![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Vangjush-Dako-zgjedhjet-e-2017-1.jpg)
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë pranoi të premten më 19 korrik kërkesën e ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako dhe të tre të bashkëpandehurve të tjerë për procedurën e dhënies së lejes së ndërtimit të një pallati shumëkatësh si dhe për shpërdorim të fondeve publike në ndërtimin e një shëtitoreje në bregdet, për të vijuar procesin me gjykim të shkurtuar.
Kërkesa e Dakos i cili akuzohet për shpërdorim detyre dhe tre të pandehurve të akuzuar për falsifikim, Fiqiri Farruku, Fatmir Ejupi dhe Adrian Bulkut u pranua nga gjyqtarja e shqyrtimit të çështjes në themel, Elsa Ulliri. Ajo vendosi hapjen e shqyrtimit gjyqësor dhe kërkoi paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare për këta të pandehur. Prokurori i çështjes, Sotir Kllapi kërkoi kohë dhe gjykata e shtyu seancën për më datë 11 shtator, në orën 13:00.
Sipas legjislacionit penal, me pranimin e kërkesës së gjykimit të shkurtuar, Dako dhe tre të pandehurit e tjerë, përfitojnë uljen e 1/3-ës së dënimit.
Ndërkohë, shtatë të pandehurit e tjerë në këtë çështje, kërkuan gjykim të zakonshëm dhe pritet që gjykimi i tyre të ndahet.
Vangjush Dako ishte kryebashkiaku më jetëgjatë i Partisë Socialiste në Durrës, i shpallur i padëshirueshëm nga Departamenti Amerikan i Shtetit me motivacionin e “korrupsionit madhor” në korrik 2019. Ai është akuzuar nga opozita dhe ka rezultuar në përgjime me elementë të krimit të organizuar, të cilët veç narkotrafikut, dyshohet se ndikuan në tjetërsimin e rezultatit të zgjedhjeve në Durrës në vitin 2017.
Megjithatë, Dako u hetua nga SPAK për veprime në kundërshtim me kompetencat e kryetarit të bashkisë në miratimin e lejes së ndërtimit në favor të shoqërisë Fakle sh.p.k, pasi ai dhe zyrtarët e Bashkisë Durrës i përpiluan dokumentet dy vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe banorët banonin në pallatin në fjalë. Hetimi arrin në përfundimin se është bërë legalizimi i një objekti shumëkatësh, të ndërtuar pa leje, ndërkohë që dhe vetë ndërtimi nuk është bërë sipas projektit të paraqitur nga ndërtuesi dhe të miratuar nga bashkia.
Fakti i dytë penal për të cilin prokuroria kërkon gjykimin e Dakos ka të bëjë me një procedurë prokurimi, për shërbim konsulence, sigurimin e një projekti të quajtur “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”. Sipas SPAK, komisioni i ngritur me urdhër të Dakos, ka kryer gabim llogaritjen e fondit limit, me një vlerë gati dhjetë herë më shumë se ajo që duhet të llogaritej në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave.