë në vitin 2011, Komisioni i ka kaluar subjektit barrë prove lidhur me heqjen dorë nga kjo pasuri pesë ditë para plotësimit të deklaratës “veting”, si dhe për mosdeklarimin e saj.
Ndihmësja ligjore, Anida Bica deklaroi se vjehrri kishte pasur dëshirë për të blerë një apartament të vogël në bregdet, pasuri për të cilën sipas saj, janë dhe në proces gjyqësor pasi shoqëria ndërtuese nuk e ka dorëzuar.
Ajo shpjegoi se deklarimin për heqjen dorë nga pasuria e kishte bërë për të qenë më transparente, pasi nuk ishte pronë e saj dhe nuk kishte kontribut. “Mendova se ngaqë nuk ishte prona ime, nuk duhej deklaruar”, pohoi ajo dhe shtoi se procesi gjyqësor është filluar pasi nuk është zhvilluar leja e ndërtimit, për arsye se ishte pezulluar.
Nga analiza financiare paraprake e përgjithshme e kryer për periudhën kur subjekti ka ushtruar detyrën, ka rezultuar pamundësi vetëm në shumën rreth 330 mijë lekë. Bica këmbënguli se kishin pasur burime që mbulonin balancën negative të konstatuar. Ajo kërkoi rishikimin e analizës financiare lidhur me shpenzimet e udhëtimeve.
Në përfundim, ndihmësja ligjore Anida Bica kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do shpallet më datë 10 korrik, në orën 09:45.