![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/2024/07/Srebrenica-111.jpg)
Shkruar nga: Azem Kurtic, Hamdi Firat Buyuk, Sinisa Jakov Marusic, Borislav Visnjic dhe Perparim Isufi
Mijëra njerëz sfiduan vapën e madhe për të përkujtuar përvjetorin e gjenocidit të Srebrenicës në 1995 dhe morën pjesë në varrimin masiv të 14 viktimave të identifikuara së fundmi në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës në Bosnjën lindore të enjten.
Ata u vranë në korrik 1995 në një seri masakrash nga forcat serbe të Bosnjës që lanë të vdekur më shumë se 8,000 djem dhe burra boshnjakë. Masakrat janë klasifikuar si gjenocid nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ.
Munira Subasiç, presidente e shoqatës “Nënat e Srebrenicës”, paralajmëroi se bota “nuk ka mësuar asgjë” që nga Lufta e Dytë Botërore.
“Srebrenica është dëshmi e kësaj dhe ne nënat përpiqemi të përcjellim një mesazh dhe të paralajmërojmë të tjerët në mënyrë që një krim si Srebrenica të mos përsëritet më kurrë”, tha Subasiç, duke folur para delegacioneve të huaja dhe vendase të mbledhura për ngjarjen përkujtimore në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës.
Ajo paralajmëroi gjithashtu për mohimin e gjenocidit, i cili mbetet i përhapur në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në të gjithë rajonin e ish-Jugosllavisë.
Deri më tani, 6,751 viktima të gjenocidit janë varrosur në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës. 250 viktima të tjera janë varrosur në varrezat lokale me vendim të familjarëve të mbijetuar.
Megjithatë, në Bosnje, një ditë zie për Srebrenicën përkujtohet zyrtarisht vetëm në entitetin e Federatës së vendit të mbizotëruar nga boshnjakët dhe kroatët. Serbët e Bosnjës kanë bllokuar Këshillin e Ministrave të nivelit shtetëror që të shpallë një ditë zie në të gjithë vendin.
Pasi Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi në maj për caktimin e 11 korrikut si Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë, 29-vjetori po shënohet edhe në vende të tjera. Për herë të parë, ai do të përkujtohet në një ngjarje të nivelit të lartë në Kombet e Bashkuara në Nju-Jork.
Në Serbi të mërkurën në mbrëmje, “Gratë me të Zeza” mbajti një vigjilje të heshtur në qendër të Beogradit, duke i kërkuar Serbisë të caktojë një Ditë vjetore të Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës, megjithëse qeveria refuzon t’i klasifikojë masakrat nga forcat serbe të Bosnjës si gjenocid.
Në Mal të Zi, presidenti Jakov Milatoviç shkroi në X se vuajtja e “viktimave të pafajshme të Srebrenicës shërben si një paralajmërim i dhimbshëm për brezat e sotëm se e keqja e korrikut 1995 nuk duhet të përsëritet kurrë”. Përvjetori u shënua gjithashtu nga Këshilli Boshnjak i vendit në kryeqytetin Podgoricë të enjten. Presidenti i Këshillit Suljo Mustafiç tha në ngjarje se “Srebrenica është fjala më e trishtuar në gjuhën tonë dhe Potocari (ku janë varrosur trupat e mijëra viktimave) është varri më i madh në historinë tonë”.
Në këtë aktivitet morën pjesë disa përfaqësues të partive në pushtet dhe opozitë dhe kryetarja e komunës së Podgoricës, Olivera Injaç.
Në Prishtinë, Kosovë, të enjten parlamenti mbajti një seancë speciale në përkujtim të viktimave të gjenocidit të Srebrenicës dhe miratoi një deklaratë mbi rezolutën e OKB-së. Të mërkurën, kryeministri Albin Kurti iu bashkua ceremonisë përkujtimore të organizuar nga Instituti i Historisë.
Në fjalën e tij, Kurti shprehu solidaritetin dhe mbështetjen për popullin boshnjak. “Ky krim la plagë të hapura për mijëra familje boshnjake, ashtu siç la plagë në ndërgjegjen e njerëzimit. Prandaj, çdo përvjetor risjell në kujtesë dhimbjen, jo vetëm për popullin boshnjak, por edhe për ne, popullin e Kosovës, që përjetuam tmerret e luftës 25 vjet më parë”, tha Kurti.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan lëshoi një dekret presidencial të mërkurën duke deklaruar se 11 korriku do të përkujtohet si Dita e Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës.
“11 korriku, i pranuar si “Dita Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Kujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës”, do të përkujtohet në vendin tonë për të ndarë dhimbjen, për të dënuar gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit dhe për të rritur ndërgjegjësimin global përmes ngjarjeve të veçanta përkujtimore, aktiviteteve edukative dhe nismave për ndërgjegjësimin e publikut në nder të viktimave të gjenocidit të Srebrenicës”, thuhej në dekret.
Në vitet e fundit, partitë opozitare dhe OJQ-të boshnjako-turke i kanë bërë thirrje qeverisë turke të njohë masakrat e Srebrenicës si gjenocid dhe të shpallë 11 korrikun një ditë kujtimi të gjenocidit.
Në vitin 2023, megjithatë, partitë në aleancën e Erdoganit hodhën poshtë një projektligj të opozitës për të njohur masakrat e vitit 1995 si gjenocid, duke shkaktuar debate të zemëruara në parlamentin turk dhe zhgënjim në Bosnje.
Njerëzit në Maqedoninë e Veriut gjithashtu do të marrin pjesë në përkujtimet e 11 korrikut. Të enjten, në kryeqytetin Shkup, Këshilli Kombëtar Boshnjak do të organizojë marshin vjetor përkujtimor për Srebrenicën.
Ngjarje përkujtimore po mbahen gjithashtu në disa qytete të Evropës Perëndimore, duke përfshirë Bradford në Angli, ku një flamur me mbishkrimin “Të kujtojmë Srebrenicën” po ngrihet në parkun e qytetit.