![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/spak4.jpg)
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të hënën lënien në fuqi të vendimarrjes së Shkallës së Parë për konfiskimin e pasurive të ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë, Guxim Zenelaj. Vendimi i formës së prerë që i kalon shtetit pasuritë e ish-gjyqtarit Zenelaj, u mor nga trupi gjykues i kyesuar nga Florjan Kalaja dhe anëtare gjyqtaret Saida Dollani dhe Daniela Shirka.
Me vendim të datës 6 tetor 2023, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë pranoi kërkesën e SPAK për konfiskimin e pasurive të Zenelajt, një ngastre toke me sipërfaqe 1000 m2 në Porto Palermo, Himarë – Vlorë; si dhe gjashtë pasuri të paluajtshme në Ishull-Shëngjin-Lezhë, konkretisht dy bodrume me sipërfaqe 16 m2 dhe 15 m2; njësi me sipërfaqe 218.06 m2, dhe tre apartamente me sipërfaqe 60.36 m2, 67.35 m2 dhe 51.35 m2.
Ndërkohë në Shkallë të Parë vijon ende procesi ndaj Zenelajt për deklarim të rremë të pasurive. Më 22 dhjetor 2022, SPAK përfundoi hetimet për këtë çështje dhe e dërgoi çështjen për gjykim. Më datë 5 korrik, prokuroria kërkoi deklarimin fajtor të tij dhe vendosjen në shërbim prove për një periudhë 2-vjeçare. Mbrojtja e ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë kërkoi kohë për të përgatitur bisedimet përfundimtare që pritet t’i parashtrojë më datë 19 korrik, kur u caktua të zhvillohet seanca e radhës.
Zenelaj u largua nga sistemi gjyqësor në korrik të vitit 2017, së bashku me anëtarët e tjerë Arjana Fullani, Andi Çeliku, Aleksandër Muskaj dhe Evelina Qirjako, të cilët njoftuan përfundimin e mandatit të tyre. Në vijim ata refuzuan t’i nënshtrohen procesit të rivlerësimit me pretendimin se nuk e kishin më statusin e magjistratit. Po ashtu refuzuan pozicionet në Apel.
Bazuar mbi këtë refuzim, KPK vendosi se secili prej tyre kishte bërë dorëheqje dhe bazuar në ligjin për rivlerësimin ndërpreu procesin e vetingut dhe caktoi masën që u ndalon rikthimin në sistemin e drejtësisë për 15 vjet.